2025
Bekimet e Rivendosjes
Janar 2025


“Bekimet e Rivendosjes”, Liahona, janar 2025.

Eja, Më Ndiq

Doktrina e Besëlidhje 1; Joseph Smith – Historia 1:1–26

Bekimet e Rivendosjes

Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit më ka bekuar mua dhe familjen time dhe do të vazhdojë në të ardhmen të bekojë të gjithë botën.

dhomë vulosjeje

Fotografi e dhomës së vulosjes në Tempullin e Suvës në Fixhi

Në pranverën e vitit 1820, një djalosh 14‑vjeçar që kishte nevojë për përgjigje, hyri në një korije pemësh. Ai donte të dinte se me cilën nga kishat e shumta përreth tij duhej të bashkohej. Ngaqë kishte mësuar në shkrimet e shenjta se “në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia” (Jakob [Bibël] 1:5), djaloshi shkoi në korije dhe ia hapi zemrën e vet Perëndisë. Teksa lutej, qiejt u hapën.

Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit dhe iu përgjigjën lutjes së tij (shihni te Joseph Smith – Historia 1:16–20). Kjo ngjarje e shenjtë filloi Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të përjetshëm të Jezu Krishtit. Kjo njohuri e ka bekuar jashtë mase jetën time, por m’u desh goxha kohë për të marrë dëshmi vetë.

Jezu Krishti Rivendosi Kishën e Tij

Vite më parë u ndjeva shumë si i riu Jozef. Isha i pështjelluar nga një “luft[ë] fjalësh dhe ngatërres[ë] opinionesh” (Joseph Smith – Historia 1:10) që po vinin nga shumë kisha të ndryshme në Fixhi. Kur i takova për herë të parë misionarët, kisha aq shumë pyetje. Disa njerëz më kanë ngacmuar se jam një njeri që mësoj ngadalë, sepse kalova tetë vjet duke hetuar për Kishën. Kthimi im në besim filloi nëpërmjet të kuptuarit të emrit të Kishës.

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti themeloi Kishën e Tij. Me kalimin e kohës, humbën doktrina dhe autoriteti i priftërisë së Kishës së Tij. Në ditët tona, Jezu Krishti rivendosi nëpërmjet Profetit Jozef Smith të njëjtën kishë që Ai e themeloi kur jetoi në tokë (shihni te Nenet e Besimit 1:6). Ai gjithashtu urdhëroi nëpërmjet zbulesës: “Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (Doktrina e Besëlidhje 115:4).

Kisha mban emrin e Jezu Krishtit, sepse është Kisha e Tij! Pas tetë vjetësh, kjo e vërtetë më kumboi në mendje dhe në zemër. U pagëzova në moshën 27‑vjeçare dhe shpejt u thirra si këshilltar në presidencën e Të Rinjve të lagjes dhe mësues seminari herët në mëngjes. Gjatë rrugëtimit vazhdoi të rritej dëshmia ime.

Rivendosja Vazhdon

Jeta ime u shndërrua ndërkohë që jepja mësim në seminar, ndiqja mbledhjen e sakramentit dhe dëgjoja konferencën e përgjithshme. Gjithashtu ndjeva ndikimin qetësues, ngushëllues dhe frymëzues të Shpirtit teksa lexoja Librin e Mormonit – një provë dhe shfaqje e prekshme e Rivendosjes dhe e thirrjes profetike të Jozef Smithit.

Kur Zoti e thirri Jozefin “dhe i fol[i] atij nga qielli e i dha urdhërime” (Doktrina e Besëlidhje 1:17), Ai tregoi se Ai “vërtet i frymëzon njerëzit dhe i thërret ata në punën e tij të shenjtë në këtë kohë e brez, si dhe në brezat e lashtësisë” dhe se “ai është i njëjti Perëndi dje, sot dhe përgjithmonë” (Doktrina e Besëlidhje 20:11–12).

Rivendosja që filloi me Jozefin, vazhdon sot. Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne thirremi që të flasim në emër të Shpëtimtarit me qëllim “që besimi … të mund të rritet në tokë”, që “besëlidhja [e Tij] e përjetshme të mund të themelohet” dhe që “plotësia e ungjillit [të Tij] të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës” (Doktrina e Besëlidhje 1:21–23). Ne jemi të bekuar që jemi në gjendje të ndihmojmë në ngritjen e Kishës dhe ta përgatitim botën për atë ditë kur të kthehet Jezu Krishti.

Taniela Uakolo dhe të tjerë jashtë një tempulli

Plaku dhe Motra Uakolo (larg në të djathtë) morën dhurimin dhe u vulosën në Tempullin e Nuku’alofas, në Tongë, në gusht 1995, një vit pasi Plaku Uakolo u bashkua me Kishën. Ata paraqiten këtu me presidencën e kunjit.

