“Të Gjithë Janë të Nevojshëm në Trupin e Krishtit”, Liahona, janar 2025.
Gratë në Besëlidhje
Të Gjithë Janë të Nevojshëm në Trupin e Krishtit
Ne mund të ndihmojmë për të krijuar një motëri mbarëbotërore që është më e shëndetshme, më e ripërtërirë dhe më e lidhur për shkak të marrëdhënies sonë të besëlidhjeve me Perëndinë.
Ne të gjitha dëshirojmë që të ndiejmë se kemi një vend dhe se përkasim dhe jemi të nevojshme në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit. Ne mund ta ndihmojmë këdo prej motrave dhe vëllezërve tanë, pavarësisht nga mosha apo rrethana, që të ndiejnë se ata kanë një vend e përkasin dhe gjithashtu janë të nevojshëm. Ne jemi të gjithë fëmijë të prindërve qiellorë dhe, si të tillë, jemi motra dhe vëllezër shpirtërorë. Ato lidhje me njëri-tjetrin janë tej mase të rëndësishme.
Kur hyjmë në një marrëdhënie besëlidhjesh me Perëndinë, ajo jo vetëm që e thellon dhe e forcon marrëdhënien tonë me Të, por gjithashtu ndikon në marrëdhënien tonë me fëmijët e Tij të tjerë – motrat dhe vëllezërit tanë shpirtërorë. E trashëguar në besëlidhjet që bëjmë me Perëndinë, duke filluar me pagëzimin, është përgjegjësia jonë që ta duam dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin.
Problemi i Vetmisë
Kirurgu drejtues i përgjithshëm që është edukuesi kryesor për shëndetin në Shtetet e Bashkuara, bëri këtë deklaratë rreth rëndësisë së marrëdhënieve: “Epidemia jonë e vetmisë dhe izolimit ka qenë një krizë e nënvlerësuar e shëndetit publik, e cila ka dëmtuar shëndetin individual dhe shoqëror. Marrëdhëniet tona janë një burim i shërimit dhe mirëqenies, i fshehur përpara syve tanë. … Nisur nga pasojat e konsiderueshme shëndetësore të vetmisë dhe izolimit, ne duhet t’i japim përparësi ndërtimit të lidhjeve shoqërore në të njëjtën mënyrë që i kemi dhënë përparësi çështjeve të tjera kritike të shëndetit publik. … Së bashku mund të ndërtojmë një [shoqëri] që është më e shëndetshme, më e ripërtërirë, më pak e vetmuar dhe më e lidhur.”
Së bashku ne mund të ndihmojmë për të krijuar një motëri mbarëbotërore që është më e shëndetshme, më e ripërtërirë, më pak e vetmuar dhe më e lidhur për shkak të marrëdhënies sonë të besëlidhjeve me Perëndinë dhe përgjegjësisë ndaj njëri‑tjetrit si dishepuj të Jezu Krishtit.
Sikurse ka thënë Shpëtimtari ynë: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35).
Lidhjet me Njëri‑Tjetrin
Ne mund të ndihmojmë që ta ngadalësojmë epideminë e vetmisë nëpërmjet krijimit të mjediseve mikpritëse dhe të sigurta brenda bashkësive tona dhe veçanërisht brenda Shoqatave tona të Ndihmës, ku të gjithë njerëzit mund të ndiejnë dashurinë e Zotit sepse rrethohen nga dashuria jonë.
Përvoja jonë në kishë ka për qëllim që të sigurojë ato lidhje jetike me Zotin dhe me njëri‑tjetrin që janë kaq të nevojshme për mirëqenien tonë fizike, emocionale dhe shpirtërore. Ka forcë të madhe në unitetin dhe bukurinë e larmisë; të gjithë janë të nevojshëm në trupin e Krishtit (shihni te 1 Korintasve 12:12–27). Ashtu si pemët gjigante të sekuojave që i ndërthurin rrënjët e tyre dhe janë në gjendje t’u bëjnë ballë forcave të natyrës sepse qëndrojnë së bashku, ne kemi nevojë t’i lidhim duart, të qëndrojmë së bashku dhe ta forcojmë njëri‑tjetrin përmes stuhive të jetës.
Kur arrijmë t’i njohim me të vërtetë ata që i ndiejmë se janë të ndryshëm nga ne, e kuptojmë se kemi shumë më tepër gjëra të përbashkëta nga sa menduam. Çdo njeri ka kaq shumë për të kontribuar, kaq përvoja të shumta, të bukura dhe të larmishme të jetës, të cilat mund ta bekojnë jetën tonë. Të dëgjuarit e historive të të tjerëve dhe përpjekja për t’i kuptuar ata, do t’i ndryshojë zemrat tona dhe paragjykimi e frika që mund të kemi pasur kundrejt dikujt, mund të zëvendësohet prej ndjenjave të mirënjohjes që i kemi ata në jetën tonë.
Zoti mund të na ndihmojë që t’i shohim njerëzit e tjerë sikurse Ai i sheh ata dhe Ai mund të na i mbushë zemrat tona me dashuri, duke na aftësuar që të lartësojmë, të ngushëllojmë, të qeshim e të qajmë me ta dhe të kultivojmë përkatësi te njerëzit përreth nesh. Ai do të na ndihmojë që të dimë se çfarë është e nevojshme dhe se si të jemi një bekim për të tjerët në rrugëtimin e tyre.
Sigurisht, ka vetëm Një i cili mund të kuptojë tërësisht dhe të ketë ndjeshmëri në mënyrë të përsosur. Si pjesë e flijimit të Tij shlyes, Ai vuajti “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; … [duke] marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij” (Alma 7:11) me qëllim që të mund të sigurohemi se nuk jemi kurrë vërtet të vetëm.
Secili prej nesh ka marrë thirrjen që t’i dojë dhe t’u japë shërbesë fëmijëve të Atit tonë Qiellor ashtu siç do të bënte Shpëtimtari. Ne krijojmë partneritet me Të për të bekuar të tjerët me qëllim që si ata edhe ne të mund të ndiejmë më plotësisht dashurinë e Shpëtimtarit tonë. Le të bashkojmë krahët dhe ta çojmë plot gëzim njëri-tjetrin në shtëpi. Unë dëshmoj se kjo është një vepër e shenjtë të cilën ne të gjithë jemi thirrur për ta bërë.