2025
En dhe Njull Uitni dhe Shtegu i Besëlidhjeve
Janar 2025


“En dhe Njull Uitni dhe Shtegu i Besëlidhjeve”, Liahona, janar 2025.

En dhe Njull Uitni dhe Shtegu i Besëlidhjeve

Sikurse En dhe Njull Uitni, edhe ne e përshkojmë shtegun e besëlidhjeve nëpërmjet pendimit, shërbimit, sakrifikimit dhe të gëzuarit përgjatë udhës.

Dyqani i çiftit Uitni në Kirtland

Dyqani i çiftit Uitni në Kirtland (i treguar këtu në vitin 1907) financoi shumë prej rritjes së Kishës në Ohajo dhe Misuri në vitet 1830.

Fotografia nga George Edward Anderson, 1907

Kur 18‑vjeçarja, Elizabet En Smithi, u shpërngul në Ohajo, ajo u takua me një sipërmarrës të pashëm, të quajtur Njull K. Uitni. Ajo e përshkroi atë si “një i ri [i cili] kishte ardhur drejt Perëndimit që të ‘kërkonte fatin e tij’. Ai ishte kursimtar dhe energjik dhe kishte grumbulluar pasuri më shpejt se shumica e bashkëpunëtorëve … të tij.” U martuan në tetor të vitit 1822 dhe ishin “një çift i lumtur, me perspektiva të shndritshme në të ardhmen”.

Ata u vendosën në Kirtland, Ohajo, ku Njulli ngriti një firmë të suksesshme tregtie.

Ne mund t’i shohim modelet e ndërveprimeve të Zotit me fëmijët e Tij duke u hedhur një sy përvojave të çiftit Uitni dhe të shumë njerëzve të tjerë. Për shembull, ne mund të shohim se si ata arritën të njihnin Shpëtimtarin dhe se si Ai i ndihmoi ta shihnin veten e tyre si fëmijë të besëlidhjes. Njohuria rreth tyre jep ide më të thella për zbulesat e Zotit te Doktrina e Besëlidhje.

Përgatitja për të Marrë Fjalën e Zotit

Prindërit e Enit zgjodhën ta rritnin atë pa besim fetar. Njulli kishte një mendësi sipërmarrjeje. Por teksa e ngritën shtëpinë në Kirtland, Eni kishte ndjesinë se diçka u mungonte në jetën e tyre. Filluan të kërkonin një kishë që ndiqte ungjillin siç ishte dhënë mësim nga Jezu Krishti në Dhiatën e Re. Për njëfarë kohe adhuruan me Dishepujt e Krishtit të Aleksandër Kempbëllit.

“Një natë”, – kujtoi Eni, – “ndërkohë që bashkëshorti im dhe unë, në shtëpinë tonë në Kirtland, po i luteshim Atit që të na tregonte udhën, Shpirti qëndroi mbi ne dhe një re e pushtoi shtëpinë. … Na mbizotëroi një mahnitje solemne. … Dëgjuam një zë … që tha: ‘Përgatituni që të merrni fjalën e Zotit, sepse ajo po vjen’.”

Në Nju‑Jork, qindra kilometra larg, Zoti i tha Jozef Smithit që të dërgonte misionarë për të predikuar ungjillin. Kur ata misionarë, të udhëhequr nga Oliver Kaudëri dhe Parli P. Prati, predikuan në Kirtland, Eni dëgjoi dhe më vonë shkroi: “E dija se ishte zëri i Bariut të Mirë”. Dëshmimi i misionarëve, i besimtarëve të tjerë si Lusi dhe Isak Morli, dhe më i rëndësishmi, dëshmimi i Frymës së Shenjtë, i shtynë të bënin besëlidhje të shenjta. Ata u pagëzuan në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në nëntor 1830.

Njull Uitni dhe Jozef Smithi

Kur mbërriti në Kirtland në vitin 1831, Jozef Smithi iu prezantua Njullit duke thënë: “Unë jam Jozefi, Profeti. … Jam këtu për shkak të lutjeve të tua.”

Ilustrimi nga Paul Mann

Takimi me Profetin Jozef

Një zbulesë tjetër u tha shenjtorëve që të “shko[nin] në Ohio” ku do të merrnin “një bekim, të tillë që nuk njihet mes fëmijëve të njerëzve” (Doktrina e Besëlidhje 39:14–15; shihni edhe 37:1).

Jozef dhe Ema Smithi mbërritën në Kirtland në shkurt të vitit 1831 dhe Njulli dhe Eni i mbajtën në shtëpinë e tyre për një muaj. Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, ata përsëri u siguruan një shtëpi Jozefit dhe Emës në dyqanin e tyre të ristrukturuar.

