2025
5 Gjëra për t’i Mbajtur Mend rreth Sigurisë për Trupin
Shtator 2025


“5 Gjëra për t’i Mbajtur Mend rreth Sigurisë për Trupin”, Miku, shtator 2025, f. 38–39.

5 Gjëra për t’i Mbajtur Mend rreth Sigurisë për Trupin

Trupi yt është një dhuratë nga Ati Qiellor. Ai dëshiron të të ndihmojë që ti të jesh i/e sigurt dhe i/e lumtur. Nëse dikush përpiqet të të lëndojë me fjalë ose të të dëmtojë me veprime, kjo nuk është gjë e mirë! Ne duhet të jemi të sjellshëm dhe të respektueshëm ndaj të tjerëve dhe duhet të presim që edhe ata të jenë të sjellshëm dhe të respektueshëm ndaj nesh.

  1. Është në rregull të thuash “jo”, edhe ndaj një të rrituri. Je ti përgjegjës/e për trupin tënd. Kjo do të thotë që e vendos ti nëse dikush mund të të prekë, të të përqafojë apo të të puthë. Mund të ushtrohesh që të thuash “Jo”, “Mos më prek” dhe “Më lër të qetë”. Nëse të prekin ose të kërkojnë të bësh diçka që të vë në siklet, është në rregull të thuash “jo” dhe të largohesh nëse mundesh.

  2. Mëso se cilat prekje janë të padëmshme dhe cilat të dëmshme. Një prekje e padëmshme të ndihmon të ndiesh se dikush të do (si një përqafim ose një qepalla), ose të ndihmon që të qëndrosh i/e pastër dhe i/e shëndetshëm/me (si p.sh. një prind që të ndihmon të lahesh, ose një mjek që të ndihmon kur je sëmurë). Ndonjëherë një prekje e padëmshme mund të të dhembë, si për shembull kur bën një gjilpërë, mirëpo është diçka e padëmshme sepse të mban të shëndetshëm. Një prekje e dëmshme të lëndon trupin ose ndjenjat, si goditjet, e shtyra ose prekjet në pjesët private të trupit të dikujt. Këto prekje të dhembshme ose të sikletshme nuk janë gjë e mirë.

  3. Ka pjesë të trupit tënd që janë private, ku një person tjetër nuk duhet të të prekë. Pjesët private përfshijnë pjesët e trupit që i mbulojmë me rrobat e banjës. Nuk është gjë e mirë që të tjerët të të prekin në pjesët e tua private të trupit (qoftë poshtë, apo sipër rrobave) ose që të të kërkojnë që të prekësh ti pjesët e tyre private të trupit. Nëse kjo të ndodh, fol me një të rritur të mirëbesuar menjëherë sapo të mundesh.

  4. Mbaj mend ndryshimin ndërmjet sekreteve dhe surprizave. Surpriza është diçka e gëzueshme që është argëtuese për çdo njeri, e tillë si një dhuratë për ditëlindje. Një sekret është kur dikush të thotë të mos i tregosh askujt. Nëse të kërkojnë që të mbash një sekret rreth dikujt që të prek ose të lëndon, duhet t’ia thuash menjëherë dikujt që i mirëbeson. Vazhdo t’ua tregosh të rriturve të mirëbesuar derisa dikush të të ndihmojë që të jesh jashtë rrezikut.

  5. Nëse dikush të prek ose të lëndon, nuk është faji yt. Një njeri që të ka lënduar, mund të përpiqet që të të bëjë ty ose të tjerët të besojnë se ti ke bërë diçka gabim, por nuk e ke bërë ti. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të njohin dhe të duan në mënyrë të përsosur. Kërkoji ndihmë një të rrituri të mirëbesuar dhe mbaj mend që ti mund t’i lutesh gjithmonë edhe Atit Qiellor për ndihmë.

Faqe në PDF

Ilustrimet nga Mike Mullan