“Paratë Nuk Mund ta Blejnë Lumturinë, por Krishti e Ofron Gëzimin Falas”, Liahona, janar 2025.
Të Rinjtë në Moshë Madhore
Paratë Nuk Mund ta Blejnë Lumturinë, por Krishti e Ofron Gëzimin Falas
Ndërkohë që fiksimi im me paratë u bë përparësia ime, e kuptova se po zgjidhja gjërat e botës kundrejt Atit Qiellor.
Fotografitë e autores nga Stephen Neilsen
Teksa rritesha, kisha shumë ambicie. Pashë njerëz të moshës sime tashmë duke fituar para dhe duke gjetur sukses në rrjetet sociale. Doja të isha pikërisht si ata.
Kur po ndiqja universitetin dhe po mësoja të jetoja vetëm, paratë u bënë përparësia ime kryesore. Gjithçka për të cilën tregoja interes, ishte që të kualifikohesha për bursa, të kurseja paratë dhe të përgatitesha për karrierën time të ardhshme në fushën e ilustrimeve.
Madje publikimet e mia në rrjetet sociale qenë plot me mesazhe rreth të qenit frytdhënës, investimit dhe punëve të dyta për të më ndihmuar që të fitoja disa fonde shtesë. Shqetësohesha se po të mos e ndërmerrja çdo mundësi për të qenë e zgjuar me paratë e mia, nuk do të kisha siguri financiare.
E përqafova këtë kulturë duke menduar se do të më bënte të lumtur dhe të suksesshme. Gjithmonë e justifikoja përqendrimin tim te paratë duke i thënë vetes se një ditë, kur të kisha më shumë para, mund t’u dhuroja më shumë organizatave bamirëse dhe të isha një person më i mirë në atë mënyrë.
Nuk e vura re në atë kohë, por ndërkohë që fiksimi im me paratë u bë përparësia ime, fillova të humbisja gëzimin në jetën time. U bëra gjithnjë e më shumë ziliqare, veçanërisht ndaj atyre që dukeshin se kishin më shumë para nga ç’u duheshin.
Fillova të dëshiroja më shumë sukses në rrjetet sociale, në karrierën time dhe madje te mënyra se si më perceptonin njerëzit e tjerë. Por dukej se sa më shumë që e ndiqja suksesin, aq më pak e suksesshme ndihesha dhe aq më shumë isha e largët me Atin Qiellor.
Dallimi i Materializmit
Pas gati një viti që ndihesha kështu, po dëgjoja një bisedë nga Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë. E ndjeva zemrën të më prekej teksa e dëgjova të përshkruante saktësisht njeriun në të cilin po shndërrohesha:
“Edhe sot, disa që pretendojnë krishterim, joshen më shumë nga gjërat e botës – gjëra që mbështesin jetën në tokë, por nuk japin ushqim drejt jetës të përjetshme”.
Mendoja se mund t’u jepja përparësi si Perëndisë ashtu edhe parave në të njëjtën kohë, por fjalët e Presidentit Ouks dhe kjo ide te Mateu 6:24 dolën se ishin të vërteta: “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve: sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t’i qëndrojë besnik nj[ë]rit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit”.
Kur mendja ime përqendrohej te gjërat materiale, më dukej më e vështirë të kuptoja thirrjen e ungjillit. Nuk e kuptoja se si shkuarja në kishë dhe leximi i shkrimeve të shenjta mund të më ndihmonin për ambiciet e mia.
Ndërkohë që përparimi në arsimim dhe fitimi i të ardhurave të qëndrueshme janë veprimtari me vlerë për t’u ndjekur, unë po u jepja atyre më tepër përparësi seç duhej. Isha e fiksuar. E kuptova se do të isha e mjeruar derisa mësova që të ndryshoja mendësinë time.
Përqendrimi tek Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi
Iu luta Atit Qiellor dhe e pyeta a mund të më ndihmonte që të filloja të përqendrohesha tek gjërat që kanë më shumë rëndësi. Fillova të lexoja shkrimet e shenjta. Teksa po studioja vargje që mendoja se i kisha lexuar shumë herë më parë, këto histori të njohura filluan të më tërhiqnin vëmendjen. E ndjeva Frymën e Shenjtë të komunikonte me mua.
Një tregim, tek i cili gjeta veten, ishte ai i të riut pasanik. Jezusi i tha: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua” (Mateu 19:21).
Kur e lexova këtë tregim në shkrimet e shenjta, ndjeva nxitjen që të ndalesha dhe të mendoja rreth mënyrës se si gjente zbatim për mua. Fillimisht nuk m’u duk se kisha ndonjë gjë të përbashkët me të riun pasanik – ai tashmë i kishte pasuritë e veta dhe nuk ishte i gatshëm që të hiqte dorë prej tyre. Unë, nga ana tjetër, nuk isha ende e pasur dhe mendova se përpjekjet e mia për të fituar më shumë para ishin të drejta.
