2025
Mirënjohës që të Mblidhemi
Janar 2025


“Mirënjohës që të Mblidhemi”, Liahona, janar 2025.

Mirënjohës që të Mblidhemi

Qofshim gjithmonë mirënjohës për privilegjin dhe mirëbesimin që Zoti e ka vendosur mbi ne teksa mblidhemi te Shpëtimtari, mblidhemi me shenjtorët dhe mblidhemi në shërbimin e Tij!

portret i Shpëtimtarit

In Humility, Our Savior [Përulësisht, Shpëtuesi Ynë], nga Jay Bryant Ward, nuk lejohet kopjimi

Për shumë vjet zotëroja një orë të bukur xhepi, e cila dikur i përkiste gjyshit tim, Endriu C. Nelsonit, të cilin nuk e takova kurrë. Ai vdiq kur babai im ishte vetëm 16 vjeç.

Babai im trashëgoi orën e gjyshit Nelson. Kur u rrita më shumë, ai ma dha mua orën. E vlerësoja atë orë të vyer si një lidhje të prekshme me njërin nga paraardhësit e mi besnikë.

Prindërit e gjyshit Nelson, si të gjithë stërgjyshërit e mi, u bashkuan me Kishën në vendet e tyre amtare në Europë. Do të jem përherë mirënjohës për këta paraardhës pionierë. Për shkak të besimit dhe sakrificës së tyre për t’u mbledhur me shenjtorët, pasardhësit e mi dhe unë kemi gëzuar bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

Ora e gjyshit Nelson më kujtonte për detyrimin tonë solemn si shenjtorë të ditëve të mëvonshme për t’i mbledhur fëmijët e Atit tonë në të dyja anët e velit. Ora e tij gjithashtu më kujtonte se paraardhësit tanë vëzhgojnë dhe presin që ne t’i identifikojmë dhe të kujdesemi që të kryhen ordinancat e tyre të tempullit, në mënyrë që ata të kenë mundësinë për t’u mbledhur përjetësisht në tufën e Atit.

Të Mblidhemi te Shpëtimtari

Me Vëllezërit e mi në Presidencën e Parë dhe në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, ne shpallim: “Kjo Kishë është e ankoruar në jetën e përkryer të gurit të saj kryesor të qoshes, Jezu Krishtit, dhe në Shlyerjen e Tij të pafundme dhe Ringjalljen e mirëfilltë. … Ai na fton që të gjithëve ne që të vijmë tek Ai dhe Kisha e Tij, të marrim Frymën e Shenjtë, ordinancat e shpëtimit dhe të fitojmë gëzim të qëndrueshëm.”

Ngaqë Rivendosja po lëviz përpara nëpërmjet zbulesës së vazhdueshme, “toka kurrë më nuk do të jetë e njëjta, teksa Perëndia do ‘t’i s[jellë] në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat’ (Efesianëve 1:10)”.

Fraza “të gjitha gjërat” përfshin delet e Tij. Shpëtimtari po na bën thirrje që ta lëmë pas ligësinë e botës dhe të mblidhemi tek Ai. Ai dëshiron që delet e Tij të jenë një dritë që shkëlqen shndritshëm, duke caktuar një standard për pjesën tjetër të botës nëpërmjet pasqyrimit të mënyrës se si jetojnë dishepujt e vërtetë, përfshirë mënyrën se si ata përjetojnë gëzim të vërtetë kur e përqendrojnë jetën e tyre te Shpëtimtari.

Ne mblidhemi te Shpëtimtari kur vijmë tek Ai (shihni te Mateu 11:28) nëpërmjet ushtrimit të besimit deri në pendim, pranimit të pagëzimit në Kishën e Tij dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë.

Ne mblidhemi te Shpëtimtari kur përjetojmë shërimin shpirtëror që vjen nga marrja e sakramentit, dëshmimi se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Tij, gjithmonë ta kujtojmë Atë dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79).

Ne mblidhemi te Shpëtimtari kur çdo ditë e mbushim jetën me fjalët dhe të vërtetën e Tij, përfshirë mësimet e profetëve, shikuesve dhe zbuluesve të Tij.

Ne mblidhemi te Shpëtimtari kur e përmirësojmë aftësinë për ta dëgjuar Atë, duke jetuar të denjë për pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë.

Ne mblidhemi te Shpëtimtari kur e forcojmë kthimin tonë në besim, e rritim besimin tonë, e thellojmë dishepullimin tonë, e ndjekim shembullin e Tij dhe përpiqemi fort të bëhemi pak më të mirë çdo ditë.

Ne mblidhemi te Shpëtimtari kur bëjmë besëlidhje të shenjta dhe marrim ordinanca të shenjta në tempull.

Ne mblidhemi te Shpëtimtari kur u nënshtrohemi me durim dhe guxim “të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ne]” (Mosia 3:19).

Më së fundi, ne mblidhemi te Shpëtimtari kur japim mësim dhe dëshmojmë për Të, duke i ftuar familjet, miqtë dhe të afërmit tanë që të mblidhen me ne te “drita, jeta dhe shpresa e botës”.