Çifti Uitni filloi të shihte një pamje më të qartë të identitetit të tyre të përjetshëm. Më vonë atë vit, Zoti i zbuloi Profetit Jozef se Njulli duhej të shërbente si peshkopi në Kirtland. Njulli tha: “Nuk mund të shoh te vetja ime një Peshkop, Vëllai Jozef; por nëse ju thoni se është vullneti i Zotit, unë do të përpiqem”.

Jozefi u përgjigj: “Nuk ke pse të pranosh vetëm fjalën time. Shko dhe kërkoja vetë Atit.”

Pas lutjes, Njulli dëgjoi një zë nga qielli që tha: “Forca jote qëndron tek unë”.

Kjo ishte një periudhë rritjeje për Njullin dhe Enin, ndërkohë që punonin së bashku për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre. Eni shkroi rreth një mënyre se si ata u shërbyen të tjerëve:

“Sipas modelit të Shpëtimtarit tonë … , ne ishim të vendosur që të bënim një gosti për të varfrit … ; të çalët, të gjymtuarit, të shurdhët, të verbrit, të moshuarit dhe të sëmurët.

Kjo gosti zgjati tri ditë, kohë gjatë së cilës u ftuan të gjithë njerëzit në afërsi të Kirtlandit që do të vinin. … Për mua ai ishte ‘një banket me gjellë të shijshme’ [Isaia 25:6] vërtet; një stinë e ngazëllimit për të mos u harruar kurrë.”

Njulli më vonë shërbeu si misionar me Jozef Smithin dhe si ortak në Ndërmarrjen e Bashkuar, një kooperativë sipërmarrjesh për të trajtuar nevojat e shenjtorëve. Fitimet nga dyqani i tij financuan shumicën e rritjes së Kishës në Kirtland e Misuri dhe ai i shërbeu Kishës në shumë mënyra të tjera. Ndoshta më e rëndësishmja, Eni dhe Njulli patën 14 fëmijë dhe rritën 10 prej tyre deri në moshë madhore.

Njerëz të tjerë u mblodhën në kunjet e Sionit. Familjet Kimball, Jang, Krosbi, Tipet dhe shumë të tjerë po përpiqeshin ta përqendronin jetën tek ungjilli i Jezu Krishtit. Secila prej tyre solli energji dhe talente specifike. Zbulesat e hershme i udhërrëfyen, i qortuan dhe u dhanë siguri përsëri atyre dhe drejtuan Kishën që po zgjerohej.

Ndërtimi i Shtëpisë së Zotit

Për anëtarët e hershëm të Kishës, në një nivel kolektiv dhe individual, marrja e dhurimit të premtuar të fuqisë ishte qendra e përpjekjes së tyre të madhe materiale dhe shpirtërore (shihni te Doktrina e Besëlidhje 38:32).

Zoti në mënyrë të përsëritur i urdhëroi të ndërtonin tempujt në Kirtland dhe Misuri. Në Kirtland shenjtorët ia dolën mbanë me përpjekje heroike që të ngrinin një ndërtesë mbresëlënëse. Ishte përpjekja e tyre më e mirë për të ndërtuar diçka të denjë për Zotin Jezu Krisht. Tempulli qëndron atje edhe sot. Dyqani i Njullit, së bashku me punishten e tij aty pranë të hirit, ishin pjesë thelbësore të ekonomisë së Kirtlandit që mbështetën projektin e tempullit.

Në vitin 1836, Shpëtimtari u shfaq në tempull dhe i pranoi përpjekjet e tyre. Ai premtoi se njerëzit e Tij “do të gëzohen së tepërmi si pasojë e bekimeve që do të derdhen dhe e dhurimit me të cilin shërbëtorët e mi janë dhuruar në këtë shtëpi” (Doktrina e Besëlidhje 110:9). Atëherë Moisiu, Eliasi dhe Elija erdhën dhe dhanë çelësat vendimtarë për periudhën e fundit ungjillore (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16).

Njull Uitni kur ishte i ri

Ilustrim i padatuar i Njull K. Uitnit kur ishte i ri

Përndjekja dhe Përkujdesjet për Gjërat e Botës

Ditët e së ardhmes do t’i vinin në provë shenjtorët, përfshirë çiftin Uitni. Në një rënie mbarëkombëtare ekonomike dhe një panik bankar, shumë njerëz u kthyen kundër Kishës dhe Profetit. Kur u urdhërua që të shpërngulej në Misuri, Njulli ngurroi. Ai ia kishte kushtuar jetën dyqanit të tij në Kirtland. Shumica e pasurisë që kishte bërë, mbështeste Kishën. Si mundej që thjesht të largohej?

