Jezu Krishti Është Edhe për Ditët e Mira
Kur gjërat po shkojnë mirë, si mund të qëndrojmë të përqendruar te Shpëtimtari? Këtu janë disa ide.
Përfytyro sikur një shok ose shoqe të kalonte kohë me ty vetëm kur kishte vështirësi dhe të të shmangte kur ishte i lumtur. Marrëdhënie e shëndetshme? Jo fare.
A ia bëjmë ndonjëherë këtë Shpëtimtarit tonë: e kërkojmë Atë në kohë të vështira dhe e harrojmë në kohë të mira?
Ne flasim shumë për mënyrën se si na ndihmon Jezu Krishti gjatë kohërave tona të vështira, ndoshta ngaqë gjithkush, në një çast apo në një tjetër, përballet me gjëra të vështira.
Por ka disa ditë – javë ose vjet madje, nëse jemi me fat – kur gjërat shkojnë vërtet mirë. Gjatë atyre periudhave, ndonjëherë e harrojmë Shpëtimtarin. Njerëzit në Librin e Mormonit e harruan Atë. Ata përparuan nga bekimet e Perëndisë për njëfarë kohe, por përfundimisht ranë pre e krenarisë kur e harruan Atë.
Fakti që po kalojmë periudha të mira nuk do të thotë që papritmas nuk kemi më nevojë për Jezu Krishtin. Kohët e begatisë janë kohët e përkryera për t’u gëzuar me Shpëtimtarin, jo për ta harruar Atë.
Pra, si të qëndrojmë të lidhur me Jezu Krishtin dhe Atin tonë në Qiell kur sprovat nuk po na kujtojnë që t’u drejtohemi Atyre?
Qëndro i Përulur
Kur gjërat shkojnë mirë, është mirë të festosh për bekimet dhe arritjet e tua. Por mos harro se kush e bëri të mundur që të jesh aty ku je. Mbreti Beniamin e shprehu në këtë mënyrë në predikimin e tij në Librin e Mormonit:
“Pasi vini re, a nuk jemi ne të gjithë lyp[s]a? A nuk varemi ne të gjithë nga e njëjta Qenie, madje Perëndia, për të gjithë pasurinë që ne kemi, si për ushqim ashtu dhe veshje dhe për ar, dhe për argjend, dhe për të gjitha pasuritë e çdo lloji që ne kemi?” (Mosia 4:19).
Të jesh i përulur për suksesin tënd duke e mbajtur mend atë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë bërë për ty, është një mënyrë e shkëlqyer për t’i përfshirë Ata në kohët e tua të mira.
Qëndro Mirënjohës
Mirënjohja është një nga kundërhelmet më të mira për krenarinë dhe harresën. Kur e falënderon Perëndinë, kjo do të të ndihmojë ta kujtosh Atë dhe gjithë të mirën që Ai dhe Biri i Tij bëjnë në jetën tënde. Kjo është po aq e efektshme në kohë të mira, sikurse është në kohë të vështira.
Ki Mendjen
Një nga sulmet e parapëlqyera të Satanit është “t[ë të] paqësojë dhe … t[ë të] përkundë në siguri trupore” (2 Nefi 28:21). Me fjalë të tjera, atij do t’i pëlqente shumë nëse do të ndiheshe aq i/e kënaqur dhe i/e sigurt gjatë periudhave të mira sa të harroje se çfarë ka më shumë rëndësi. Prandaj, mos e harro Perëndinë! Kur e ke mendjen te marifetet dinake të kundërshtarit dhe u bën ballë atyre edhe gjatë kohëve të tua të mira, ti mund të qëndrosh pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
The Good Shepherd [Bariu i Mirë], nga Michael Malm
Qëndro i/e Përqendruar te Krishti
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit.”
Sa shpesh e mendon këtë të vërtetë rreth gëzimit kur jeta po shkon mirë? Kjo nuk është vetëm një këshillë ngushëlluese për atëherë kur gjërat shkojnë keq. Është gjithmonë e vërtetë, përfshirë edhe në ditët e tua më të mira. Prandaj, bëni gjithçka që mundeni për t’u përqendruar te Krishti, në të mirë a në të keq.