2025
Ti dhe Proklamata për Familjen
Për Forcën e Rinisë, Shtator 2025


Ti dhe Proklamata për Familjen

Proklamata për familjen mbush 30 vjet këtë muaj. Shiko se si mund ta bekojë familjen tënde sot.

familje duke kërcyer

Ilustrimet nga Irtaxe López de Munáin

Saktësisht 30 vjet më parë, në shtator të vitit 1995, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetëve Apostujve nxorën dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, duke shpallur se “familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”.

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, në atë kohë ishte Apostull. Ai ka thënë: “Dëshmoj se proklamata për familjen është një shpallje e së vërtetës së përjetshme. … Jepeni mësim atë, jetoni sipas saj dhe ju do të bekoheni.”

Proklamata për familjen i ka bekuar familjet anembanë botës për 30 vjet dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

familje duke u përqafuar

Këshilla për Familje të Forta e të Lumtura

Në proklamatën për familjen, profetët dhe apostujt dëshmojnë se “lumturia në jetën familjare ka më shumë të ngjarë të arrihet më mirë kur bazohet te mësimet e Zotit Jezu Krisht”.

Këto përfshijnë parimet e “besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese”.

Përdorimi i këtyre mësimeve mund ta bekojë familjen tënde në mënyra të mahnitshme. Për shembull, ju mund:

  • Të nxitni lutjen familjare. Lutja pa dyshim i ndihmon familjet të bëhen më të forta. Nëse lutja nuk është zakon në familjen tënde, nxiti ata që të bëjnë një përpjekje. Bërja e lutjeve së bashku mund të sjellë paqe, dashuri dhe harmoni.

  • Të tregoni dashuri përmes fjalëve dhe veprimeve. Thuaju më shpesh familjarëve të tu se i do, edhe nëse mendon se ata e dinë tashmë këtë gjë. Përdor fjalë të dashura dhe nxitëse. Kjo e fton Shpirtin në shtëpinë tënde.

    Shërbimi ndaj familjes është një mënyrë tjetër e mrekullueshme për ta treguar dashurinë. Merr parasysh që t’u bësh ndere pa rënë në sy vëllezërve dhe motrave të tua ose të ndihmosh për punët e shtëpisë pa t’u kërkuar.

  • Të kaloni kohë së bashku dhe të argëtoheni. Proklamata për familjen i përmend “aktivitete[t e] shëndosha argëtuese” si një mënyrë për t’i ndihmuar familjet që të jenë të forta dhe të lumtura. Ju mund të bëni një shëtitje me biçikletë nëpër park, të përgatitni dhe të hani vakte së bashku, të bëni një ngjitje të shkurtër mali, ose të luani sporte apo lojëra tavoline së bashku. Lista mund të vazhdojë, por kalimi i kohës së bashku do t’ju kujtojë se familja është ajo që ka më shumë rëndësi.

  • Të shërbeni së bashku. Mund të afroheni më shumë si familje duke shërbyer së bashku. Kjo mund të jetë aq e thjeshtë sa përgatitja e një vakti të parapëlqyer për dikë në nevojë ose heqja e borës nga rrugica ku kalon makina e një fqinji.

Shpëtimtari mund të ndihmojë të zgjidhen keqkuptimet dhe sfidat brenda familjeve nëpërmjet pendimit, faljes dhe besimit. Ndërsa e ndjekim dhe mbështetemi te Jezu Krishti, dashuria dhe respekti që ndiejmë në familjet tona, rritet.

Ka shumë mënyra të tjera për t’i bërë familjet të forta e të lumtura dhe për t’i afruar familjarët më shumë me njëri‑tjetrin.

Çfarë gjërash mund të bësh ti?

familje

Të Vërteta për Tani dhe Përgjithmonë

Asnjë familje nuk është e përkryer. Disa përballen me sfida domethënëse. Mund ta shikosh situatën tënde familjare dhe ta pyesësh veten se si mund ta bekojë familjen tënde proklamata për familjen. Mirëpo ajo është e mbushur me të vërteta të përjetshme që do ta bekojnë familjen tënde, pavarësisht gjithçkaje.