2025
Kjo Është Dhuntia Jote
Janar 2025


“Kjo Është Dhuntia Jote”, Liahona, janar 2025.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Kjo Është Dhuntia Jote

“O At Qiellor”, – u luta, – “çfarë dhuntie mund të zhvilloj që do t’i bekojë fëmijët e Tu?”

grua duke buzëqeshur, duke qëndruar në Tabernakullin e Solt-Lejkut

Kur ishte e re, Janina u frymëzua të dinte se të kënduarit ishte një dhunti që mund ta përdorte për t’i bekuar të tjerët. Më vonë, ajo u zgjodh që të ishte një nga anëtarët ndërkombëtarë për të kënduar me Tabernacle Choir [Korin e Tabernakullit] gjatë konferencës së përgjithshme (fotografi e shkrepur tek Tabernakulli i Solt-Lejkut).

Kur Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) vizitoi Ekuadorin në vitin 1999, e dëgjova të thoshte: “Çfarëdo që vendosni të bëni, bëni më të mirën që mundeni”.

Kur isha fëmijë, mësova se Perëndia na jep dhunti ose dhurata që të na lejojë t’i bekojmë të tjerët (shihni te Moroni 10:8–18). U luta: “O At Qiellor, çfarë dhuntie mund të zhvilloj që do t’i bekojë fëmijët e Tu?”

Në moshën 16‑vjeçare po filloja të studioja për kanto me nxitjen e drejtoreshës së konservatorit vendor. “Ke zë të bukur”, – më tha ajo.

Kur publiku duartrokiti pas interpretimit tim të parë si këngëtare, një frazë më erdhi me qartësi në mendje: “Kjo është dhuntia jote”. Derdha lot sepse lutja ime kishte marrë përgjigje. Gjithsesi, në atdheun tim mund të jetë e vështirë që të sigurosh jetesën si muzikante. Por e dija se Zoti përgatit një udhë. Prandaj vazhdova të studioja për kanto, duke kërkuar të bëhesha më e mira që mund të isha.

Kur isha 19 vjeçe, m’u dha një bursë që të studioja jashtë shtetit. Ajo mundësi dhe mundësi të ngjashme, megjithatë, nuk arritën të bëheshin realitet. Në retrospektivë mund të shoh se Zoti dëshironte që unë të qëndroja në Ekuador.

Njerëzit më thanë se nuk kisha të ardhme në muzikë ngaqë nuk kisha arsimim të huaj prestigjioz, pasuri apo emër në publik. Por e dija se Perëndia kishte një plan për mua, prandaj e drejtova talentin tim te shërbimi në Kishë ku formova kore, drejtova muzikën dhe u përpoqa t’i frymëzoja të tjerët që të zhvillonin dhuntitë dhe talentet e tyre.

Më vonë, kur m’u ofrua punë në një stacion televiziv, u shqetësova rreth tundimeve që lidheshin me industrinë e spektaklit. Por përgjigjja e lutjeve të mia ishte: “Pranoje punën dhe trego se mund të jesh artiste pa bërë kompromis me standardet e tua”.

Kam punuar si ndihmëse në emisionet artistike të televizionit, si ndihmësdirigjente korale për Korin Simfonik të Guajakilit dhe në bordin e Shtëpisë Ekuadoriane të Kulturës për provincën e Guajës.

Dëshmoj se është e mundur t’i bëjmë realitet ëndrrat pa i sakrifikuar parimet tona. Sot emri im është i njohur në atdheun dhe në profesionin tim falë zotimit tim për të jetuar ungjillin dhe për të zhvilluar dhuntitë që më ka dhënë Ati Qiellor.

Kur i bindemi vullnetit të Atit tonë, e pamundura bëhet e mundur (shihni te Mateu 19:26). E di se Ai na do dhe dëshiron të na ndihmojë që t’i zhvillojmë dhuntitë tona për të bekuar të tjerët.