Mirënjohja për Profetin Jozef

Një vit pas pagëzimit tim, bashkëshortja ime, Anita, dhe unë udhëtuam për në Tempullin e Nuku’alofas, në Tongë, për t’u vulosur për kohën dhe gjithë përjetësinë. Dëshmia ime për Rivendosjen e bëri vajtjen në tempull tejet kuptimplote. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit vërtet është gjithçka! Zemra më është mbushur me mirënjohje për bekimet që ai m’i ka sjellë mua dhe familjes sime.

Këto bekime të çmuara i kanë ardhur botës nëpërmjet “Joseph Smith‑i[t], Profeti[t] dhe Shikuesi[t të] Zotit, [i cili] ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të” (Doktrina e Besëlidhje 135:3). Ne duhet të jemi përgjithmonë mirënjohës dhe kurrë të mos e humbim nga sytë atë që na është dhënë nëpërmjet profetit të kësaj periudhe të fundit ungjillore.

Nëpërmjet Jozefit ne e kuptojmë marrëdhënien tonë të besëlidhjeve me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ne kemi priftërinë, ordinancat dhe bekimet e rivendosura. Në përvojën e Jozefit në Korijen e Shenjtë, ne mësojmë se edhe përpara se Ati ta paraqiste Birin e Tij, Jezu Krishtin, Ai e thirri Jozefin me emër (shihni te Joseph Smith – Historia 1:17). Ai na njeh edhe ne me emër. Ashtu si Ai hapi qiejt dhe iu përgjigj lutjes së thjeshtë, të përzemërt të një djaloshi 14‑vjeçar, Ai gjithashtu do t’u përgjigjet lutjeve tona sipas vetë vullnetit, mënyrës dhe kohës të Tij, pavarësisht nga mosha jonë. Këto të vërteta kumbojnë thellë brenda qenies sime. Unë dëshmoj se ato janë të vërteta.

Shpresoj se jam dikush që po bën mirë në botë. Nëse unë po bëj, atëherë Jozef Smithi ka bërë shumë për të dhënë ndihmesë për këtë. Jeta ime nuk do të ishte ajo që është sot, unë nuk do të isha bashkëshorti dhe babai që jam dhe unë nuk do të isha aq i lumtur sa jam pa ungjillin e rivendosur që Profeti Jozef Smith sakrifikoi jetën e vet për t’ia sjellë botës. Ungjilli më jep shkëlqim dhe shpresë. Për këtë do të jem përherë mirënjohës për Profetin Jozef.

Në Çdo Kohë, Në Çdo Vend

Unë mbaj një kopje të Librit të Mormonit kudo që shkoj, duke shpresuar se mund t’ia jap dikujt dhe t’i paraqes atij ose asaj ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Kam dhënë qindra kopje anembanë botës. Më pëlqen shumë ta shpërndaj mesazhin e Rivendosjes – në çdo kohë, në çdo vend.

Kjo ka qenë veçanërisht e vërtetë kur u jap mësim dhe dëshmi fëmijëve të mi me Anitën brenda mureve të shtëpisë sonë. Bija jonë po shërben aktualisht një mision në Nju-Jork-Siti, të SHBA‑së. I kam thënë asaj: “Shko dhe dëshmo për Shpëtimtarin në pjesën tënde të botës. Mami dhe babi yt do të bëjnë të njëjtën gjë në pjesën tonë të botës.” Na pëlqen shumë që t’ia tregojmë të rejat njëri‑tjetrit lidhur me shërbimin tonë. Tani kemi një mbesë katërvjeçare. Shpresa dhe urimi i zemrës sime është që ajo do ta dëgjojë shpesh dhe do ta kujtojë vazhdimisht gjyshin e saj duke dëshmuar për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij.

Ne të gjithë mund të dëshmojmë për bekimet e ungjillit të rivendosur – në çdo kohë, në çdo vend – ndërkohë që jetojmë një jetë shembullore të një dishepulli të Jezu Krishtit. Mund të shpërndajmë Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Mund të dëshmojmë se Jezu Krishti e ka rivendosur plotësinë e ungjillit të Tij dhe e udhëheq Kishën sot. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “zbulesa vazhdon të rrjedhë nga Zoti gjatë … procesi[t] të vazhdueshëm të rivendosjes”. Unë dëshmoj se kjo vazhdon nëpërmjet një linje të pathyer të çelësave të priftërisë, të mbajtur nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit të cilët na frymëzojnë, udhërrëfejnë dhe ndihmojnë që ta lidhim veten tonë me Shpëtimtarin Jezu Krisht.

Ky është dëshmimi im dhe kjo është dëshmia ime. Me gëzim do ta them atë gjithmonë dhe kurrë nuk do ta vë në dyshim.

Shënim

  1. Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 88.