Zoti e qortoi që po u kushtonte shumë vëmendje gjërave të botës dhe për “shpirtvogëlsinë e tij” (Doktrina e Besëlidhje 117:11). Njulli u pendua dhe u bind. Ai u vendos në Navu, Ilinois, ku vazhdoi të shërbente si peshkop dhe më vonë si Peshkopi Kryesues.

Ordinancat e Tempullit

Në Navu, tempulli përsëri ishte qendra e veprimtarisë materiale dhe shpirtërore. Teksa filluan të ngriheshin muret e tempullit, Zoti organizoi Shoqatën e Ndihmës nëpërmjet profetit të Tij. Ema Smithi ishte presidentja e parë dhe Sara Klivlandi dhe En Uitni ishin këshilltaret e saj. Ema i delegoi detyra të rëndësishme Enit dhe i kërkoi që të udhëhiqte organizatën kur ajo nuk qe atje.

Zoti vazhdoi t’ia zbulonte Profetit ordinancat e tempullit. Në vitin 1842, me Tempullin e Navusë ende të pambaruar, Jozef Smithi i mblodhi udhëheqësit e Kishës, përfshirë Njullin, në katin e sipërm të Dyqanit me Tulla të Kuqe dhe u administroi ordinancën e dhurimit. Kur pjesa e tempullit, papafingoja, u përkushtua, Eni dhe Njulli, që të dy, ua administruan ordinancën e dhurimit shenjtorëve të tjerë përpara se të largoheshin për në Luginën e Solt‑Lejkut.

Përgjatë shtegut të besëlidhjeve, Eni dhe Njulli e kërkuan Shpëtimtarin, u penduan, shërbyen me gjithë zemër, u përkushtuan, sakrifikuan dhe u gëzuan. Ata arritën ta njihnin Jezu Krishtin dhe ta shihnin veten si fëmijë të besëlidhjes. Miliona njerëz pas tyre kanë ndjekur të njëjtin model për të bërë dhe për të jetuar besëlidhje të shenjta dhe për të ndërtuar mbretërinë e Zotit. Përpjekja për t’i ditur historitë e tyre na ndihmon gjatë periudhave tona të lehtësisë dhe të sprovave.

En Uitni më vonë në jetë

Fotografi e padatuar e En Uitnit më vonë në jetë

Pranë fundit të jetës së saj, Eni shkroi: “Kur e ndieni se keni krijuar njëfarë ideje për qëllimet që kishte Perëndia kur ju krijoi … , a mund ta kuptoni se për këto gjëra ia vlen të jetoni, ia vlen të vuani? A mund të jetë ndonjë sakrificë shumë e madhe … po të ndjekim gjurmët e Mësuesit tonë?”

Shënime

  1. Elizabeth Ann Whitney, “A Leaf from an Autobiography”, Woman’s Exponent, 15 gusht 1878, f. 41.

  2. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; shihni te Russell M. Nelson, “Identity, Priority, and Blessings”, Ensign, gusht 2001, f. 6–12.

  3. Elizabeth Ann Whitney, në Orson F. Whitney, “Newel K. Whitney”, Contributor, janar 1885, f. 125; shihni edhe te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], vëll. 1, The Standard of Truth [Standardi i së Vërtetës], 1815–1846 (2018), f. 111.

  4. Elizabeth Ann Whitney, “A Leaf from an Autobiography”, Woman’s Exponent, 1 shtator 1878, f. 51.

  5. E quajtur “Kisha e Krishtit” në atë kohë.

  6. Shihni Orson F. Whitney, “Newel K. Whitney”, f. 126.

  7. Shihni te Mark Lyman Staker, Hearken, O Ye People: The Historical Setting for Joseph Smith’s Ohio Revelations (2009), f. 245.

  8. Elizabeth Ann Whitney, “A Leaf from an Autobiography”, Woman’s Exponent, 1 tetor 1878, f. 71; 1 nëntor 1878, f. 83.

  9. Shihni te Staker, Hearken, O Ye People, f. 535–537.

  10. Shihni te Steven C. Harper, Making Sense of the Doctrine and Covenants (2008), f. 431–432.

  11. Shihni te Saints [Shenjtorët], 1:496.

  12. Shihni te Saints [Shenjtorët], 1:453; Joseph Smith, “Journal, December 1841–December 1842”, 4 maj 1842, f. 94, josephsmithpapers.org.

  13. Shihni te Saints [Shenjtorët], 1:579; Church History Topics, “Anointed Quorum (‘Holy Order’)”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  14. Elizabeth Ann Whitney, “A Leaf from an Autobiography”, Woman’s Exponent, 1 gusht 1878, f. 33.