“Të Kujtuarit Përse e Jetoj Ungjillin”, Liahona, janar 2025.
Të Rinjtë në Moshë Madhore
Të Kujtuarit Përse e Jetoj Ungjillin
Kur ia kujtoj vetes “përse” i bëj gjërat, kjo më jep shtysë që të afrohem më shumë me Shpëtimtarin dhe të ndjek ecurinë e synimeve të mia shpirtërore.
Jeta më duket e rrëmujshme me raste, por më pëlqen shumë ngushëllimi që ndiej kur futem në një godinë kishtare. Është njëra nga arsyet përse më pëlqen shumë të shkoj në kishë.
Kur e kujtoj se çfarë më pëlqen shumë rreth ungjillit, si të ndjerit e Frymës së Shenjtë, për shembull, ndihem më e frymëzuar që të ndjek ecurinë e zakoneve të mia shpirtërore, si të shkuarit në tempull, leximi i shkrimeve të shenjta dhe bërja e lutjeve drejtuar Atit Qiellor.
Ngaqë jeta mund të jetë tepër e ngarkuar, mund të jetë e lehtë t’i harrojmë këto gjëra të thjeshta që na pëlqejnë shumë. Por kur ia kujtoj vetes rregullisht arsyet përse e jetoj dhe e dua ungjillin e Jezu Krishtit, kjo më ndihmon të ripërtërij synimet e mia shpirtërore që do të më sjellin më pranë Atij dhe Atit Qiellor.
Vendosja e Synimeve të Reja Shpirtërore
Në fillim të çdo viti më pëlqen të rivlerësoj synimet e mia shpirtërore duke shkruar qëllimet për Vitin e Ri. Nëse edhe ju po bëni pak vetëreflektim dhe po merrni parasysh se si dëshironi ta përmirësoni marrëdhënien tuaj me Krishtin gjatë këtij viti të ri, bëjini vetes këtë pyetje:
“Përse e dua ungjillin e Jezu Krishtit?”
Motra En M. Dib, ish‑Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, shpjegoi se “dashuria jonë për ungjillin rritet kur përjetojmë dashurinë e Atit tonë në Qiell dhe paqen e premtuar nga Shpëtimtari kur i tregojmë Atij se jemi të gatshëm t’i bindemi dhe ta pasojmë Atë”.
Të dini përse e doni ungjillin, do t’ju ndihmojë që të ndieni dhe të dalloni dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ju. Kjo lloj mendësie do t’ju ndihmojë edhe që të ndiheni më pak të mbingarkuar kur po përpiqeni fort t’i vendosni dhe arrini synimet tuaja shpirtërore.
Arsyet përse e jetoj dhe e dua ungjillin e Jezu Krishtit përfshijnë njohurinë se familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë dhe paqen që ndiej pas një lutjeje prekëse drejtuar Atit Qiellor.
Cilado qoftë arsyeja juaj, mbahuni tek ajo – do t’ju japë hovin shpirtëror që ju nevojitet për t’u bërë një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit.
Të Jetuarit e “Përse‑së” Suaj
Kur e kuptova përse po e jetoja ungjillin, ndryshoi mënyra se si e bëja vendosjen e synimeve të mia. Nuk mendoja më rreth gjërave që nuk po arrija t’i bëja dhe u bëra më e përqendruar te gjërat që mund t’i bëja. M’u kujtua që e jetoj ungjillin sepse e dua Shpëtimtarin tim.
Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Na nevojitet të pranojmë se urdhërimet e Perëndisë nuk janë thjesht një listë e gjatë me ide të mira. … Ato janë këshillë hyjnore, e bazuar në të vërteta të përjetshme, e dhënë për të sjellë ‘paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen’ [Doktrina e Besëlidhje 59:23].”
Ndjekja e ecurisë së synimeve të mia shpirtërore më kujton se kush jam: një fëmijë hyjnor i prindërve qiellorë. Ai parim më jep guximin që të përballem me ankthet dhe dobësitë e mia nëpërmjet Jezu Krishtit (shihni tek Ethëri 12:27).
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “Zoti nuk pret përsosuri prej nesh në këtë pikë të përparimit tonë të përjetshëm. Por Ai vërtet pret që ne të bëhemi gjithnjë e më të pastër.” Prandaj po përpiqem më së miri çdo ditë që të qëndroj pranë Jezu Krishtit dhe që të kujtoj përse unë zgjedh që ta ndjek Atë.