2025
Qoftja e Fundit
Nëntor 2025 Miku


“Qoftja e Fundit”, Miku, nëntor 2025, f. 18–19.

Qoftja e Fundit

Aspak e drejtë! Asnjë njeri nuk po i jepte gjë Aleksit!

Një ngjarje e vërtetë nga SHBA‑ja.

Tre djem duke parë njëri‑tjetrin me inat dhe një qofte mbi një pirun

Aleksi zbriti shkallët duke i përplasur këmbët dhe lëshoi një psherëtimë të fortë.

Mami ngriti vështrimin nga libri i saj. “Çfarë ke?”

“Askush nuk më jep gjë mua!” – tha Aleksi. “E urrej që jam fëmija i mesit.” Vëllezërit e Aleksit merrnin gjithmonë atë që donin. Thjesht nuk ishte e drejtë.

“Jam e sigurt që po t’i kërkoje me mirësjellje, vëllezërit do të t’i jepnin”, – tha mami.

Aleksi u vrenjt. “Me mirësjellje e kërkova!”

“Po sikur të provoni të vini një kohëmatës? Në këtë mënyrë secili prej jush do të ketë të njëjtën sasi kohe për të luajtur.”

“E vura kohëmatësin!” – tha Aleksi. “Por ndoshta do të vendos dy kohëmatës për të qenë super i sigurt.” Ai e mori kohëmatësin tjetër nga banaku i kuzhinës dhe i ngjiti shkallët plot vendosmëri. Vëllai i tij më i vogël, Dejvidi, po luante një lojë në televizor.

“Mami thotë se duhet të japësh nga gjërat e tua”, – tha Aleksi. Ai e vendosi kohëmatësin për pesë minuta. “Kur të bjerë zilja, është radha ime.”

Të nesërmen, kur Aleksi dhe vëllai i tij më i madh, Xhejku, donin që të dy të luanin një lojë, ata vendosën një kohëmatës për saktësisht 30 minuta secili. Kur Dejvidi dhe Xhejku po luanin që të dy me blloqe, ata numëruan saktësisht të njëjtin numër për secilin person. Dhe, kur Dejvidi dhe Aleksi donin të dy biskotën e fundit me copa çokollate, ata plot kujdes e ndanë atë saktësisht në gjysmë. Gjërat më në fund po fillonin të dukeshin të drejta.

Por pastaj erdhi darka …

Atë natë, ata do të hanin makarona spageti dhe qofte! Xhejku filloi të mbushte pjatën me makarona madje përpara se Aleksi të kapte lugën.

“Ej, aspak e drejtë”, – tha Aleksi. “Edhe unë kam uri!”

Babi ia vuri dorën në shpatull. “Aleks, ka ushqim me bollëk për të gjithë. Shiko, unë do të të jap të njëjtën sasi që ka Xhejku.” Babi vendosi ca makarona më shumë në pjatën e Aleksit.

Pasi e bekuan ushqimin, të gjithë filluan të hanin. Kur Aleksi e mbaroi ushqimin e vet, ai prapë ishte i uritur. Pa me bisht të syrit nga tenxherja në mes të tavolinës. Kishte ngelur një qofte e fundit në majë të pirgut të makaronave. E mori me lugë në pjatën e tij.

“Aspak e drejtë!” – tha Dejvidi. “Ajo është e fundit.”

Xhejku e drejtoi pirunin e tij nga qoftja. “Dua edhe unë pak. Le ta ndajmë.”

“Ta ndajmë?” – tha Aleksi. “Për të tre ne? Po është shumë e vogël.”

Xhejku dhe Dejvidi pohuan me kokë. “Kjo do të ishte e drejtë!”

Xhejku e mori pjatën e Aleksit dhe filloi ta ndante me kujdes qoften në tri pjesë. Aleksi pa si qoftja u bë gjithnjë e më e vogël.

Mami qeshi. “Ato janë copa tepër të vogla!”

Edhe babi qeshi. “Nuk është e thënë që çdo mënyrë të jetë gjithmonë saktësisht e drejtë”, – tha ai. “Ndoshta mund të përpiqemi të jemi më të mirë kur vjen puna tek të dhënit nga gjërat tona, në vend që t’i ndajmë që të gjitha.”

Aleksi e uli vështrimin te copat e vogla të qofteve. Ishte paksa qesharake. A i interesonte vërtet kaq shumë një qofte? Ndoshta ai vërtet kishte nevojë të mësonte që të jepte më shumë nga gjërat e veta.

Të nesërmen, kur Xhejku dhe Aleksi që të dy donin të luanin me blloqe, ata vendosën të ndërtonin diçka së bashku. Kur Dejvidi dhe Xhejku ishin jashtë, Aleksi i la që t’i jepnin biçikletës së tij me radhë. Dhe kur të gjithë donin të luanin një lojë në televizor, Aleksi nuk vendosi asnjë kohëmatës. Të dhënit nga gjërat e veta dhe të qenit i sjellshëm në fakt e bënë atë të ndihej më mirë sesa të ishte plotësisht i drejtë.

Atë natë, kur Xhejku dhe Aleksi gjatë darkës donin të dy paninen e fundit, Aleksi i tha Xhejkut se mund ta merrte të gjithën.

“Faleminderit!” – shkeli syrin Xhejku. “A je i sigurt se nuk do ta ndash në tresh?”

Dejvidi dhe Aleksi qeshën. “Absolutisht jo!”

Historia në formatin PDF

Ilustrimi nga Alyssa Petersen