2025
Veprat e Perëndisë të Dëftuara
Janar 2025


“Veprat e Perëndisë të Dëftuara”, Liahona, janar 2025.

Portrete Besimi

Veprat e Perëndisë të Dëftuara

Nuk e dija a do të shërohesha apo do të mbetesha e verbër. Thjesht e dija se vullneti i Perëndisë do të bëhej dhe se Ai do të më mbante në krahë gjatë sprovës sime.

grua duke punuar me një pikturë për Shpëtimtarin

Fotografitë nga Christina Smith

Më 7 janar 2023 u zgjova me një verbëri të plotë në syrin tim të djathtë dhe vetëm gati 10 përqind shikim në syrin tim të majtë. Bota papritur ishte venitur në ngjyrën gri, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ngjyrat dhe drita qenë zhdukur. Kisha mbetur në errësirë, frikë dhe dyshim.

Si artiste, gjithçka që dëshiroja të bëja, ishte të shtoja bukurinë e botës nëpërmjet artit, një pasion që e kam pasur thuajse gjatë gjithë jetës. Çfarë do të bëja nëse nuk do të mund të shihja më, nëse nuk do të mund të isha pjesë apo të vlerësoja bukurinë në botë?

Disa ditë më herët, sytë e mi u bënë të ndjeshëm nga drita dhe vija të mprehta drite filluan të shfaqeshin papritur në shikimin tim. E shqetësuar shkova te një optometrist. Pasi më vizitoi, ai tha se një grumbullim i lëngut që lidh trurin me shtyllën kurrizore, po shkaktonte trysni në kafkën time, duke krijuar simptoma që imitonin një tumor në tru, përfshirë humbjen e shikimit.

Më tha se shikimi im do të pakësohej dalëngadalë gjatë disa muajve të ardhshëm nëse lihej pa u trajtuar. Më siguroi, gjithsesi, se kisha mjaft kohë për të gjetur një neurolog, që mund ta trajtonte grumbullimin e lëngut.

E shqetësuar kërkova një bekim shërimi dhe ngushëllimi nga babai im, i cili shërben si peshkop. Kur ai dhe njëri prej këshilltarëve të tij më bekuan, më erdhi në mendje historia ime e parapëlqyer nga Bibla:

“Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ‘Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?’.

Jezusi u përgjigj: ‘As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë’” (Gjoni 9:2–3).

Herë pas here në mendjen time mendova: “Fuqia e Perëndisë do të dëftohet në këtë gjë”. Nuk e dija nëse kjo do të thoshte që do të shërohesha apo do të mbetesha e verbër. Thjesht e dija se vullneti i Tij do të bëhej dhe se Ai do të më mbante në krahë gjatë sprovës.

“Sa Gishta Mund të Shohësh?”

Pata një takim të caktuar pas pak ditësh me një neurolog, por atë mëngjes janari motra ime më e madhe, Kajli, pati nxitjen që familja ime duhej të më çonte në dhomën e urgjencës së një spitali aty pranë. Mjekët me të shpejtë urdhëruan të kryhej një skaner i tomografisë së kompjuterizuar dhe ndërhyrjen e parë të disa ndërhyrjeve të shtyllës kurrizore për ta pakësuar trysninë e lëngut cerebrospinal. Të nesërmen pata dy IRM (imazh me rezonancë magnetike). Më pas më vizitoi një oftalmolog.

“Sa gishta mund të shohësh?” – pyeti ai, duke mbajtur të ngritur disa gishta pikërisht përpara fytyrës sime. Nuk mund të shihja asgjë.

Pas kontrollit të tij, ai arriti në përfundimin se kisha simptoma pseudotumorale të trurit dhe neurit optik. Asnjëra nga gjendjet përkatëse nuk dukej se po e shkaktonte këtë gjë. Ai shpjegoi se prej faktit që humbja e shikimit qe e rëndë, shërimi mund të zgjaste mbi një vit dhe se shikimi mund të mos më kthehej plotësisht. Ai rekomandoi një dozë të lartë steroidesh në vena dhe mjekime të tjera.

Pasi ai u largua, unë fillova të qaja. Nëna më siguroi sërish: “Nëse nuk mund të mbahesh tek besimi yt për momentin, mund të mbështetesh te besimi ynë”.

“Të Lutem, Më Ngushëllo”

Në ditën time të tretë në spital, neurologu im kërkoi një VRM (venografi me rezonancë magnetike) të shtyllës sime kurrizore dhe të trurit, duke kërkuar një tumor ose bllokim. Në orën 4:00 të mëngjesit, dy ditë pasi isha zgjuar e verbuar, unë fillova një VRM që zgjaste pesë orë. Në përgatitje, familja ime planifikoi që të lutej dhe agjëronte për mua atë mëngjes. Babai, i cili fjeti pranë shtratit tim në një stol çdo natë në dhomën e spitalit, më dha një bekim tjetër, të dytin e disa bekimeve që mora.

Kur një teknik i spitalit më pyeti a dëshiroja të dëgjoja muzikë gjatë analizës, kërkova këngë prej këngëtares sime të parapëlqyer. Tekniku më vendosi një komplet kufjesh prej gome në veshë dhe ma fiksoi kokën me një rrjetë për fytyrën që të më mbante pa lëvizur. Gjatë procesit ai pa dashje m’i lëvizi kufjet nga veshët. Mezi mund të dëgjoja ndopak muzikë ndërkohë që filloi VRM‑ja.

