2025
Kampi i Ditëve me Shi
Janar 2025


“Kampi i Ditëve me Shi”, Miku, janar 2025, f. 16–17.

Kampi i Ditëve me Shi

Pse Ati Qiellor nuk iu përgjigj lutjeve të saj?

Një ngjarje e vërtetë nga SHBA‑ja.

“Nesër kam ndeshjen, apo jo?” – e pyeti Lusi mamin kur e futi në shtrat.

Mami tundi kokën. “Po! Nesër mbrëma në orën 18:00.”

Lusi mezi e priste. Ajo e kishte pritur me padurim për javë të tëra ndeshjen e parë të softballit të ekipit të saj. Dhe këtë vit fanellat e tyre ishin ngjyrë rozë! Ishte aq e emocionuar sa ishte e vështirë të binte në gjumë.

Por të nesërmen në mëngjes, Lusi pa nga dritarja dhe u vrenjt. Re të zymta gri vareshin nga qielli dhe pellgjet ishin kudo. Kishte rënë shi gjithë natën.

U gjunjëzua për të bërë lutjen e saj të mëngjesit. “I dashur Atë Qiellor, të lutem, ndihmo që moti të jetë i mirë për ndeshjen time të softballit sonte.”

Gjatë gjithë ditës në shkollë, Lusi mendoi për ndeshjen. E përfytyronte veten të veshur me fanellën e saj të re ngjyrë rozë, duke u ngritur lart për të bërë një kapje që do u jepte fitoren. Por jashtë, binte ende shi dhe ishte lagështirë.

Lusi bëri një lutje të shpejtë në mendjen e saj. Atë Qiellor, të lutem ndihmoje diellin të dalë së shpejti që të mund të luajmë sonte.

Kur ra zilja e shkollës, Lusi e kapi çantën e shpinës dhe vrapoi jashtë. Ajo mund ta shihte diellin që po fillonte të dilte nga prapa reve!

Por kur erdhi mami për ta marrë, ajo kishte një lajm të keq. “Ndeshja për sonte është anuluar”, – tha ajo. “Më vjen keq.”

Lusi hodhi sytë nga qielli. “Megjithatë, dielli po del. Ndoshta shiu do të ndalojë.”

“E di”, – tha mami. “Por fusha e softballit është përmbytur nga i gjithë ai ujë. Pra, edhe nëse shiu pushon, ka shumë ujë dhe baltë për të luajtur. Ndeshja do të lihet për një herë tjetër.”

Lusit iu mbushën sytë me lot. Ishte tepër e zhgënjyer. Ajo vërtet, vërtet donte të luante sonte. Pse Ati Qiellor nuk iu përgjigj lutjeve të saj?

Vajzë duke parë nga dritarja retë gri dhe shiun

Në shtëpi, Lusi ndihej po aq gri dhe e mërzitur si retë e shiut. Nuk kishte dëshirë ta lexonte librin e saj të parapëlqyer. Megjithëse mami i bëri makaronat e saj të parapëlqyera për darkë, ato nuk i shijuan.

Pas darkës, motra më e vogël e Lusit, Elli, u kap pas prehrit të saj. “Do luash me mua?” – pyeti ajo.

Lusi psherëtiu. “Patjetër”, – tha ajo. Pastaj i erdhi një ide. “Nevojitet të bëjmë diçka argëtuese.”

Kapi një fshesë dhe lidhi një shall në fund të saj për ta bërë si flamur. Pastaj mblodhi të gjitha motrat e saj. E ngriti lart flamurin dhe tha: “Mirë se erdhët në kampin e ditëve me shi! Është vendi ku shkohet për t’u argëtuar kur nuk mund të luani jashtë.”

Motrat e saj brohoritën.

“Fillimisht”, – tha Lusi, “do të këndojmë këngën tonë të kampit.”

Vajzat qeshnin teksa trillonin këngë qesharake dhe fjalë që rimonin. Më pas ato marshuan nëpër dhomë me flamurin e tyre, duke kënduar sa më fort të mundeshin.

“Tani duhet të ngremë çadrën tonë!” Lusi i ndihmoi motrat e saj të mblidhnin batanije dhe jastëkë për të bërë një fortesë. Ajo u rrëzua disa herë. Por kur e rregulluan, të gjitha u grumbulluan brenda në fortesë për të luajtur lojëra.

Vajza të ulura në një fortesë të bërë me batanije dhe jastëkë

Shpejt erdhi koha për të shkuar në shtrat. “Shpresoj të bjerë shi përsëri nesër”, – tha motra e Lusit, Liza. “Dua të luaj përsëri në kampin e ditëve me shi!”

“Faleminderit që luajte me motrat e tua”, – tha mami ndërsa e përqafoi Lusin përpara se të flinte. “Ti krijove rrezet e tua të diellit nga një situatë me re. Jam krenare për ty.”

Lusi u ndje e lumtur ndërsa u ngjit për në shtrat. Lutjet e saj nuk morën përgjigje ashtu siç donte ajo. Por Ati Qiellor prapë e kishte ndihmuar të gjente diçka argëtuese për të bërë me familjen e saj – dhe kjo ishte po aq argëtuese sa të vishte ngjyrën rozë në ndeshjen e saj të parë të softballit.

Historia në formatin PDF

Ilustrimet nga Apryl Stott