“Bërja e Pyetjeve, Gjetja e Përgjigjeve: Modeli që Dha Jozef Smithi”, Liahona, janar 2025.
Eja, Më Ndiq
Joseph Smith – Historia 1:1–26
Bërja e Pyetjeve, Gjetja e Përgjigjeve: Modeli që Dha Jozef Smithi
A Pillar of Light [Një Shtyllë Drite], nga Dan Burr, nuk lejohet kopjimi
Në vitin 1820, Jozef Smithi, djali i parashuguruar, 14‑vjeçar, fermer në rrethinat në veri të Nju-Jorkut, mori Vegimin e Parë të mrekullueshëm që do të shënonte një fillesë të re për të gjithë botën. Këtu janë tri pyetje dhe përgjigjet rreth forcimit të dëshmive tona për Vegimin e Parë.
Çfarë mund të mësojmë nga modeli i Jozef Smithit për bërjen e pyetjeve?
Jozefi po kërkonte falje për mëkatet e tij dhe përgjigje për pyetjet e tij. Ai donte të dinte se me cilën kishë të bashkohej. Ai frekuentoi kisha të ndryshme dhe iu drejtua Biblës për përgjigje. Jakob [Bibël] 1:5 e frymëzoi të pyeste Perëndinë, burimin e gjithë së vërtetës. (Shihni te Joseph Smith – Historia 1:10–13.)
Ndërsa Jozefi përgatitej të lutej, ai gjeti një vend që ishte i qetë dhe pa zhurmë. Pavarësisht nga kundërshtimi që hasi në fillim të lutjes së tij, Jozefi ushtroi “të gjitha fuqitë e [tij] për t’i thirrur Perëndisë që t[a] … çlironte” (Joseph Smith – Historia 1:16) dhe mori përgjigje për pyetjen e tij (shihni vargjet 18–19).
Nga përvoja e Jozefit, ka shumë gjëra që mund të mësojmë rreth besimit, lutjes dhe marrjes së përgjigjeve. Është e rëndësishme që të vëmë në dukje se, ndërkohë që Jozefi mori përgjigje për pyetjet e tij fillestare në vegimin e tij për Atin dhe Birin, gjatë gjithë jetës së tij ai vazhdoi të kërkonte përgjigje nga Perëndia nëpërmjet lutjes. Këto përgjigje erdhën me kalimin e shumë viteve teksa ai vazhdonte të kërkonte, të bindej dhe të kishte besim se Perëndia do t’i përgjigjej atij.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Profeti Jozef Smith caktoi një model për ne që ta ndjekim në zgjidhjen e pyetjeve tona”:
A është Vegimi i Parë thelbësor për dëshminë time?
Vegimi i Parë shënoi fillimin e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit që vazhdon deri më sot. Në atë ditë pranvere të vitit 1820, Perëndia foli me Jozefin, iu përgjigj lutjes së tij dhe i dha udhërrëfim që çoi drejt themelimit të Kishës së Jezu Krishtit përsëri në tokë.
Nëse besojmë se Zoti i foli Jozefit, atëherë ne mund të besojmë se Ai na flet edhe neve. Nëse mirëbesojmë që Ai e rithemeloi Kishën e Tij nëpërmjet Profetit Jozef, ne mund të mirëbesojmë se Ai vazhdon të na udhërrëfejë nëpërmjet profetit tonë të tanishëm, Presidentit Rasëll M. Nelson.
Si Jozef Smithi, profetët e gjallë marrin zbulesë për të udhërrëfyer Kishën. Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Nëse përvoja e pashoqe e Jozef Smithit në Korijen e Shenjtë na mëson ndonjë gjë, është se qiejt janë hapur dhe se Perëndia u flet fëmijëve të Tij”.
Me një dëshmi për Vegimin e Parë, forcohet besimi ynë te Zoti, te Kisha e tij dhe te zbulesa e vazhdueshme që Ai ua jep profetëve dhe apostujve tanë sot.
Si mund të fitojmë një dëshmi për Vegimin e Parë?
Ndërkohë që rrugëtimi i secilit person drejt kthimit në besim do të jetë i ndryshëm, më së fundi çdo njeri ka nevojë për konfirmimin e Frymës së Shenjtë me qëllim që të fitojë dëshmi për Vegimin e Parë dhe të vërtetat e tjera të ungjillit.
Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Me ndershmëri i bëni të njohura pyetjet dhe shqetësimet tuaja, por më parë dhe përgjithmonë i fryni flakës së besimit tuaj, sepse të gjitha gjërat janë të mundshme për ata që besojnë”.
Lutja është çelësi që hap derën drejt zbulesës vetjake rreth Vegimit të Parë dhe çdo pyetjeje tjetër. Kërkojini Perëndisë. Pyeteni Atë nëse Jozefi vërtet i pa Atin dhe Birin. Kërkojeni Shpirtin, mirëbesoni te Zoti dhe vazhdoni të përpiqeni. Mund të arrini që të thoni siç tha Jozefi: “Unë e [di] atë dhe e [di] se Perëndia e [di] atë dhe nuk mund ta mohoj” (Joseph Smith – Historia 1:25).