“Paqe në Lutje”, Miku, nëntor 2025, f. 30–31.
Pionierë në Çdo Vend
Paqe në Lutje
Ati Qiellor do të vazhdonte t’i udhëhiqte ata.
Një ngjarje e vërtetë nga SHBA‑ja, në vitin 1844.
“Më lart, baba!” – thirri Meri.
Babai qeshi dhe i dha një tjetër shtytje të fortë kolovajzës. Kolovajza ishte e lidhur te një pemë e madhe që përkulej mbi lumin Misisipi. Merit i pëlqente flladi në fytyrë dhe gudulisja në bark ndërsa lëkundej para e mbrapa mbi ujë.
“Pastaj është radha ime!” – tha Elizabeta.
Meri u hodh nga kolovajza që t’ia linte radhën së motrës.
Familja e Merit jetonte në Navu. Prindërit e saj ishin bashkuar me Kishën disa vjet më parë dhe shitën gjithçka që kishin, për t’u shpërngulur atje që t’u bashkoheshin shenjtorëve të tjerë.
Navuja ishte një vend shumë i populluar. Çdo ditë vinin njerëz të rinj. Ndërtimi i një qyteti të ri kërkonte punë të madhe, madje edhe fëmijët ndihmonin. Dhënia e ndihmës e bënte Merin të ndihej e rritur dhe e rëndësishme. Ndonjëherë ajo ndihmonte duke i çuar drekën babait të saj ndërkohë që ai punonte në tempullin e ri.
Të dielën, Meri veshi fustanin e saj më të mirë dhe i ndihmoi vëllezërit dhe motrat e saj të përgatiteshin për kishë. Të gjithë u mblodhën poshtë pemëve për ta dëgjuar Profetin Jozef Smith të jepte mësim rreth Jezu Krishtit. Merit i pëlqente të mësonte se si mund të jetonin përsëri me Atin Qiellor një ditë. Profeti kishte parë dhe dëgjuar kaq shumë gjëra të mrekullueshme.
Megjithatë, njerëz të tjerë nuk e pëlqenin Profetin. Meri kishte dëgjuar histori rreth njerëzve që donin ta lëndonin atë.
Një natë vere, Meri po e ndihmonte nënën për pastrimin pas vaktit të darkës. Më pas babai erdhi në shtëpi. Në sy kishte lot.
“Çfarë ndodhi?” – pyeti nëna.
“Profetin Jozef e kanë vrarë”, – tha babai.
Edhe nëna filloi të qajë. “Si mund të vazhdojë Kisha pa të?” – pyeti ajo.
Meri ndihej shumë e trishtuar dhe e frikësuar. Ajo e dinte që Profeti ishte shërbëtori i zgjedhur i Perëndisë. Si mundi ta lejonte Ati Qiellor që të ndodhte kjo?
Ajo filloi të qante dhe doli me vrap nga shtëpia për në kopsht. Pasi ra në gjunjë pranë disa shkurreve, Meri filloi të lutej. “O, Atë Qiellor, çfarë do të bëjmë? Profetin tonë e kanë vrarë.” Lotët i rridhnin nëpër faqe.
Më pas, një zë i butë erdhi në mendjen e Merit. Do të ngre një profet tjetër për të udhëhequr popullin tim.
Një ndjenjë e paqtë, plot gëzim ia mbushi zemrën. I fshiu lotët dhe u kthye duke vrapuar në shtëpi aq shpejt sa mundi.
“Nënë! Baba!” – tha Meri. “Bëra një lutje dhe Ati Qiellor m’u përgjigj.” Ajo u tregoi atyre për zërin dhe ndjenjën plot paqe që ndjeu.
Teksa nëna dhe babai e përqafuan, Meri e dinte se gjërat do të shkonin mirë. Ajo ishte ende e trishtuar dhe e dinte se i prisnin kohë të vështira. Por Ati Qiellor do të vazhdonte t’i udhëhiqte dhe t’i ndihmonte ata.
Ilustrimet nga Kristin Sorra