“Gati që të Vazhdoj të Rritem”, Miku, nëntor 2025, f. 36–37.
Gati që të Vazhdoj të Rritem
Xhuëlli nuk donte që të largohej nga miqtë e saj në Fillore.
Një ngjarje e vërtetë nga Palau.
Xhuëlli u ul në stol në mbledhjen e sakramentit me prindërit dhe vëllanë e saj. Ajo vizatonte figura nga historitë e shkrimeve të shenjta. Përpiqej ta dëgjonte folësen, por stomaku i jepte ndjesinë sikur kishte një lëmsh të madh që e mundonte!
Sot ishte dita e parë që Xhuëlli do të shkonte në klasën e Të Rejave në vend të Fillores. Ajo nuk donte t’i linte pas miqtë e saj në Fillore. Asaj i pëlqente shumë të këndonte dhe të lexonte shkrimet e shenjta me ta.
Por Xhuëlli po bëhej 12 vjeçe këtë vit. Ishte koha të kalonte te programi i Të Rejave.
Xhuëlli i mbylli sytë dhe në heshtje bëri një lutje. Atë Qiellor, të lutem më ndihmo që të kaloj mirë te klasa e Të Rejave.
Pas lutjes së mbylljes në mbledhjen e sakramentit, Xhuëlli mori frymë thellë dhe u fut në klasë. Vajzat më të mëdha në moshë ishin tashmë atje. Aty ishin katër prej tyre. Ato po flisnin dhe qeshnin.
“Tjeta!” – tha Xhuëlli.
Ato buzëqeshën. “Tjeta!”
Mësuesja hyri dhe i uroi mirëseardhjen Xhuëllit. Pastaj ajo filloi mësimin.
Për pjesën më të madhe të orës së mësimit, Xhuëlli u ndje e vetmuar. Ajo ndihej në siklet të fliste sepse nuk i njihte ende vajzat e tjera. Do t’i duhej të ishte tek Të Rejat për një kohë të gjatë. Iu duk si përjetësi! A do të ndihej ajo gjithmonë e vetmuar këtu?
Pastaj një zë i vogël i erdhi në mendje. Nuk do të jesh përgjithmonë tek Të Rejat. Thjesht mbushe moshën që të ecje përpara dhe të mësoje më shumë rreth të qenit dishepulle e Jezu Krishtit.
Xhuëlli u ngushëllua nga fjalët. Ajo i dalloi ato si fjalë nga Fryma e Shenjtë për ta ndihmuar atë. Edhe pse nuk kishte ende shumë shoqe tek Të Rejat, ajo nuk ishte vetëm. Ajo kishte Frymën e Shenjtë.
Pasi mbaroi ora mësimore, Xhuëlli gjeti familjen e saj.
“Si shkoi klasa e Të Rejave?” – pyeti mami.
Xhuëlli i dha një përqafim. “Shkoi mirë. Më merr malli për Filloren dhe nuk i njoh ende vajzat. Por ndjeva se Fryma e Shenjtë më ngushëlloi.”
Mami buzëqeshi. “Më bëhet qejfi që e dëgjoj këtë! Dhe ndoshta herën tjetër do të jetë edhe më mirë.”
Xhuëlli pohoi me kokë. Ajo shpresonte që mami të kishte të drejtë.
Herën tjetër kur shkoi në klasën e Të Rejave, Xhuëlli u tha përsëri vajzave: “Tjeta!”
“Tjeta, Xhuëll!” – tha njëra prej tyre. “Duhet të ulesh pranë meje!”
Xhuëlli buzëqeshi dhe u ul me vajzën. Emri i saj ishte Elli. Ato folën shumë para se të fillonte mësimi. Elli ishte e sjellshme dhe e bëri të ndihej e mirëpritur.
Gjatë mësimit, mësuesja pyeti nëse ndokush kishte pasur një përvojë me Frymën e Shenjtë.
Xhuëlli ngriti dorën. “E ndjeva Frymën e Shenjtë të më ndihmonte kur isha nervoze që do të bashkohesha me Të Rejat”, – tha ajo. “Fryma e Shenjtë më ndihmon kur rritem dhe përballem me sfida.”
Xhuëlli po mendonte se si e ngushëlloi Fryma e Shenjtë kur u ndje e vetmuar. Ajo u ndje mirë që ia tregoi përvojën e saj vajzave tek Të Rejat.
Pasi ajo foli, folën edhe disa vajza të tjera. Xhuëllit i pëlqeu ta dëgjonte se çfarë kishin për të thënë ato.
Ndonjëherë, Xhuëllin prapë e merr malli për Filloren. Por për shkak të Frymës së Shenjtë, ajo ishte gati të vazhdonte të rritej.
Ilustrimi nga Liz Brizzi