Të Mblidhemi me Shenjtorët

Kur mblidhemi së bashku dhe bashkohemi si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne duhet të hyjmë në shoqërim dhe partneritet me njëri‑tjetrin. Ne e mbështetim, i japim mësim dhe e lartësojmë njëri‑tjetrin. Ne përpiqemi fort, sipas fjalëve të Shpëtimtarit, që të “je[mi] një” (Gjoni 17:21; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 38:27) dhe që ta “d[uam] njëri‑tjetrin” (Gjoni 13:34).

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, ka dhënë mësim: “Frekuentimi i Kishës na jep forcën dhe shtimin e besimit që vjen nga shoqërimi me besimtarë të tjerë dhe adhurimi së bashku me ata që po përpiqen fort gjithashtu të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve dhe të jenë dishepuj më të mirë të Krishtit”.

Në Kishë gjejmë prehje dhe ripërtëritje shpirtërore. Gjejmë ordinancat dhe autoritetin e priftërisë për t’i administruar ato. Gjejmë të vërtetë të rivendosur, doktrinë të vërtetë dhe zbulesë vetjake. Gjejmë duar mikpritëse, zemra ngushëlluese dhe zëra inkurajues. Gjejmë mundësi për të jetuar dy urdhërimet e mëdha (shihni te Marku 12:30–31).

Zoti na ka paralajmëruar se “armiku është mbledhur” (Doktrina e Besëlidhje 38:12). Për t’i mbrojtur familjet tona dhe për ta penguar ndikimin gjithnjë në rritje të Satanit, adhurimi ynë së bashku si shenjtorë bëhet edhe më thelbësor.

“Uniteti”, – dha mësim Profeti Jozef Smith, – “është fuqi.”

Të Mblidhemi në Shërbimin e Tij

Profeti Jozef gjithashtu tha: “Dita po afrohet shpejt kur rivendosja e të gjitha gjërave do të përmbushet, për të cilën kanë profetizuar të gjithë profetët e shenjtë, madje deri në mbledhjen e shtëpisë së Izraelit”. Njëri nga ata që profetizuan kështu, ishte Jeremia në Dhiatën e Vjetër:

“‘Ja, po vijnë ditët’, thotë Zoti, ‘në të cilat nuk do të thuhet më: “Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit”’,

por: ‘Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë’” (Jeremia 16:14–15).

Profeti Jozef më pas shpalli: “Ne jemi populli i favorizuar që Perëndia e ka zgjedhur për ta sjellë në lavdinë e ditës së mëvonshme … kur shenjtorët e Perëndisë do të mblidhen në një nga çdo komb dhe fis, dhe popull, dhe gjuhë”.

Për ta përmbushur atë vepër, “unë do të dërgoj një numër të madh peshkatarësh për t’i peshkuar”, thotë Zoti, “dhe pastaj do të dërgoj një numër të madh gjahtarësh për t’i gjuajtur në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkëmbinjve” (Jeremia 16:16).

Vëllezër e motra, si Izraeli i besëlidhjes së ditëve të mëvonshme – anëtarët e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit – ne jemi peshkatarët dhe gjahtarët e Zotit. Ne jemi thirrur që t’i mbledhim të zgjedhurit e Zotit nga çdo mal, kodër dhe vendbanim. Jemi thirrur që t’u japim fëmijëve të Perëndisë mundësinë për t’u bërë trashëgimtarë të plotë të gjithçkaje që Ai ua ka premtuar fëmijëve të Tij besnikë. Ai është shërbimi më i madhërishëm që mund ta jepnim ndonjëherë.

Ne e përmbushim atë direktivë hyjnore nëpërmjet mbledhjes së Izraelit në të dyja anët e velit – duke e shpërndarë lajmin e mirë të Rivendosjes te të tjerët, duke i kërkuar paraardhësit tanë të vdekur dhe duke kryer ordinanca mëkëmbëse për ta në tempull. E përmbushim atë direktivë edhe kur e shpërndajmë dashurinë e Shpëtimtarit nëpërmjet shërbimit, shembullit, dëshmisë dhe ftesës sonë ndaj të tjerëve për t’u bashkuar me ne.

“Zoti po e udhëheq Rivendosjen e Ungjillit të Tij dhe Kishës së Tij”, – tha Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë. “Ai ecën përpara nesh. Ai e njeh të ardhmen përsosurisht. Ai ju fton në punë. Ai bashkohet me ju në të.”

Një Privilegj dhe Mirëbesim

Çfarë ndodhi me orën e xhepit të gjyshit Nelson? Disa vjet më parë ia kalova birit tim. Sikurse e bëri për mua, ajo orë tani e lidh atë me paraardhësit e tij dhe i kujton detyrën ndaj pasardhësve të tij.

Dhe kështu vazhdon. Çdo brez besëlidhës e vazhdon veprën e Zotit, duke bërë pjesën e vet në përgatitjen e botës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Qofshim gjithmonë mirënjohës për privilegjin dhe mirëbesimin që Zoti e ka vendosur mbi ne teksa mblidhemi te Shpëtimtari, mblidhemi me shenjtorët dhe mblidhemi në shërbimin e Tij!