“Një Vizitë te Gjyshi Mbret”, Miku, nëntor 2025, f. 20–21.
Një Vizitë te Gjyshi Mbret
Gjyshi i tregoi Giftit historitë e paraardhësve të saj.
Një ngjarje e vërtetë nga Nigeria.
Gifti u përkul nga buza e varkës dhe vështronte me habi ndërsa uji përplasej në anët e saj. E zgjati dorën poshtë drejt valëve, teksa spërkat ia gudulisnin krahët butësisht. Ky ishte udhëtimi i saj i parapëlqyer. Ajo dhe familja e saj ishin rrugës për në fshatin e gjyshit dhe, nga momenti në moment, ajo po i afrohej një bote më të egër dhe të lirë sesa qyteti që po linte pas.
Në qytet, Gifti nuk binte në sy. Ajo ishte një ndër miliona njerëz. Ndonjëherë kjo gjë i jepte një ndjesi të mirë, të ishte thjesht vetvetja, ku askush nuk shqetësohej shumë për atë që ajo zgjidhte të vishte apo të bënte. Por në fshatin e gjyshit të saj, ishte ndryshe. Atje, Gifti ishte unike. Ajo ishte një princeshë, mbesa e një mbreti të urtë.
Pas dy orësh, varka u ankorua. Pjesa më e gjatë e udhëtimit ishte ende përpara: gjashtë orë me autobus. Ajo e dinte se do të ishte e lodhur, por së shpejti do të ishte përsëri me gjyshin e saj. Prandaj, e gjitha kjo ia vlente.
Ishte një rrugë me gropa. Gifti u përpoq ta kalonte kohën duke vështruar format e reve që shihte jashtë dritares dhe duke vëzhguar tokën e bukur pamja e së cilës turbullohej prej shpejtësisë. Dielli kishte filluar të perëndonte kur autobusi gradualisht ndaloi. Më në fund! Gjyshi! Gifti doli me hov nga autobusi dhe vrapoi drejt shtëpisë së fshatit.
Kontrolloi brenda saj për gjyshin. Kontrolloi në oborrin e brendshëm, ku nëna e saj kishte mbajtur dhi kur ishte fëmijë. Kontrolloi në dhomat e gjumit, ku natën i ishte dashur të mbyllte dritaret që të mos futeshin mushkonjat. Kontrolloi oborrin pas shtëpisë, ku ajo kishte veshur rrobat e mbretërisë – shalle të shndritshme dhe një kurorë prej letre – për të marrë pjesë në këshillin e fshatit.
Atje, Gifti pa gjyshin të ulur paqësisht në një stol, me pamje nga kopshti i familjes. Gifti buzëqeshi.
“Gjyshi!” – thirri ajo.
Gjyshi u ngrit dhe i hapi shumë krahët e tij. “Vajza ime e dashur”, – pëshpëriti ai ndërsa e mbërtheu me një përqafim të ngrohtë. “Ulu dhe çlodhu me mua.”
“Më ka marrë malli”, – tha Gifti.
“Mua më ka marrë më shumë malli. Jam i lumtur që je këtu.” Gjyshi ndaloi për një çast dhe pastaj e pyeti: “A e di ti sa i veçantë është ky kopsht?”
Gifti tundi kokën.
Gjyshi tregoi me gisht nga pema që ishte përpara tyre. “Kjo është pema familjare”, – tha ai. Gifti vuri re se ajo dukej e vjetër dhe e fortë.
“Pllakat në tokë rreth e rrotull pemës kanë emrat e paraardhësve tanë. Duhet ta kujtojmë gjithmonë familjen tonë.”
Gifti nuk i njihte shumë nga emrat që ishin te pllakat. Si mund ta mbante mend dikë që nuk e njihte? “Më trego për ta, gjysh”, – tha Gifti.
Gjyshi i lexoi emrat një nga një dhe i tregoi Giftit historitë e paraardhësve të saj. Ndërsa ai fliste, Gifti e kuptoi se në disa mënyra, ato ishin edhe historitë e saj. Ajo kishte shumë të përbashkëta me këta pjesëtarë të familjes që nuk i kishte takuar kurrë.
Në atë çast, Gifti kuptoi diçka të rëndësishme. Nuk ishin vetëm valët dhe toka që e bënin të ndihej e lirë këtu. Ishte një lidhje me familjen e saj që e ndiente në këtë fshat me gjyshin.
Gjyshi i tregoi histori derisa yjet hovën në qiell.
Më në fund, gjyshi psherëtiu. “Më mirë të hyjmë brenda.”
“Edhe vetëm një çast”, – tha Gifti.
Gifti eci drejt pemës dhe ia preku butësisht lëvoren. Pastaj, pa pllakat në tokë, duke kujtuar historinë e secilit paraardhës. Një ditë, ajo do të vizitonte tempullin dhe do të kryente ordinanca të shenjta për ta. Falë tyre, ajo ishte këtu tani. Ajo do të bënte pjesën e saj për t’ua kthyer dhuratën e jetës që ata i kishin dhënë.
Gjyshi e zgjati dorën drejt dorës së Giftit dhe ajo e kapi atë. Duke parë edhe një herë nga pema familjare, Gifti u fut brenda, ku më shumë pjesëtarë të familjes po prisnin për ta përshëndetur.
Ilustrimi nga Audrey Day