Por shpejt e kuptova se hasja vështirësi për t’i dhënë paratë e mia, po ashtu si i riu pasanik. Veçanërisht duke marrë parasysh se unë po hasja tashmë vështirësi që të hiqja dorë nga përpjekja për më shumë para.
Dëshiroja ta vendosja Atin Qiellor të parin në jetën time përsëri. Vendosa të hapja ditarin tim, të shkruaja se si ndihesha dhe të shihja tek shkrimet e mia të mëparshme që të kuptoja më mirë se çfarë e kishte filluar fiksimin tim.
Ndërkohë që e bëja këtë, u bëra më e vetëdijshme për faktin se sa së prapthi kishin qenë përparësitë e mia. Siç e kisha vërejtur në një shënim: “Vazhdoj të mendoj rreth mënyrës se si të mund të përfitoj nga gjithçka, në vend që të mendoj rreth mënyrës se si mund të bëhem më e mirë ose t’i ndihmoj të tjerët”.
Përfundimisht, nëpërmjet leximit të shkrimeve të shenjta, dëgjimit të Shpirtit dhe mbajtjes së një ditari, fillova të ndryshoj.
Mirëbesimi te Perëndia më Shumë sesa te Paratë
Ka qenë mahnitëse të ndieja se premtimi te Fjalët e Urta 3:5–6 është bërë i vërtetë në jetën time:
“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;
pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua”.
Ende do të përpiqem fort që t’i zhvilloj talentet e mia dhe të punoj fort për arsimimin tim dhe karrierën time në art. Kërkimi i sigurisë financiare për të siguruar të ardhura për veten dhe familjet tona është një dëshirë e drejtë. Megjithatë, ne kemi nevojë të jemi të kujdesshëm që të mos e lejojmë synimin tonë për sukses dhe para që të bëhet më i rëndësishëm sesa gjithçka tjetër.
Këto ditë nuk ka rëndësi për mua nëse bëhem e famshme ose fitoj një shumë të madhe parash nëpërmjet zotësisë sime. E kam kuptuar se të jetuarit e një jete ku mund të arrij t’i dua Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, familjen time dhe artin, si dhe të ndiej dashuri prej Tyre, prej familjes sime dhe artit, është e mjaftueshme për mua. Nuk zemërohem më me lehtësi nga shpenzimet e papritura ose nga sukseset e njerëzve të tjerë. Në vend të kësaj, unë jam më e përkushtuar ndaj ungjillit të Jezu Krishtit sepse ai vazhdon të më shpëtojë nga një jetë lakmie, krahasimi dhe pakënaqësie të vazhdueshme. Dhe kur filloj të harroj, shkrimet e shenjta dhe profetët gjithmonë më kujtojnë se çfarë ka më shumë rëndësi në jetë.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Ndërkohë që bota këmbëngul se pushteti, pasuritë, popullariteti dhe kënaqësitë e mishit të sjellin lumturi, ato nuk ta sjellin! Nuk munden ta sjellin.
E vërteta është se është shumë më rraskapitëse që ta kërkoni lumturinë atje ku nuk mund ta gjeni kurrë! Sidoqoftë, kur viheni nën zgjedhë me Jezu Krishtin dhe bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta mundur botën, Ai dhe vetëm Ai, e ka fuqinë t’ju ngrejë mbi ndikimin e kësaj bote.”
Mundja e Botës
Ndryshimet që Shpëtimtari më ka ndihmuar t’i bëj në shpirtin tim, kanë qenë mrekullibërëse. E di tani se suksesi nuk është vërtetimi se sa mahnitëse jam apo ta lidh vlerën time me sasinë e parave që fitoj; suksesi është të ndiej mirënjohje për mundësinë e përjetimit të vdekshmërisë dhe të shoh bekimet mahnitëse që Ati Qiellor m’i ka siguruar gjithmonë. E di se kur e vendos Atë të parin, gjithçka tjetër do të zërë vendin e vet.
Ju nxit të merrni parasysh përparësitë tuaja në jetë. A jeni të përqendruar te materializmi dhe gjërat që nuk i keni? Apo jeni të përqendruar te gjërat që kanë më shumë rëndësi? Jini të sinqertë me veten. Shihni nëse ju nevojitet ta përshtatni rrugën tuaj për t’u kthyer te Shpëtimtari.
Kur e bëni atë zgjedhje, ju do të gjeni më shumë gëzim nga sa e menduat ndonjëherë të mundur.