2025
Tepër e Zemëruar për t’u Lutur
Janar 2025


“Tepër e Zemëruar për t’u Lutur”, Miku, janar 2025, f. 40–41.

Tepër e Zemëruar për t’u Lutur

Gabriela mori disa herë frymë thellë. Çfarë mund të bënte për t’u qetësuar?

Një ngjarje e vërtetë nga Gjermania.

“Askush nuk më kupton!” – bërtiti Gabriela ndërsa përplasi derën e dhomës së saj të gjumit. Sot ishte një ditë e vështirë. Dikush në shkollë e kishte tallur. Kur Gabriela erdhi në shtëpi, ajo ishte e inatosur dhe u fut në telashe me mamin.

Gabriela ra në shtrat dhe filloi të qajë. Lotët i rrodhën nëpër faqe dhe ndjeu shtrëngim në kraharor nga zemërimi. Asaj nuk i pëlqente të ndihej kështu.

Iu kujtua se në Fillore kishte mësuar se mund t’i lutej Atit Qiellor sa herë që kishte nevojë për ndihmë. Donte të bënte një lutje për ta ndihmuar të ndihej më mirë, por ishte tepër e mërzitur për t’u përqendruar. I mbylli sytë dhe mori frymë thellë. Çfarë mund të bënte për t’u qetësuar?

Pas disa sekondash, i erdhi një mendim në kokë.

Mendo për gjërat për të cilat je mirënjohëse.

I hapi sytë dhe vështroi përreth dhomës së saj. Në mur kishte një fotografi të mamit dhe babit. Gabriela e donte familjen e saj, edhe kur ishte e acaruar me ta.

“Jam mirënjohëse për prindërit e mi”, – tha ajo.

Pastaj mendoi për kushërinjtë e saj: Guendolin, Lidiën dhe Tomasin. Ata gjithmonë ia jepnin lodrat e tyre dhe e bënin të qeshte. Asaj i pëlqente shumë të luante me ta.

“Jam mirënjohëse për kushërinjtë e mi”, – tha Gabriela.

Pastaj vështroi nga dritarja.

Dielli po perëndonte dhe qielli ishte i mbushur me ngjyra të bukura: portokalli, të kuqe, të verdhë dhe rozë.

“Jam mirënjohëse për perëndimet e diellit”, – tha Gabriela.

Pastaj mendoi për më shumë gjëra. Ajo ishte mirënjohëse për drekën që hëngri sot në shkollë. Ishte mirënjohëse për miqtë e saj. Ishte mirënjohëse për apartamentin ku jetonte.

Ishte argëtuese të mendonte për gjërat për të cilat ishte mirënjohëse! Gabriela nuk e kishte kuptuar kurrë se sa gjëra të mira kishte në jetën e vet.

Ajo e dinte se Fryma e Shenjtë i kishte dhënë idenë të mendonte për bekimet e saj. Zemra e saj ishte plot paqe tani. U ndje gati për t’u lutur.

“Atë i Dashur Qiellor”, – tha ajo. “Më vjen keq që u zemërova me mamin. Faleminderit që më ndihmove të ndihem sërish e qetë dhe e lumtur. Të faleminderit që e dërgove Frymën e Shenjtë për të më kujtuar bekimet e mia. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.”

Ajo doli nga dhoma. Mami dhe babi ishin në kuzhinë duke përgatitur darkën. Ajo e përqafoi mamin.

“Më vjen keq që u zemërova me ty”, – tha Gabriela.

“Nuk ka problem”, – tha mami. “Faleminderit që kërkove falje.”

Ata u ulën rreth tryezës së darkës dhe e bekuan ushqimin. Pastaj Gabrielës i erdhi një ide.

“Le ta bëjmë me radhë dhe secili të thotë diçka për të cilën është mirënjohës”, – tha ajo.

Babi buzëqeshi. “Kjo është një ide e mirë!”

“Jam mirënjohëse për sapunin”, – tha mami.

Babi u mendua për një sekondë.

“Për picën”, – tha ai. Të gjithë qeshën.

Më pas ishte radha e Gabrielës. Ajo tashmë e dinte se çfarë donte të thoshte.

“Jam mirënjohëse për lutjen.”

Historia në formatin PDF

Ilustrimet nga Simini Blocker