Shenjat e Ardhjes së Dytë: Nuk Ka Shkak për Frikë
Janë parathënë disa gjëra serioze përpara se Shpëtimtari të vijë sërish. Por ti ke arsye të mira për të mos pasur frikë.
He Comes Again to Rule and Reign [Ai Vjen Përsëri për të Sunduar dhe Mbretëruar], nga Mary RL Sauer
Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, do të vijë përsëri. Ai e dha mësim këtë të vërtetë me shumë qartësi (shih te Mateu 24). Shumë njerëz do të donin të dinin se kur do të ndodhë kjo, por Jezusi tha: “Sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im” (Mateu 24:36).
Megjithatë, Zoti ka zbuluar disa shenja që do të paraprijnë Ardhjen e Tij të Dytë. Shumë prej këtyre janë emocionuese dhe të mrekullueshme, të tilla si Rivendosja e ungjillit, dalja në dritë e Librit të Mormonit dhe mbledhja e Izraelit.
Por pastaj ka … shenja të tjera. Për shembull:
-
Shenja në qiej (duke përfshirë diellin, hënën dhe yjet) dhe në tokë (duke përfshirë zjarre, shtrëngata, stuhi dhe avuj tymi).
E gjithë kjo mund të tingëllojë tmerruese. Në fakt, Shpëtimtari tha se në ditët e fundit, zemrat e shumë njerëzve do të mpaken për shkak të frikës.
Tani, ndoshta ti shikon problemet nëpër botë, si dhe sprovat vetjake me të cilat përballesh dhe ndihesh i mbingarkuar dhe i shqetësuar. Ndoshta vret mendjen se çfarë të mbetet për të pritur nga e ardhmja nëse gjërat do të bëhen vetëm më të frikshme e më të vështira përpara Ardhjes së Dytë.
Por kjo nuk është mënyra se si Jezu Krishti do të donte që ti, një nga dishepujt e Tij, ta presësh kthimin e Tij.
Mesazhi i Zotit për Dishepujt e Tij
Edhe me të gjithë trazirën dhe pështjellimin e ditëve të fundit, Shpëtimtari u ka thënë dishepujve të Tij: “Mos u shqetësoni”. Përse? Sepse, “kur gjithë këto gjëra të ndodhin, ju mund të dini se premtimet që ju janë bërë, do të përmbushen” (Doktrina e Besëlidhje 45:35).
Jezu Krishti na ka thënë të “mos k[emi] frikë” (Doktrina e Besëlidhje 50:41) dhe të “m[arrim] zemër” (Doktrina e Besëlidhje 61:36). Pra, në vend që të përqendrohemi te fatkeqësitë që do të vijnë, më e mira mund të jetë ta zhvendosim përqendrimin tonë.
Ja tri mënyra të rëndësishme se si të “mos k[esh] frikë”, ta presësh me padurim Ardhjen e Dytë të lavdishme dhe të thuash, me Gjon Zbuluesin: “Eja, Zoti Jezus” (Zbulesa 22:20).
1. Shiko te Profeti
Shpëtimtari paralajmëroi se do të kishte shumë krishtër të rremë dhe profetë të rremë para ardhjes së Tij, të cilët do të mashtronin shumë njerëz. Kudo përreth nesh, ka zëra të lartë, pështjellues e negativë që përpiqen të na çojnë në rrugë të gabuar. Në ditët e fundit, Satani do të “tërbohet në zemrat e fëmijëve të njerëzve dhe do t’i nxitë në zemërim kundër asaj që është e mirë” (2 Nefi 28:20). Edhe vetë të zgjedhurit do të largohen nga e vërteta.
Por Zoti na ka dhënë një ndihmë shumë të madhe. Ai ka thirrur profetë për të na bekuar e udhërrëfyer. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve nuk do të na çojnë dhe nuk mund të na çojnë në rrugë të gabuar. Shpëtimtari tha: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj” (Doktrina e Besëlidhje 1:38). Ti mund t’i kërkosh Atit Qiellor që Fryma e Shenjtë të t’i pohojë të vërtetat që ata japin mësim, të tilla si mësimet e kohëve të fundit të Presidentit Rasëll M. Nelson: “Më e mira pritet të vijë … sepse Shpëtimtari [po] vjen përsëri!” Dhe: “Ai po përgatitet të vijë përsëri. U përgatitshim kësisoj [edhe] ne që ta presim Atë.”
Teksa i ndjek mësimet e tyre “plot durim e besim” (Doktrina e Besëlidhje 21:5), ti mund të shohësh se si ata e bekojnë jetën tënde.
Plaku Alen D. Hejni, i Të Shtatëdhjetëve, ka thënë: “Kur isha fëmijë, … profeci[të e] ditëve të fundit më frikësonin dhe më bënin të lutesha që Ardhja e Dytë të mos vinte në jetën time. … Por tani lutem për të kundërtën. …
… Nuk ka përse të kemi frikë. Doktrina dhe parimet që duhet të ndjekim për të mbijetuar shpirtërisht dhe për të duruar fizikisht, gjenden në fjalët e një profeti të gjallë.”
Ndërsa e ndjek udhërrëfimin e profetëve dhe apostujve, frika jote do t’ia lërë vendin besimit, shpresës dhe gëzimit.
2. Qëndro në Vende të Shenjta
Shpëtimtari ka thënë se mes fatkeqësive të ditëve të fundit, “dishepujt e mi do të qëndrojnë në vende të shenjta dhe nuk do të lëvizen” (Doktrina e Besëlidhje 45:32). Këto vende të shenjta përfshijnë shtëpitë tona, shtëpitë e mbledhjeve dhe tempujt tanë.
Lidhur me tempujt, Presidenti Nelson ka dhënë mësim se “siguria jonë më e madhe është të vazhdojmë të jemi të denjë për pranimin në shtëpinë e Tij të shenjtë”. Dhe “koha më e shumtë në tempull do të na ndihmojë të përgatitemi për Ardhjen e Dytë”.
Eventide [Muzg], nga Yongsung Kim
3. Përgatite Botën
Një rol që luan Kisha e Jezu Krishtit në ditët e fundit, është të ndihmojë që bota të përgatitet për ardhjen e Tij. Dhe ti mund të ndihmosh duke marrë pjesë në veprën e Tij.
Ti mund t’ua shpërndash ungjillin të tjerëve dhe të ndihmosh për t’ua çuar dritën dhe të vërtetën e Perëndisë atyre “të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë” (Doktrina e Besëlidhje 123:12).
Gjithashtu, mund të kryesh pagëzime në tempull për njerëzit në anën tjetër të velit, të cilët jetuan dhe “vdiqën pa një dituri të … ungjilli[t], që do ta kishin pranuar atë” (Doktrina e Besëlidhje 137:7).
Me kaq shumë negativitet në botë, ti mund të jesh një dritë për të tjerët dhe të ndihmosh për t’i sjellë shërim botës. Ti mund të ndihmosh të përgatitet një popull tek i cili mund të vijë Shpëtimtari, i cili do të jetë gati ta pranojë Atë.
Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe diçka e mrekullueshme për ta pritur me padurim.