2025
Shkrimet e Shenjta në Suahilisht
Janar 2025


“Shkrimet e Shenjta në Suahilisht”, Miku, janar 2025, f. 36–37.

Shkrimet e Shenjta në Suahilisht

Sa do të doja të mund të bëja diçka për të ndihmuar”, – mendoi Jaredi.

Një ngjarje e vërtetë nga Australia.

Jaredi hyri në Shkollën e së Dielës dhe u ul me shokët dhe shoqet e klasës. Vuri re se hyri një djalë që nuk e njihte dhe u ul disa karrige më tutje.

Mësuesi i Jaredit, vëllai Traxhen, u buzëqeshi nxënësve. “Ky është Emanueli”, – tha ai. “Ai dhe familja e tij sapo ishin zhvendosur në Australi. Kjo është e diela e parë në lagjen tonë!”

Jaredi mendoi se duhej të ishte e vështirë të shkoje në një lagje të re. Ai do të përpiqej të bëhej shok me Emanuelin.

Vëllai Traxhen nxori shkrimet e shenjta. “Le të shkojmë tek 3 Nefi”, – tha ai.

Jaredi i hapi shkrimet e shenjta dhe pa nga Emanueli. Ai nuk i kishte shkrimet e shenjta.

Jaredi i buzëqeshi fort dhe u anua drejt tij. “Ç’kemi, unë jam Jaredi”, – tha ai. “A do të doje t’i mbanim bashkë shkrimet e shenjta?”

Emanueli ia ktheu buzëqeshjen. “Eë, unë nuk di shumë anglisht”, – tha ai. “Më vjen keq.”

“Çfarë gjuhe flet?”

“Suahilisht.”

Jaredi nuk dinte asgjë në suahilisht. Ai dhe Emanueli nuk folën shumë gjatë pjesës së mbetur të orës mësimore.

Atë mbrëmje në darkë, Jaredi i tregoi familjes së vet për Emanuelin.

“Duket shumë i mirë”, – tha Jaredi. “Por nuk mund ta kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin.”

Mami tundi kokën. “Emanueli dhe familja e tij po kalojnë shumë vështirësi tani”, – tha ajo. “Atyre iu desh të largoheshin nga vendi i tyre krejt papritur sepse gjëra të këqija po ndodhnin atje. Lanë gjithçka pas”.

Jaredi rrudhi vetullat. Si do të ishte të largoheshe nga shtëpia nesër dhe të zhvendosesh në një vend krejtësisht të ri? Do të ishte shumë e vështirë!

Sa do të doja të mund të bëja diçka për ta ndihmuar Emanuelin”, – mendoi ai. Por çfarë?

Jaredit nuk i hiqej nga mendja Emanueli ndërsa bëhej gati për të fjetur. U ul në tryezën e tij me Librin e tij të Mormonit dhe lexoi disa vargje. Leximi i shkrimeve të shenjta e bënte gjithmonë të ndihej më mirë. Sonte, ato gjithashtu i kujtuan atij se Emanueli nuk kishte fare shkrime të shenjta për të lexuar. Jaredi i mbylli shkrimet e shenjta dhe ia nguli sytë kapakut. Pastaj u hodh nga karrigia dhe doli me nxitim në korridor.

“Mami!” – thirri ai. “Mendoj se e di si ta ndihmoj Emanuelin!”

Të dielën vijuese, Jaredi mezi priste ta shihte Emanuelin. U ul me dhjakët e tjerë në pjesën e përparme të kishës dhe priti me një Libër të ri të Mormonit në prehrin e tij. Misionarët e kishin ndihmuar ta merrte këtë kopje të veçantë pikërisht për Emanuelin.

Kur Emanueli hyri në kishë me familjen e vet, Jaredi i buzëqeshi dhe ia bëri me dorë. Emanueli dukej i pështjelluar ndërsa u ul pranë Jaredit. Por u habit kur Jaredi i dha Librin e Mormonit.

Duar duke shkëmbyer një Libër të Mormonit në suahilisht

“Për mua?” – pyeti Emanueli.

Jaredi tundi kokën.

Sytë e Emanuelit shndritën. Ai i kaloi faqet e Librit të tij të ri të Mormonit. “Suahilisht”, – tha ai. Ai i buzëqeshi Jaredit dhe e mbajti fort librin në kraharorin e tij. “Faleminderit!”

Zemra e Jaredit ndjeu ngrohtësi teksa ia kthehu buzëqeshjen. Ai e dinte se nuk mund t’i zgjidhte të gjitha problemet e Emanuelit dhe ata ende nuk mund të flisnin shumë mirë me njëri-tjetrin. Por nuk kishte problem. Ata nuk duhej të flisnin të njëjtën gjuhë për të qenë miq!

Historia në formatin PDF

Ilustrimi nga Keith Negley