“Këmisha e Pagëzimit të Harvit”, Miku, shtator 2025, f. 36–37.
Këmisha e Pagëzimit të Harvit
Harvi nuk mund ta gjente askund këmishën e tij të bardhë!
Një ngjarje e vërtetë nga Indonezia.
Harvi u ngjesh mbrapa në taksi me Ibu‑n (mamin) dhe Bapak‑un (babin). Ata ishin rrugës për në kishë për pagëzimin e Harvit.
“Bapak, si u ndjeve kur u pagëzove?” – e pyeti Harvi. Bapak‑u ishte pagëzuar para disa muajsh. Tani që Harvi mbushi tetë vjeç, do të pagëzohej edhe ai!
Bapak‑u u mendua për një çast. “Uji ishte shumë i ftohtë!”, – tha ai duke qeshur. “Por ndjeva edhe shumë dashuri. Ndonëse shumica e familjes sonë nuk janë anëtarë të kishës sonë, e ndjeva dashurinë e tyre dhe dashurinë e Perëndisë.”
Kur mbërritën te ndërtesa e kishës, disa njerëz të tjerë nga kisha i ndihmuan ata ta mbushnin vaskën me ujë dhe të bëheshin gati.
“Harvi, erdhi koha të veshësh rrobat e tua të pagëzimit”, – tha Ibu‑ja. Harvi pohoi me kokë dhe gjeti çantën me rrobat e tij. Mirëpo, në çantë ishin vetëm pantallonat e bardha. Nuk mund të gjente dot këmishën e tij të bardhë! Ai kontrolloi çantat e tjera dhe kërkoi qark kishës.
“Ibu, nuk e kam këtu këmishën”, – tha Harvi.
Ibu‑ja u vrenjt. Ajo kontrolloi në disa çanta gjithashtu. “Duhet ta kemi lënë në taksi.”
“Kemi disa rroba pagëzimi rezervë në dollap”, – tha Motra Putri. “Po shkoj t’i marr.”
Mirëpo, në dollap kishte veç rroba pagëzimi që ishin tepër të mëdha për Harvin. Ibu‑ja dukej e shqetësuar. Pagëzimi do të fillonte së shpejti. Tashmë kishin ardhur shumë njerëz dhe Harvi nuk e kishte këmishën e tij.
“Mbase mund të bëjmë një lutje që shoferi i taksisë të na e sjellë mbrapsht këmishën”, – tha Harvi. “Por, po nuk e solli, thjesht mund të vesh një këmishë që është tepër e madhe. Nuk ka rëndësi për mua se çfarë vesh. Dua thjesht të pagëzohem.”
Ibu‑ja dhe Bapak‑u pohuan me kokë. Së bashku ata shkuan në kuzhinë, ku ishte qetësi. Pastaj, mblodhën krahët dhe ulën kokat.
Harvi bëri lutjen. “Atë i dashur Qiellor, të falënderoj që mund të pagëzohem sot. Të lutem ndihmoje shoferin e taksisë që të ma sjellë mbrapsht këmishën. Por edhe po nuk e solli, nuk ka problem.”
Pas lutjes së tyre, Harvi shkoi të ndërrohej dhe të vishte këmishën që i rrinte shumë e madhe. Ajo i shkonte deri te gjunjët.
“Harvi!” – thirri Motra Putri nga korridori. “Ka ardhur shoferi i taksisë.”
Harvi dhe Ibu‑ja e gjetën shoferin e taksisë te dera kryesore. Ai po mbante këmishën e Harvit!
“Hodha një sy mbrapa dhe e pashë te ndenjësja”, – tha ai. “Mendova se mund t’ju përkiste juve.”
“Shumë, shumë faleminderit”, – tha Ibuja.
Harvi ia mori burrit këmishën. “Faleminderit.”
Burri buzëqeshi dhe ia bëri mirupafshim me dorë.
Shpejt, erdhi koha që të fillonte pagëzimi. Harvi u ndërrua e veshi këmishën e tij. I rrinte për bukuri! Ishte e bardhë dhe e pastër.
Kur Harvi hyri në vaskë, uji ishte i ftohtë akull! Bapak‑u bëri lutjen dhe e pagëzoi Harvin. Kur doli nga uji, ai u ndje i freskët dhe i qetë brenda vetes.
Bapak‑u e ndihmoi Harvin të dilte nga vaska dhe e mbështolli me një peshqir të butë mbi supe. Harvi mendoi për gjithë njerëzit që e ndihmuan dhe e përkrahën atë: Ibu‑në, Bapak‑un, shoferin e taksisë dhe familjen e tij, si dhe Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Harvi i dha Bapak‑ut një përqafim. “Ke të drejtë. Uji ishte i ftohtë!” Që të dy qeshën. Pastaj Harvi e pa Bapak‑un në sy. “Mirëpo, ti kishe të drejtë edhe për diçka tjetër. Ndiej shumë dashuri.”
Ilustrimet nga Bethany Stancliffe