“Për Shkak të Tempullit”, Miku, shtator 2025, f. 30–31.
Pionierë në Çdo Vend
Për Shkak të Tempullit
Një ngjarje e vërtetë nga Vanuatu.
“Erdhën misionarët!” – thirri Grahami. Ai ua bëri me dorë misionarëve teksa ata po ecnin drejt shtëpisë së tyre.
Mami, babi dhe vëllai më i madh i Grahamit, Nunuja, ishin pagëzuar vitin e kaluar. Grahami dhe vëllai i tij i vogël, Jobi, ishin ende shumë të vegjël për t’u pagëzuar. Por, prapë u pëlqente të mësonin nga misionarët.
“Sot, duam të flasim rreth tempullit”, – tha Plaku Hejll. “Është një ndërtesë e veçantë ku mund të bëni premtime me Perëndinë dhe të vuloseni me familjen tuaj. Kjo do të thotë që mund të jeni së bashku përgjithmonë.”
“Tempulli më i afërt është në Zelandën e Re.” Plaku Sing ngriti një figurë të një ndërtese të bukur, të bardhë. “Udhëtimi është i largët. Por bekimet do t’ia vlejnë.”
“Duam të shkojmë”, – tha mami.
Prindërit e Grahamit e planifikuan udhëtimin e tyre për në tempull me një familje tjetër nga kisha. Ato do të ishin dy familjet e para nga Vanuatu që do të hynin brenda në tempull!
Disa muaj më vonë, erdhi dita për t’u nisur në udhëtimin e tyre. Ishte hera e parë e Grahamit në një avion dhe ishte qejf. Ai vështroi jashtë retë dhe oqeanin poshtë tyre. Në mendje përfytyroi ndërtesën e lartë, të bardhë. Mezi priste ta shihte!
Sapo u ulën në tokë, ata hipën në autobus. Ishte një rrugë me gropa dhe Grahami ishte i lodhur. Por pothuajse mbërritën.
“Shikoni!” – tregoi me gisht Grahami jashtë dritares. Ja tek ishte! Ishte edhe më i bukur se në fotografi.
Brenda tempullit, ishte qetësi dhe paqe. Ata u veshën të gjithë me të bardha. Për njëfarë kohe, Grahami dhe vëllezërit e tij u ulën në dhomën e pritjes dhe vështruan piktura të Jezu Krishtit.
Pastaj, një punonjëse tempulli i çoi drejt dhomës së vulosjes. Prindërit e Grahamit ishin gjunjëzuar tek një altar i mbuluar me një cohë të butë. Sa të lumtur dukeshin!
Grahami dhe vëllezërit e tij u gjunjëzuan pranë mamit dhe babit. Ata vështruan pasqyrat e mëdha e të gjata te muret. Reflektimi i tyre nuk mbaronte.
“Pasqyrat janë për të na kujtuar se ju mund të jeni bashkë përgjithmonë”, – tha punonjësja e tempullit.
Grahami u ndje i lumtur dhe i sigurt. Ishte sikur Shpëtimtari po i jepte një përqafim të madh.
Shpejt erdhi koha për të shkuar në shtëpi. Në autobus dhe në avion, Grahami vazhdonte të mendonte për ndjesinë e veçantë që pati në tempull.
Disa ditë më vonë, erdhi një tufan i madh. Pemët e palmës dukeshin sikur do të thyheshin më dysh!
Grahami ishte i frikësuar: “A do të jemi mirë?”
“Po!” – tha babi. – “Por këto erëra janë të forta. Misionarët na thanë që të mblidhemi në ndërtesën e kishës derisa të kalojë stuhia.”
Grahami e ndihmoi mamanë të mbartte ca ushqim dhe batanije për në kishë. Era frynte shumë furishëm!
Brenda kishës, Grahami u ndje pak më mirë. Të gjithë miqtë e tyre të kishës ishin aty. Mirëpo, ende e dëgjonte erën të turfullonte.
“Po shtëpia jonë?” – pyeti Grahami.
“Na duhet të presim gjersa të kalojë stuhia për ta parë.” Mami e afroi pranë vetes duke e përqafuar. “Ajo që ka më shumë rëndësi, është që familja jonë është e sigurt. A e mban mend se si u ndjeve në tempull?”
Grahami tundi kokën. “Ndjeva ngrohtësi dhe siguri.”
Babi buzëqeshi. “Dhe për shkak të Jezu Krishtit dhe vulosjes sonë në tempull, ne mund të jemi bashkë përgjithmonë.”
Grahami mendoi për ndjenjën e ngrohtësisë dhe paqes që ndjeu në tempull. Babi kishte të drejtë. Për shkak të Jezu Krishtit dhe besëlidhjeve të tempullit, ata mund të ishin përgjithmonë një familje. Dhe, për shkak se ai e dinte atë, çdo gjë në fakt do të shkonte mirë.
Ilustrimet nga Eduardo Marticorena