2025
Shpërndarja e Gëzimit në Kenia
Për Forcën e Rinisë, Shtator 2025


Shpërndarja e Gëzimit në Kenia

Kur Roberti e gjeti ungjillin, ai me doemos duhej t’ia shpërndante kujtdo që njihte. Po, me të vërtetë, kujtdo!

i ri

Fotografitë nga Leslie Nilsson dhe Eric D. Snider

Që kur u pagëzua në gusht të vitit 2024, Robert L., 18 vjeç, nga Kenia, ka sjellë më shumë se 50 miq në kishë dhe ka pagëzuar 25 prej tyre!

Gjithsesi këto ishin shifrat gjithsej kur folëm me të disa muaj më parë. Ka mundësi të jenë rritur që nga ajo kohë.

Roberti, një anëtar i Degës së Bukurusë në Distriktin e Kisumuit, në Kenia, u njoh me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në fillim të vitit 2024, kur takoi një amerikan që bënte punë humanitare në Kenia.

“Nuk e prisja vërtet që jeta ime do të përmirësohej”, – thotë Roberti. “Prindërit e mi nuk kishin para; nuk mund të më çonin në shkollë.” (Në Kenia, edhe shkollat publike kushtojnë para.)

“Por e dija se Ati Qiellor do të më ndihmonte. Fillova të lutesha dhe të lexoja Dhiatën e Re. Pastaj takova financuesin tim.”

“Financuesi” i tij ishte anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i cili e bekoi jetën e Robertit në dy mënyra: ai e ndihmoi të merrte shkollim për veten dhe, më e rëndësishmja, e ndau ungjillin me të (ashtu siç bëri një i ri tjetër që ishte bashkuar me Kishën kohët e fundit). Roberti u pagëzua rreth gjashtë muaj më vonë.

të rinj

Robert L.-ja nga Kenia ka ftuar dhjetëra njerëz në kishë – fqinjë, shokë shkolle, fëmijë me të cilët luan sporte – këdo.

Siç i Bënë të Mira Atij, Ai ua Bëri të Tjerëve

Natyrisht, Roberti donte t’u tregonte për bekimet e tij të reja, të tjerëve. Ai nuk mund të financonte arsimimin e askujt. Por me siguri mund t’u mësonte atyre ungjillin!

Filloi të ftonte njerëz në kishë – fqinjë, shokë shkolle, fëmijë me të cilët luante sporte – këdo që njihte. “Erdha një të diel me, mbase, pesë veta, pastaj një të diel tjetër erdha me 10 veta”, – thotë ai. “Pastaj u dërgova atyre misionarët që ata të mund të kuptojnë dhe të dinë se kjo Kishë është e vërtetë dhe se mund të përjetojnë atë që përjetoj unë.”

Nuk kaloi shumë kohë para se disa nga miqtë e Robertit të zgjidhnin të pagëzoheshin dhe t’i kërkonin atij të kryente ordinancën.

Kisha po rritet me shpejtësi në Afrikë, pjesërisht për shkak të dishepujve si Roberti. Ai pagëzoi 10 njerëz brenda një jave, 11 njerëz javën vijuese dhe “vetëm” 4 javën pasuese.

të rinj

Roberti i fton miqtë në degën e tij të Kishës, e cila mblidhet në një çadër në një vend me bar.

Më shumë se dymbëdhjetë prej atyre miqve të sapopagëzuar ishin me të në një konferencë të FSY-së në Kenia dhjetorin e kaluar, përfshirë një mik që kishte pagëzuar tashmë një nga miqtë e vet.

E shikon si rritet hovi? Ushqen vetveten!

Të Ndierit e Shpirtit

Fredrik A.-ja, 17 vjeç, thotë se kur miku i tij, Roberti, e ftoi në kishë, ai e ndjeu Shpirtin aq fort sa nuk mund ta mohonte.

“Kur shkova në kishë, Shpirti i Perëndisë u dërgua mbi mua”, – thotë Fredriku. “Sapo më dhanë Librin e Mormonit, fillova ta lexoja. Nëse nuk e kuptoj, gjithmonë e pyes presidentin e degës sime dhe lutem.”

të rinj

Roberti (majtas) dhe Fredriku kanë mbetur miq që kur Roberti e njohu me ungjillin.

Gifti M., 18 vjeç, është një tjetër mik që Roberti e pagëzoi. “Jam i lumtur që jam pjesë e Kishës së vërtetë, e vetmja Kishë e vërtetë në univers”, – thotë Gifti me një buzëqeshje.

i ri

Gifti mezi pret të shërbejë në një mision.

të rinj

Shumë prej njerëzve që Roberti ka ftuar në kishë, kanë zgjedhur të pagëzohen dhe po ftojnë njerëz të tjerë të vijnë gjithashtu.

Akoma më Shumë Punë Përpara

Roberti planifikon të shërbejë në një mision me kohë të plotë sapo të mbarojë shkollën (ashtu si Gifti dhe Fredriku). Pse dëshiron ta bëjë këtë kur është e qartë se ai tashmë e di se si ta shpërndajë ungjillin?

“Duhet të shkoj në një mision për të përjetuar më shumë dhe për të mësuar më shumë”, – thotë Roberti. “Kjo do të ma forcojë besimin dhe do të ma ndryshojë qëndrimin. Është ajo që Perëndia do që unë të bëj.”

të rinj

Roberti nuk ka mbaruar ende së shpërndari ungjillin. Ai planifikon të shërbejë në një mision. “Është ajo që Perëndia do që unë të bëj”, – thotë ai.