Jezu Krishti Është Më e Mira që Pritet të Vijë
Gëzimi që ofron Jezu Krishti, është gjithmonë në dispozicionin tënd.
Mendo për një rast kur mendove se bota do të merrte fund. Jo, seriozisht! A ke kaluar diçka kaq të vështirë sa mendove se nuk do t’ia dilje mbanë?
Mirë, ndoshta nuk mendove se bota po merrte fund. Po a të dha ndjesinë sikur bota jote po merrte fund? Mund të ketë qenë çdo gjë, që nga ngelja në një provim të rëndësishëm, te shpërngulja e shokut/shoqes sate të ngushtë, apo një njeri i dashur që ndërroi jetë papritur.
Pavarësisht se si i përballove ato vështirësi në të kaluarën, shikoje veten tani: mbijetove! Akoma edhe më mirë, profetët dhe apostujt na kujtojnë se mund të bëjmë më shumë sesa thjesht t’u mbijetojmë vështirësive të tanishme dhe të ardhshme. Ne mund të gjejmë gëzim teksa i përjetojmë ato.
“Më e Mira Pritet të Vijë”
Shpëtimtari vuajti më shumë nga sa mund ta përfytyrojmë në Gjetseman dhe në kryq. Mbartja e dhembjeve, sëmundjeve dhe mëkateve të të gjithë botës (shih tek Alma 7:11–13) do të ishte e vështirë, më e pakta që mund të themi. Por Ai e mposhti të gjithë atë.
Plaku Patrik Kirën, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Po, ne përsiatim për vuajtjet dhe padrejtësitë që i janë shkaktuar Shëlbuesit tonë për mëkatin tonë dhe kjo vërtet sjell reflektim të kthjellët. Por herë‑herë përqendrimi ynë mbetet aty – te kopshti, në kryq, brenda varrit. Nuk arrijmë të zhvendosemi lart te gëzimi prej varrit që hapet me shpërthim, mposhtjes së vdekjes dhe fitores së Krishtit.”
Falë Jezu Krishtit, nuk kemi pse të mbetemi të përqendruar në vuajtjen tonë vetjake. Ne mund të shkojmë përpara dhe madje ta presim të ardhmen me padurim, me gëzim e besim.
Pra, teksa jeta mund të duket më e vështirë nga sa mendojmë se mund të përballojmë, mbaj mend atë që dha mësim së fundmi Presidenti Rasëll M. Nelson: “Më e mira pritet të vijë”. Ç’premtim i bukur dhe sigurues! Presidenti Nelson di shumë për dhembjen dhe zemërthyerjen që bota i sheh çdo ditë. Por ai prapëseprapë mund të thotë se “më e mira pritet të vijë!”
Si do të ndryshonte këndvështrimi yt nëse do ta dije vërtet se më e mira pritet të vijë? Si do ta ndryshonte kjo mënyrën se si përballesh me sfidat e jetës?
Mbajtja e Krishtit në Qendër të Vëmendjes
Një ngjarje e ardhshme që Presidenti Nelson na ka ftuar ta presim me gëzim e padurim, është Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit.
Para se të vësh në dukje se ajo që “njerëzit do të mpaken nga frika” (Lluka 21:26) dhe shkatërrimi do të derdhet mbi të ligjtë, nuk tingëllon vërtet si “më e mira [që] pritet të vijë”, le të sqarojmë diçka: është Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit. Nuk po e kuptojmë thelbin nëse e heqim Atë nga qendra e vëmendjes. Ai është “më e mira” që pritet të vijë – Ai është arsyeja e gëzimit tonë! Sikurse tha Presidenti Nelson: “Më e mira pritet të vijë … sepse Shpëtimtari [po] vjen përsëri!”
Për shembull, shiko nefitët. Ndonëse ishin në një kontinent krejtësisht të ndryshëm, kur vdiq Shpëtimtari, ata duruan disa katastrofa të ngjashme me të Ardhjes së Dytë: vdekje, shkatërrim, fatkeqësi natyrore. Qytete të tëra ranë në det (shih te 3 Nefi 8).
Por pas gjithë asaj trazire, ata që besonin te Shpëtimtari, e dinin se fatkeqësitë ishin një shenjë e vdekjes së Shpëtimtarit. Pikërisht në çastin që po flisnin për Jezu Krishtin dhe shenjat që kishin parë, Shpëtimtari iu shfaq atyre (shih tek 3 Nefi 11:1–11).
Përfytyro se sa shumë gëzim ndien nefitët! Pas një shkatërrimi të tillë rrënues, Shpëtimtari u dha shërbesë atyre dhe i shëroi ata. Pas gjithë frikës dhe panikut, nefitët u gëzuan dhe e lavdëruan Perëndinë që patën mundësi të takonin Shpëtimtarin e tyre (shih tek 3 Nefi 11:14–17).
Shpëtimtari mund të mos të të takojë fizikisht në këtë jetë siç bëri me nefitët. Por ti mund të arrish ta njohësh Atë nëpërmjet leximit të shkrimeve të shenjta, marrjes së sakramentit, mbajtjes së besëlidhjeve e të tjera. Ai mund të të ndihmojë të ndiesh gëzim tani dhe në të ardhmen, pavarësisht nga rrethanat e tua.
Ndërkohë që po Presim …
Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit mund të ndodhë ose jo gjatë jetës sate. Sidoqoftë, gjejmë gëzim nga Jezu Krishti pikërisht tani.
Presidenti Nelson dha mësim të vërtetën frymëzuese vijuese që na ndihmon ndërsa presim kthimin e Shpëtimtarit: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, shumë gjëra të bukura na presin. Në ditët e ardhshme, ne do të shohim shfaqjet më madhështore të fuqisë së Shpëtimtarit që ka parë ndonjëherë bota. Nga tani e deri në kohën kur Ai të kthehet ‘me fuqi dhe lavdi të madhe’, Ai do t’u japë privilegje, bekime dhe mrekulli të panumërta besnikëve.”
Me fjalë të tjera, ne mund të gjejmë paqe dhe gëzim në Krishtin pikërisht tani, deri në kthimin e Tij dhe përgjithmonë. Jezu Krishti është drita në fund të çdo tuneli. Ai është gëzimi gjatë mundimeve vetjake. Ai është lehtësimi nga frika. Ai është Shpëtimtari yt. Ndërsa përqendrohesh tek Ai, paqja dhe gëzimi janë në dispozicionin tënd këtu, tani dhe gjithmonë.