“Lajme të Mira Dashurie dhe Gëzimi”, Liahona, janar 2025.
Lajme të Mira Dashurie dhe Gëzimi
Bekimet e Rivendosjes duhet t’i sjellin hare zemrës sonë dhe të na mbushin me mirënjohje për dashurinë e madhe të Perëndisë.
Mesazhi ynë i shpresës dhe paqes për të gjithë është se Jezu Krishti jeton dhe e ka rivendosur ungjillin dhe Kishën e Tij në këto ditë të mëvonshme.
“Sa papërshkrueshmërisht të lavdishme janë këto gjëra për njerëzimin!”, – shpalli Profeti Jozef Smith. “Vërtet ato mund të konsiderohen lajme gëzimi të madh për të gjithë popullin; dhe lajme, gjithashtu, që duhet të mbushin tokën dhe të gëzojnë zemrat e gjithkujt kur i dëgjon ato.”
Për shekuj pas shërbesës tokësore të Shpëtimtarit, fëmijët e Perëndisë e kërkuan Atë dhe qenë të dëshiruar për më shumë dritë dhe të vërtetë. Tani, lajmet e mira të ungjillit të Jezu Krishtit dhe Rivendosja në vazhdim shkojnë përpara për t’i bekuar të gjithë njerëzit dhe për ta përgatitur botën për kohën kur Jezu Krishti do të kthehet që “të sundojë si Mbreti i Mbretërve dhe … të mbretërojë si Zoti i Zotërve”. Kjo është një shfaqje e thellë e dashurisë pa mbarim të Atit tonë në Qiell dhe Shpëtimtarit tonë. Gëzohem që mund ta kaloj jetën duke ia shpallur këto të vërteta gjithë botës.
Ndodhia në Dukje e Pagjasë dhe Mbresëlënëse
Një ditë e re agoi për familjen njerëzore në një korije pemësh, ku Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën dhe i folën Jozef Smithit në përgjigje të lutjes së të riut Jozef, rreth faktit se cilës kishë duhej t’i bashkohej (shihni te Joseph Smith – Historia 1:14–20). Jezu Krishti i tha Jozefit të mos i bashkohej asnjë kishe. Ai premtoi se plotësia e ungjillit të Tij do t’i zbulohej Jozefit në të ardhmen.
Për shumë njerëz, Jozefi dukej si njeriu më me pak gjasa për t’u thirrur në një vepër kaq me rëndësi dhe ata kishin të drejtë. Ai ishte një djalosh i pashkolluar dhe i parëndësishëm, nga një fermë e vogël në një qytet të panjohur. Ashtu sikurse thanë disa për Shpëtimtarin në kohën e Tij: “A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?” (Gjoni 1:46), shumë njerëz e pyetën veten se çfarë e mire mund të vinte prej një 14‑vjeçari të pashkolluar nga Palmira e Nju‑Jorkut. Por nëpërmjet Jozefit, sado pak gjasë të dukej se kishte, Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krishti do të bënin të ndodhte ndodhia vërtet mbresëlënëse. Kjo duhet të na sjellë shpresë që në mënyrën tonë të vogël dhe të përulur, edhe ne mund të kontribuojmë në mënyra kuptimplota në punën e Zotit.
Me kohën, Zoti i bëri thirrje Jozefit “dhe i fol[i] atij nga qielli e i dha urdhërime” (Doktrina e Besëlidhje: 1:17). Jozefi mori zbulesa të çmuara dhe doktrinë jetike që sollën një dritë të re në kuptueshmërinë tonë për planin e dashur të Atit Qiellor dhe dashurinë shëlbuese të Jezu Krishtit dhe fuqinë e flijimit të Tij shlyes. Për mrekulli, këto lajme të mira erdhën pikërisht në çastin kur përparimet domethënëse në fushën e transportit, komunikacionit dhe në fusha të tjera, do ta lejonin dritën e Perëndisë të shkëlqente për të bekuar gjithnjë e më shumë prej fëmijëve të Tij.
