Bekimet e Autoritetit dhe Fuqisë së Priftërisë
Priftëria e Perëndisë është rivendosur në kohën tonë për të bekuar të gjithë fëmijët e Tij.
Restoration of the Melchizedek Priesthood [Rivendosja e Priftërisë Melkizedeke], nga Walter Rane
Rinia shpesh bën pyetje rreth priftërisë. Në lidhje me priftërinë, dëshmia jonë ndaj botës është:
-
Priftëria e shenjtë e Perëndisë është thelbësore për përmbushjen e veprës së Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin.
-
Perëndia e ka rivendosur priftërinë në tokë.
-
Priftëria administrohet nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Arsyeja Pse na Nevojitet Autoriteti dhe Fuqia e Priftërisë
Jezu Krishti është kreu i Kishës. Kisha është mjeti që ka krijuar Ai për të përmbushur veprën thelbësore të shëlbimit të njerëzimit. Nëpërmjet Kishës, Ai mund:
-
Të shpallë ungjillin e Tij në të gjithë botën.
-
Të ofrojë pagëzimin dhe të gjitha besëlidhjet e tjera, madje një shteg besëlidhjesh drejt mbretërisë së Tij çelestiale.
-
Të bashkojë familjet për përjetësinë.
-
Të ofrojë dhuratat e shpëtimit, madje edhe për njerëzit që kanë vdekur pa to.
-
Të japë shërbesë për nevojat fizike të fëmijëve të Perëndisë tani.
Jesus Teaching Mary [Jezusi Duke i Dhënë Mësim Maries], nga Dan Burr
Për t’i arritur këto qëllime të mëdha dhe për t’u përgatitur për kthimin e Shpëtimtarit, Kisha ka nevojë për drejtimin, autoritetin dhe fuqinë e vazhdueshme të Perëndisë. Kisha është “kish[a e] vërtetë dhe [e] gjallë” (Doktrina e Besëlidhje 1:30) ngaqë Krishti e vesh atë me udhëheqjen dhe fuqinë e Tij nëpërmjet priftërisë së Tij.
Pa këtë priftëri të shenjtë, Kisha do të ishte në thelb një organizatë laike si shumë të tjera, duke bërë mirë në botë, por e pafuqishme për të arritur qëllimin e përgatitjes së fëmijëve të Perëndisë për gëzimin e jetës së përjetshme në praninë e Tij. Me këtë priftëri dhe çelësat për të drejtuar punën e kësaj priftërie, ekzistojnë si autoriteti, ashtu edhe rendi në Kishë.
“Në Kishë, i gjithë autoriteti i priftërisë ushtrohet nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë.
Anëtarët e denjë meshkuj të Kishës e marrin autoritetin e priftërisë nëpërmjet dhënies së priftërisë dhe shugurimit në detyrat e priftërisë. Të gjithë anëtarët e Kishës mund të ushtrojnë autoritet të deleguar, kur ata veçohen ose caktohen të ndihmojnë në përmbushjen e veprës së Perëndisë.”
E Rivendosur në Kohën Tonë
Ndërsa Libri i Mormonit po përkthehej në vitin 1829, Zoti filloi të ngrinte strukturën e Tij të priftërisë. Në përgjigje të lutjes së Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në lidhje me pagëzimin, Gjon Pagëzori i ringjallur iu shfaq dhe iu dha atyre Priftërinë Aarone, e cila “mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve” (Doktrina e Besëlidhje 13:1). Me atë autoritet, Jozefi dhe Oliveri pagëzuan njëri‑tjetrin dhe të tjerët kur Kisha u organizua zyrtarisht.
Jo shumë kohë paskëtaj, Apostujt e lashtë, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, u shfaqën dhe dhanë Priftërinë më të lartë ose atë Melkizedeke, përfshirë “çelësat e mbretërisë [së Tij] dhe një periudhë të ungjillit për … plotësinë e kohëve” (shih te Doktrina e Besëlidhje 27:12–13; 128:20).
Autoriteti i mëtejshëm i priftërisë erdhi kur tre profetë të lashtë, Moisiu, Eliasi dhe Elija, iu shfaqën Jozefit dhe Oliverit në Tempullin e Kirtlandit dhe iu besuan atyre çelësat e mbledhjes së Izraelit dhe të punës së tempujve të Zotit (shih te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16).
Fuqia për të Bekuar
Me një fjalë, qëllimi i autoritetit dhe fuqisë së priftërisë që rivendosi Jezu Krishti, është për të bekuar. Ajo u mundëson të gjithë anëtarëve të Kishës ta përdorin fuqinë e Perëndisë për t’u shërbyer të tjerëve e për t’i bekuar ata: në Kishë, në shtëpi dhe në të gjithë botën. Anëtarët i bashkohen Shpëtimtarit në përmbushjen e veprës së Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin, duke përdorur dhurata dhe fuqi hyjnore që shkojnë përtej asaj që zotërojnë, për të ndihmuar që mbretëria e Perëndisë të rritet për të mbushur tokën (shih te Doktrina e Besëlidhje 65:2; 5–6).
Zoti ka shpjeguar se “kjo priftëri më e madhe [Melkizedeke] administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë.
Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet” (Doktrina e Besëlidhje 84:19–20).
Ordinancat janë ceremoni të administruara nga priftëria me anë të të cilave ne bëjmë besëlidhje me Perëndinë, duke filluar me pagëzimin e duke vazhduar deri te besëlidhjet që merren në shtëpinë e Zotit. Është nëpërmjet mbajtjes së këtyre besëlidhjeve që ne shndërrohemi nga burra dhe gra “të natyrshëm[e]” në shenjtorë (shih te Mosia 3:19), nëpërmjet hirit shlyes të Krishtit, dhe njëkohësisht shfajësohemi e shenjtërohemi – bëhemi të pafajshëm e të panjollë – para Perëndisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 20:29–31; 3 Nefi 27:16–20).
Christ in America [Krishti në Amerikë], nga Ben Sowards
“Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, shpreh një përmbledhje të përshtatshme:
“Ne shpallim se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e organizuar më 6 prill 1830, është Kisha e Krishtit e Dhiatës së Re e rivendosur. Kjo Kishë është e ankoruar në jetën e përkryer të gurit të saj kryesor të qoshes, Jezu Krishtit, dhe në Shlyerjen e pafundme dhe Ringjalljen e mirëfilltë të Tij. Jezu Krishti edhe një herë ka thirrur Apostuj dhe u ka dhënë atyre autoritetin e priftërisë. Ai na fton që të gjithë ne që të vijmë tek Ai dhe Kisha e Tij, të marrim Frymën e Shenjtë, ordinancat e shpëtimit dhe të fitojmë gëzim të qëndrueshëm.”