2025
Thesare të Fshehura
Për Forcën e Rinisë, Shtator 2025


Eja, Më Ndiq

Doktrina e Besëlidhje 95; 103; 107

Thesare të Fshehura

Gërmo në shkrimet e shenjta. Ia vlen.

e re

Zoti na i Kujton me Dashuri Urdhërimet që i Kemi Shpërfillur.

Doktrina e Besëlidhje 95

Te Doktrina e Besëlidhje 95, Zoti ishte pak i zhgënjyer me shenjtorët. Ai i kishte urdhëruar ata më parë që të ndërtonin një tempull (shih te Doktrina e Besëlidhje 88:119), por pesë muaj më vonë, ata nuk kishin bërë asgjë për të.

Kjo duket e papërfytyrueshme sot. Ndërtimi i tempujve është një përqendrim i madh për ne! Por në vitin 1833, Zoti nuk kishte zbuluar shumë rreth tempujve. Shenjtorët nuk e kuptonin plotësisht se sa të rëndësishëm do të ishin tempujt.

Pra, çfarë bëri Zoti? Ai foli me hollësi rreth arsyeve përse donte që ata të ndërtonin një tempull (shih te Doktrina e Besëlidhje 95:8–17). Ai e shtjelloi më tej atë që tha më parë, duke dhënë njohuri të reja dhe duke e theksuar rëndësinë e ndërtimit të tempullit.

Mëkati Sjell Qortim, por Zoti Prapë Premton Bekime.

Doktrina e Besëlidhje 103

Në vitin 1834, shenjtorët po vrisnin mendjen pse Zoti i kishte lejuar armiqtë e tyre që t’i ngacmonin dhe t’i dëbonin nga toka e tyre. Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti dha dy përgjigje.

E para, Zoti tha se nganjëherë Ai i lejon të ligjtë që të bëjnë gjëra të këqija “që ata të mund ta mbushin masën e paudhësive të tyre” (Doktrina e Besëlidhje 103:3). Alma e tha në këtë mënyrë: “Ai lejon që ata t[ë] bëjnë [gjëra të këqija], … që gjykimet që ai do të zbatojë kundër tyre në zemërimin e tij të jenë të drejta” (Alma 14:11).

Arsyeja tjetër që Zoti u dha shenjtorëve për problemet e tyre, ishte ndoshta pak më e vështirë për t’u dëgjuar: “Që ata që e thërrasin veten me emrin tim, të mund të ndëshkohen për një stinë të vogël … sepse ata nuk ua vunë veshin tërësisht porosive dhe urdhërimeve që iu dhashë” (Doktrina e Besëlidhje 103:4).

Kjo nuk do të thotë që Perëndia i miratoi veprimet e liga dhe të paligjshme të armiqve të tyre. Ai nuk i “frymëzoi” pjesëtarët e turmave që të sulmonin shenjtorët; Ai i lejoi ata që ta përdornin lirinë e tyre të zgjedhjes dhe nuk ndërhyri për t’i ndaluar.

Por Zoti ende premtoi se, nëse shenjtorët do të bindeshin, “ata kurrë nuk do të pushojnë së triumfuari” (Doktrina e Besëlidhje 103:7).

Melkizedeku duke bekuar Abramin

Përse Priftëria Mban Emrin e Melkizedekut?

Doktrina e Besëlidhje 107

Ti mund ta kesh pyetur veten pse priftëria më e lartë mban emrin e Melkizedekut. Zoti e shpjegoi atë nëpërmjet Profetit Jozef Smith:

“Përpara kohës së tij[, të Melkizedekut,] ajo quhej Priftëria e Shenjtë, sipas Urdh[r]it të Birit të Perëndisë. Por për shkak të respektit ose nderimit për emrin e Qenies Supreme, për të shmangur përsëritjen shumë të shpeshtë të emrit të tij, ata, kisha, në ditët e lashta, e quajtën atë priftëri sipas Melkizedekut” (Doktrina e Besëlidhje 107:3–4).

Mendo se sa shpesh e përmendim “Priftëri[në] Melkizedeke” në mbledhjet e Kishës dhe në diskutimet joformale. Tani përfytyro sikur, në vend të emrit “Melkizedek”, të thoshim “Birit të Perëndisë” çdo herë. Do të fillonte të dukej si mungesë respekti. Zoti donte ta parandalonte këtë.