Sa më shumë zgjaste procedura, aq më shumë nxehtësi ndieja brenda makinës cilindrike të imazheve. Pas një kohe që u duk si pa mbarim, m’u tha se po ia dilja dhe se duhej të vazhdoja edhe pak më gjatë. Por ndihesha e frikësuar dhe e tronditur nga nxehtësia, tingujt e lartë dhe mjetet shtrënguese që më mbanin të palëvizur.

Në lutje të heshtur, unë thirra: “O Atë Qiellor, të lutem më ngushëllo. Jam kaq e vetmuar. Kam nevojë për ndihmën Tënde. Kam nevojë për familjen time.”

Menjëherë një notë e butë pianoje më jehoi në veshë. Ishte nga njëra prej këngëve të mia të parapëlqyera, një këngë që motra ime më e vogël, Morgani, e luan në piano. Nuk do të kisha pritur ta dëgjoja nga kufjet e mia të rëna për shkak të zhurmës së lartë të aparatit. M’u duk sikur Morgani ishte me mua dhe nuk isha e vetme. Zhurma u largua. Nxehtësia u largua. Klaustrofobia u largua.

Ndjeva sikur dola jashtë trupit tim, sikur po pluskoja në një det në hapësirë. U ndjeva e rrethuar nga dashuria e Perëndisë dhe nga dashuria e familjes sime. Pikërisht atëherë isha e qetë. Ishte ora 7:30 në mëngjes, koha kur familja ime filloi të agjëronte për mua. Pjesa e mbetur e VRM‑së prej pesë orësh kaloi si të ishte një çast dhe më pas dëgjova: “Mbarove”.

Dashuria që ndjeva nga ajo përvojë, më la me lot në sy dhe ma hoqi rraskapitjen që ndjeva gjatë pjesës pasuese të qëndrimit në spital. Nuk e dija nëse do të më kthehej shikimi, por e dija se Perëndia ishte atje dhe e kishte dëgjuar lutjen time. Pas katër ditësh më nxorën nga spitali.

“Kjo Është e Mrekullueshme!”

Çdo ditë për dy javët në vazhdim u ktheva në spital për mjekim dhe çdo ditë kërkoja për ndryshime në shikimin tim – grija e errët duke u venitur në gri më të çelët, siluetat që të shfaqeshin përreth gishtave të mi përpara fytyrës sime, një turbullirë ngjyrë portokalli në televizor që po kthehej në një lule. Çdo përmirësim i vogël ishte një fitore.

Dy javë pasi dola nga spitali, një analizë tregoi se shikimi im kishte shkuar nga zero në pothuajse i përsosur në të dy sytë.

“Bronuin, çfarë ka ndodhur?” – pyeti oftalmologu im.

“Epo, jemi lutur dhe kam marrë bekime”, – u përgjigja unë.

“Kjo është e mrekullueshme!” – tha ai. “Nuk e kam parë kurrë këtë gjë të ndodhë. Nuk duhej të kishim rezultate që t’i afroheshin këtyre as për të paktën gjashtë muaj.”

Më vonë ai më tha se pacientëve që iu ikte shikimi fare, rrallëherë iu kthehet shikimi i plotë. Brenda pak javësh kisha shkuar nga njëri prej rasteve të tij më të këqija në rastin e tij më të mirë.

Bronuin Houzi

“Ndiq Dritën e Krishtit”

Në fund të vitit 2022, udhëheqës në lagjen e babait tim zgjodhën një temë të lagjes për vitin 2023. Ishte e frymëzuar nga mësimet prej Presidentit Rasëll M. Nelson, i cili më parë atë vit kishte thënë: “Kërkoni dhe prisni mrekulli”.

Në atë kohë, babai im mendoi se tema do t’i ndihmonte anëtarët e lagjes të cilët po duronin kohë të vështira. Ai nuk e merrte dot me mend se do të bëhej kaq vetjake për familjen tonë.

“Ndiqni dritën e Krishtit”, – thotë tema. “Pritni mrekulli! “Pritni gëzim!”

Dy vjet më vonë, shikimi im është më i mirë tani sesa ishte përpara se ta humbja atë. Falënderoj Atin Qiellor çdo ditë për mrekullinë time dhe për besimin e palëkundur të familjes sime. Përmes kësaj sprove, u dëftua vetë vepra e Perëndisë. Unë arrita të kem një dëshmi më të fortë, një vlerësim më të thellë për jetën dhe një dashuri më të madhe për Të dhe për familjen dhe miqtë.

Sot po bëj gjithçka mundem, përfshirë si artiste, që të përfitoj më së shumti prej bekimeve, dhuratave dhe gëzimit që Perëndia m’i ka dhënë, për ta përlëvduar Atë dhe për t’i bekuar të tjerët.

portret i Shpëtimtarit

Sot Bronuina përdor artin e saj, si ky ilustrim i Shpëtimtarit, për të përlëvduar Perëndinë dhe për t’i bekuar të tjerët.

Shënime

  1. Një sëmundje e njohur si cerebri pseudotumoral.

  2. Neuriti optik është një ënjtje e nervit optik, që shkakton dhembje të syrit dhe humbje të shikimit.

  3. Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 100.