“Syzet e Humbura”, Miku, janar 2025, f. 44–45.
Syzet e Humbura
Një ngjarje e vërtetë nga Bolivia.
Ishte dita e parë e shkollës. Sa i emocionuar ishte Andresi! Tani ishte në klasën e parë. Ai ishte një fëmijë i rritur!
Por kur mbërriti në shkollë, ajo dukej shumë e madhe dhe e frikshme, madje edhe për një fëmijë të rritur. Ai ia shtrëngoi fort dorën mamit.
“Gjithçka do të shkojë mirë.” Mami buzëqeshi. “Përshëndete mësuesen tënde. Sillu mirë me shokët dhe shoqet e klasës. Dhe mos harro të kujdesesh për syzet e tua.”
Një javë më parë, Andresi mori syzet e tij të para. Prindërit e kujtonin gjithmonë që të kujdesej për to.
Mami e përshëndeti me dorë dhe i tha mirupafshim. “Paç një ditë të bukur!”
Por Andresi nuk kaloi një ditë të bukur. Diçka e tmerrshme ndodhi!
Ai vrapoi te mami pas shkollës. “Më humbën syzet!” – tha ai duke qarë. “Pashë kudo, por nuk mund t’i gjej!”
“Oh, jo!” Mami u duk e shqetësuar. “Le t’i kërkojmë ndihmë Atit Qiellor.”
“A mendon se do të funksionojë?” – pyeti ai.
“Le ta provojmë dhe të shohim. Ati Qiellor i dëgjon gjithmonë lutjet tona”, – tha mami.
Andresi dhe mami bënë një lutje. Ata i kërkuan Atit Qiellor që ta ndihmonte Andresin t’i gjente syzet.
Të nesërmen në shkollë, Andresi ishte ende i mërzitur. Pastaj një djalë iu afrua.
“Mendoj se këto janë të tuat.” Djali i zgjati një palë syze. “I gjeta pranë fushës së futbollit.”
Andresi i mori syzet. Ishin të tijat! Nuk mund ta besonte.
Pas shkollës, ai vrapoi te mami dhe e përqafoi fort.
“I gjete syzet e tua!” – tha ajo. “Duhet të jesh shumë i lumtur që i ke.”
“Jam!” – tha Andresi. “Por jam më i lumtur për shkak të asaj që mësova.”
“Dhe çfarë mësove?”
Andresi buzëqeshi fort. “Lutja vërtet funksionon!”
Ilustrimet nga Susanna Teodoro