The Angel Moroni Delivering the Plates to Joseph Smith [Engjëlli Moroni Duke i Dorëzuar Fletët Jozef Smithit], nga C. C. A. Christensen
Një Dëshmi e Fuqishme e Dashurisë së Perëndisë
Shfaqja e engjëll Moronit para Jozef Smithit qe thelbësore për Rivendosjen dhe një provë e fuqishme për dashurinë e Perëndisë. Moroni i tregoi Jozefit për një anal, të shkruar në fletë të arta, të groposur aty afër (shihni te Joseph Smith – Historia 1:33–34). Përfundimisht, Jozefit do t’i jepej “fuqi nga lart” (Doktrina e Besëlidhje 20:8) për ta përkthyer atë anal që më vonë do të bëhej Libri i Mormonit, i cili qëndron përkrah Biblës dhe është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit.
Në të gjithë Librin e Mormonit, ne lexojmë për njerëz që, qindra vjet para Krishtit, e dinin dhe e parathanë ardhjen e Tij dhe qenë të dëshiruar për të. Ne gjithashtu gjejmë tregimin e jashtëzakonshëm të shfaqjes vetjake të Shpëtimtarit të ringjallur dhe shërbesës mes nefitëve, gjatë së cilës Ai i ftoi të gjithë të vinin tek Ai dhe ta preknin shenjën në ijën e Tij dhe gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij (shihni tek 3 Nefi 11:14–15). Ai shëroi të sëmurët, të çalët dhe të verbrit, të gjithë të “prekur në ndonjë mënyrë” dhe më pas i bekoi fëmijët e vegjël dhe u lut për ta (shihni tek 3 Nefi 17:7–9, 21). Ne mësojmë kaq shumë rreth dashurisë dhe dhembshurisë së Shpëtimtarit nga ky tregim i shenjtë.
Libri i Mormonit dëshmon se “Jezusi është Krishti”. Siguria që jepet te Libri i Mormonit në mënyrë të përsëritur, na kujton se Ati ynë në Qiell dhe Shpëtimtari ynë na duan përtej gjithçkaje që mund të imagjinojmë.
Bekimet e Priftërisë dhe Kishës
Rivendosja vijoi me shfaqjen e lajmëtarëve të tjerë qiellorë para Jozef Smithit. “Gjon Pagëzori, i ringjallur, rivendosi autoritetin për të pagëzuar me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve. Tre nga dymbëdhjetë Apostujt e parë – Pjetri, Jakobi dhe Gjoni – rivendosën detyrën e Apostullit dhe çelësat e autoritetit të priftërisë. Erdhën edhe të tjerë, përfshirë Elijan, i cili rivendosi autoritetin për t’i bashkuar familjet së bashku përgjithmonë në marrëdhënie të përjetshme që e kapërcejnë vdekjen.”
Më 6 prill 1830, Jezu Krishti themeloi nëpërmjet Profetit Jozef një kishë të modeluar sipas kishës që Ai organizoi në kohët e Dhiatës së Re (shihni te Nenet e Besimit 1:6), të plotë me “themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20). Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i vë bekimet e fuqisë së rivendosur të priftërisë në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Perëndisë, të cilët përgatiten për ta marrë atë.
Sikurse na ka mësuar Presidenti Rasëll M. Nelson, ne mund të gjejmë gëzim nga pendimi i përditshëm teksa i drejtohemi Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit tonë. Për këdo që ndihet i rënë moralisht ose sikur nuk ka lartësinë e duhur ose nuk i përket asaj: të gjithë janë të ftuar të vijnë te Krishti dhe te Kisha e Tij. Kisha nuk është një manastir për të përsosurit, por një spital për të sëmurët. Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na kujton se “ne nuk vijmë në kishë që t’i fshehim problemet tona, por që t’i shërojmë ato”.
