2025
Vajtja në Kishë me Gukën
Janar 2025


“Vajtja në Kishë me Gukën”, Miku, janar 2025, f. 30–31.

Pionierë në Çdo Vend

Vajtja në Kishë me Gukën

Kelvini nuk kishte parë asnjëherë më parë një kishë si kjo.

Një ngjarje e vërtetë nga Kenia.

Kelvini grumbulloi me kujdes shishet prej qelqi të qumështit që ishin plot shkëlqim në raft. Kohët e fundit ai ishte shpërngulur për të jetuar me gjyshërit e tij në një fshat jashtë qytetit. Ata kishin një dyqan qumështi dhe Kelvinit i pëlqente të ndihmonte.

“Sonte do të shkojmë në një aktivitet në kishën tonë”, – tha Guka (gjyshi). “Do të vish me ne? Do të zbavitesh.”

Kelvinit i pëlqente të zbavitej. “Po!” – tha ai. “Do të vij me ju!”

Pasi e mbyllën dyqanin, Kelvini dhe gjyshërit e tij shkuan në këmbë për në aktivitet. Ata kaluan nëpër dyqane të tjera që shisnin pëlhura, fruta dhe bimë në vazo. Pas pak, ata mbërritën në kishë.

Djali dhe gjyshi i tij jashtë një ndërtese kishe

Kelvini i shqeu sytë kur pa ndërtesën e bukur. Ai kurrë nuk kishte parë një kishë si kjo më parë. Shumica e kishave kishin një kryq në krye, por kjo nuk e kishte.

Brenda, gjyshërit e Kelvinit e njohën atë me shumë njerëz të sjellshëm. Ata hëngrën ushqim të shijshëm dhe luajtën lojëra.

Por Kelvini ishte kureshtar. Prandaj ai endej nëpër korridoret e kishës. Ai pa piktura të Jezu Krishtit. Pastaj u fut në një klasë dhe vuri re disa fotografi që ishin në mur.

Kush janë këta njerëz? – pyeti veten Kelvini.

Pasi u largua nga dhoma, pa dy të rinj në korridor. Ata kishin veshur këmisha të bardha dhe kollare. “Ç’kemi”, – tha njëri prej tyre. “Jemi misionarë. Si e ke emrin?”

Kelvini tha emrin. Pastaj pyeti: “Cili është burri në atë fotografi?” Ai tregoi me gisht drejt njërës prej fotografive në dhomë.

“Ai është profeti”, – tha misionari tjetër. “A e di ti se çfarë është një profet?”

Kelvini buzëqeshi dhe tundi kokën në shenjë mohimi.

“Një profet është një lajmëtar nga Perëndia”, – tha misionari. “Ai na mëson atë që Perëndia dëshiron që ne të dimë.”

Kur Kelvini shkoi në shtëpi me gjyshërit e tij atë natë, ai po mbante një kopje të Librit të Mormonit që ia kishin dhënë misionarët. Ai ishte i emocionuar të mësonte më shumë rreth profetëve dhe kësaj kishe të re.

“A do të na lexosh?” – e pyeti Guka kur mbërritën në shtëpi. Gjyshërit e Kelvinit nuk dinin të lexonin.

Djalë duke u lexuar Librin e Mormonit gjyshërve të tij

“Po!” – tha Kelvini. Ai e hapi Librin e Mormonit dhe lexoi me zë të lartë. Nuk i kuptonte të gjitha fjalët, por ndjeu diçka të veçantë.

Të dielën, Kelvini u kthye në kishë me gjyshërit e tij. Shkoi në një klasë ku ishin të gjithë fëmijët. Ajo quhej Fillore. Ai zuri kaq shumë miq! Mësoi më shumë për profetët dhe Jezusin.

Misionarët erdhën edhe herë të tjera për t’i mësuar më shumë Kelvinit. Një ditë ata i bënë një pyetje. “A do ta ndjekësh shembullin e Jezusit dhe të pagëzohesh?”

Kelvini buzëqeshi fort. “Po!”

Në ditën e pagëzimit të tij, Kelvini u fut në ujë. Ishte i ftohtë. Por ndërsa Kelvini hodhi vështrimin përreth vetes, ai pa gjyshërit e tij, misionarët dhe të gjithë miqtë e tij të rinj nga kisha. Ndjeu se e donin shumë.

Duke zgjedhur të ndiqte Jezu Krishtin, Kelvini ishte pionier në familjen e vet. Mezi priste të vazhdonte ta ndiqte Atë – dhe të ndihmonte edhe të tjerët për ta ndjekur Atë!

Historia në formatin PDF

Ilustrimet nga Kristin Sorra