Pyetje dhe Përgjigje
“Shokë të mirë të mitë po bëjnë zgjedhje për të cilat nuk ndihem rehat. Çfarë të bëj?”
“Fol me miqtë e tu rreth ndjenjave të tua. Shtegu drejt një marrëdhënieje më të shëndetshme hapet kur ne komunikojmë. Nganjëherë është e vështirë ngaqë mendojmë se miqtë tanë mund të mërziten, por ka një zgjidhje: bëj atë që do të bënte Krishti dhe vepro me dhembshuri.”
Luan R., 19 vjeç, San‑Paolo, Brazil
“Ndonjëherë miqtë bëjnë zgjedhje për shkak të trysnisë së bashkëmoshatarëve. Nëse u flas miqve të mi për zgjedhjet e tyre, mund të ndihmoj që të mbajnë përgjegjësi për synimet dhe vlerat e tyre. Herë të tjera, nuk biem dakord mbi atë që është e mirë ose e rëndësishme, mirëpo duhet të respektojmë mendimet dhe lirinë e zgjedhjes së njëri‑tjetrit.”
Megi J., 18 vjeçe, Teksas, SHBA
“Ndoshta ndihesh në siklet ngaqë Fryma e Shenjtë po të thotë se ajo që ata po bëjnë, nuk është e drejtë. Ftoji të bëjnë diçka tjetër.”
Lorenco M., 12 vjeç, Kuezon-Siti, Filipine
“Ti mund t’i udhëheqësh drejt shtegut të Perëndisë ose të gjesh miq të tjerë që do të jenë një ndikim i mirë. Lutu për të ditur se çfarë vendimi të marrësh. Mirëbesoji gjykimit të Atit tënd Qiellor dhe Ai do të të udhërrëfejë.”
Heidën W., 15 vjeçe, Uashington, SHBA
“Do të bëja çmos të isha një shembull i mirë. Gjithashtu do të lutesha për ta sepse e di që drita gjithmonë fiton mbi errësirën.”
Izak M., 19 vjeç, Lualaba, Republika Demokratike e Kongos
“Ji trim dhe i guximshëm siç ishte Moroni. Të gjithë ne përfundimisht do të kemi miq që marrin vendime të këqija, dhe do të na duhet ndihmë nga Ati Qiellor për ta kaluar atë. Çdo mëngjes lutem që të vesh armatimin e Perëndisë, dhe kjo më ndihmon vërtet shumë!”
Ejsë F., 15 vjeç, Jutë, SHBA
“Duaji ata dhe lëre dritën tënde të shndritë. Njerëzit do të fillojnë t’i respektojnë vendimet e tua. Unë dhe familja ime ishim të vetmit anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në shkollën tonë dhe vura re se njerëzit ndaluan së zëni be rreth nesh ngaqë e dinin se ne ishim ndryshe.”
Penelopë W., 13 vjeçe, Rajoni Qendror, Portugali