Në Kishë ne gjejmë gëzim nga mundësitë për ta drejtuar vëmendjen jashtë vetes, për t’u shërbyer të tjerëve me dashuri dhe për të treguar përvojat tona vetjake me bollëkun e mirësisë së Krishtit. Ne mund të “numër[ohemi] mes njerëzve të kishës së Krishtit” dhe të “kujtohe[mi] dhe të ushqehe[mi] nga fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4). Çfarë bekimi i pamasë!
Një Arsye për Gëzim të Madh
Profeti Jozef Smith deklaroi dikur: “Tani, çfarë dëgjojmë në ungjillin që kemi marrë? Një zë kënaqësie! Një zë mëshire nga qielli; dhe një zë të vërtete nga toka; lajme të gëzuara për të vdekurit; një zë gëzimi për të gjallët dhe të vdekurit; lajme të gëzuara të gëzimit të madh” (Doktrina e Besëlidhje 128:19).
Këto lajme të mira kanë ardhur sepse Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, na duan dhe dëshirojnë, më shumë se gjithçka, të na mirëpresin sërish në praninë e Tyre, që të mund të kemi përgjithmonë atë lloj jete që bëjnë Ata. Rivendosja zbulon se Ata kanë bërë gjithçka të nevojshme për ta bërë këtë një mundësi të lavdishme për të gjithë ne. Në rrugëtimin tonë të përjetshëm, do të përjetojmë sprova dhe vështirësi, por ne jemi që “të mund të ke[mi] gëzim (2 Nefi 2:25) në këtë jetë dhe në tjetrën. Profeti Jozef e dinte këtë më mirë nga të gjithë.
Jozef u përball me kundërshtim dhe përndjekje të shpeshta, prapëseprapë e ruajti “temperamentin [e tij] të lindur, të hareshëm (Joseph Smith – Historia 1:28). Ai mbeti i gëzueshëm, i fortë dhe i paepur dhe e kreu veprën e jashtëzakonshme që i ishte dhënë të bënte. U shpreh nderim të gjithë shenjtorëve të hershëm që i besuan, e përkrahën dhe e ndoqën Profetin Jozef Smith dhe iu përkushtuan ndërtimit të Kishës. Ne u kemi atyre një borxh mirënjohjeje dhe nderimi.
Kishte pengesa në ditët e hershme të Kishës dhe mund të ketë pengesa edhe sot. Por Rivendosja është e vazhdueshme. Me Jezu Krishtin në krye të kësaj Kishe, profetët e gjallë do të vazhdojnë të na udhërrëfejnë. Shtëpitë e Zotit do të vazhdojnë të ndërtohen, që bekimet e besëlidhjeve të përjetshme me Perëndinë të mund të na lidhin me Të dhe me njerëzit tanë të dashur në të dyja anët e velit (shihni te Mateu 16:19). Dashuria e Perëndisë dhe Jezu Krishtit do të shtrihet në të gjithë botën teksa e zbatojmë urdhrin e Shpëtimtarit për t’u kujdesur për delet e Tij dhe për të shpërndarë ungjillin e Tij. Ne do të dëshmojmë të vërtetat e Rivendosjes tek shkojnë përpara në mënyra dhe vende që zor se do të ishin të imagjinueshme në kohën e Jozefit.
Mund të gjejmë forcë dhe gëzim të madh, ashtu sikurse Profeti Jozef, teksa i përqafojmë dhe i jetojmë këto të vërteta të çmuara. Thirrja që u bëri Jozefi shenjtorëve në kohën e tij, vazhdon të na bëhet neve sot: “A nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajo, … dhe përpara, përpara drejt fitores! Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara” (Doktrina e Besëlidhje 128:22).
Na e bekofshin dhe e udhërrëfefshin jetën lajmet e mira të dashurisë dhe gëzimit që sjell Rivendosja, tani dhe përgjithmonë!