Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Dita Më e Bukur
Zoti i përdori rrënjët aborigjene të babait tim që ta ndihmonte atë të pajtohej me familjen tonë.
Babai im i ndjerë, Klod Roi, ndërroi jetë në vitin 2015, jo shumë kohë pasi u pagëzua. Në atë kohë, nëna dhe vëllezërit e motrat e mia dhe unë kishim qenë anëtarë të Kishës për ca kohë, por për dekada babai im mbeti me këmbëngulje jo i gatshëm që të na bashkohej.
Me kalimin e kohës, ai tha: “Zemra ime u ngurtësua dhe acarohesha nga vizitat prej fëmijëve të mi dhe nipërve e mbesave të mia dhe dëshiroja të izolohesha nga familja ime. Tensionet u shtuan në shtëpinë time dhe marrëdhënia ime me bashkëshorten time u bë e nderë.”
Diku rreth kësaj kohe, ai filloi të gjurmonte paraardhësit e tij aborigjenë kanadezë, të cilët ishin pasardhës të kombeve mi’kmaq dhe huron-uendat. Pasi u vu në kontakt me komunitetin mi’kmaq pranë vendit ku u rrit, ai u ftua në një pauuau, një ceremoni e fiseve indiane të Amerikës.
Gjatë mbrëmjes së pauuaut kryetari i lartë hapi krahët dhe u kërkoi fëmijëve të vinin tek ai që të mund t’i bekonte. Diskutimi që pasoi mbi rëndësinë e familjes dhe pasardhësve, e goditi babanë tim si një vetëtimë.
Në atë çast ai tha: “E pashë familjen time duke i mbajtur të shtrirë krahët drejt meje ndërkohë që unë u ktheva shpinën. U mbusha me një trishtim pushtues, të papërshkrueshëm sikur zemra të më bëhej copash. E dija në atë çast se Zoti i kishte përdorur fjalët e fisit të paraardhësve të mi për të ma zbutur zemrën. E dija se duhej të kthehesha tek Ati im Qiellor dhe të riparoja dëmtimin që i kisha shkaktuar familjes sime.”
Babai filloi të bënte paqe me familjen tonë, duke i kërkuar falje secilit pjesëtar të familjes. Me shembullin e bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, ai filloi të lutej dhe të lexonte Librin e Mormonit. Ngaqë kishte lexuar shumë histori rreth kontinentit amerikan, ndjeu tërheqje ndaj Librit të Mormonit. Vërtetësia e tij iu pohua atij menjëherë.
“I rrethuar nga familja ime, unë u pagëzova si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, – tha ai. “Ajo ishte dita më e bukur e jetës sime! Unë dëshmoj për fuqinë e një shembulli të dashur. Për 36 vjet, bashkëshortja ime e ruajti besimin e vet dhe ishte një shembull si Krishti për mua, edhe pse zemra ime ishte ngurtësuar. Më pas, një fundjavë ma ndryshoi gjithçka.”
Historia e babait tim na kujton kaq bukur se “krahët e mëshirës [së Shpëtimtarit] janë shtrirë drejt [nesh]” dhe se kur pendohemi, Ai me të vërtetë do të na pranojë (shihni tek Alma 5:33).