2025
Bekimet e Vitit 1836 dhe Vështirësitë e Vitit 1837
Janar 2025


“Bekimet e Vitit 1836 dhe Vështirësitë e Vitit 1837”, Liahona, janar 2025.

Bekimet e Vitit 1836 dhe Vështirësitë e Vitit 1837

Të kujtuarit e gjendjeve tona kulmore shpirtërore na sjell ndërmend se përfundimisht do të çlirohemi nga gjendjet tona të rëna shpirtërore.

mjedisi i brendshëm i Tempullit të Kirtlandit

Mjedisi i Brendshëm i Tempullit të Kirtlandit

Fotografia nga George Edward Anderson, 1907

Në mars 2024, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme pranoi kujdestarinë e shenjtë për pronësinë e Tempullit të Kirtlandit nga Komuniteti i Krishtit. Ai tempull është një vend i veçantë, shumë i pandryshuar që nga përkushtimi i tij në vitin 1836. Të dielën e Pashkës, më 3 prill 1836, Jezu Krishti e pranoi atë si shtëpinë e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110). Në atë tempull mund të ndiejmë praninë e Tij dhe të përfytyrojmë në mendjet tona se ku qëndroi Ai.

Tempulli i Kirtlandit ka disa mësime për jetën tonë sot, disa prej të cilave mund t’i nxjerrim duke menduar rreth ngjarjeve të vitit 1836 dhe 1837.

Ngjarje të Spikatura Shpirtërore të Vitit 1836

Në janar të vitit 1836, ndërkohë që tempulli po i afrohej përfundimit, shenjtorët filluan të përjetonin bekimet shpirtërore të një tempulli mes tyre. Atyre iu ishte premtuar se në Tempullin e Kirtlandit do t’ju dhurohej fuqi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 38:32, 38). Ky premtim jehoi atë që Shpëtimtari u tha Apostujve të Tij në Jerusalem në Dhiatën e Re. Pas Ringjalljes së Tij, Ai iu tha se ata nuk duhej të largoheshin për të predikuar derisa t’iu ishte dhuruar “[fuqi] nga lart” (Lluka 24:49). Më pas, në ditën e Rrëshajave, Apostujt e Tij e morën këtë fuqi kur Shpirti zbriti mbi ta si “një er[ë] që fryn furishëm. … Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera” (Veprat e Apostujve 2:2, 4).

Në janar të vitit 1836, Jozef Smith u takua me udhëheqës të tjerë të Kishës për t’u lutur, për të bekuar njëri‑tjetrin dhe për të kryer punët e Kishës. Pasi ata e bekuan Profetin Jozef, ai pa një vegim për mbretërinë çelestiale. Ai pa Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, Adamin dhe Abrahamin, prindërit e vet (ende gjallë) dhe vëllanë e tij më të madh, Alvinin, i cili kishte vdekur pa u pagëzuar. Jozefi mësoi se “të gjithë ata që vdiqën pa një dituri të këtij ungjilli, që do ta kishin pranuar atë, nëse do të ishin lejuar të qëndronin, do të jenë trashëgimtarë të mbretërisë çelestiale të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 137:7).

Dy muaj më vonë, më 27 mars 1836, shenjtorët e mbushën plot Tempullin e Kirtlandit për përkushtimin e tij. Ata e dëgjuan lutjen përkushtuese të Jozefit, në të cilën ai i kërkoi Atit Qiellor që ta pranonte Tempullin e Kirtlandit si një vend ku Shpëtimtari “mund … t’ia manifest[onte] vetveten popullit të tij” (Doktrina e Besëlidhje 109:5). Të ngjeshur në atë hapësirë të shenjtë, shenjtorët kënduan “Shpirti i Perëndisë”. Ata bërtitën njëzëri: “Hosana! Hosana! Hosana, Per’ndis’ dhe Qengjit!”

Ata përjetuan bekime shpirtërore gjatë përkushtimit dhe gjatë javës në vazhdim. Agjëruan, u lutën, morën sakramentin, lanë këmbët e njëri‑tjetrit dhe përjetuan vegime. Ata u ndien të fuqizuar që të shkonin përpara dhe predikonin ungjillin. Iu ishte dhuruar fuqi nga lart.

Por shfaqjet shpirtërore nuk kishin një mbarim. Më 3 prill 1836, Shpëtimtari iu shfaq dy prej shërbëtorëve të Tij. “Veli u hoq nga mendjet tona dhe sytë e të kuptuarit tonë u hapën”, – thanë Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri. “Ne pamë Zotin duke qëndruar mbi pjesën e sipërme të katedrës, përpara nesh … , duke thënë: Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin” (Doktrina e Besëlidhje 110:1–4).

Pas vizitës së Shpëtimtarit, Moisiu, Eliasi dhe Elija, secili, iu shfaqën Jozefit e Oliverit dhe iu dhanë çelësat që do t’i bënin të aftë për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit dhe për ta mbledhur Izraelin, për ta bekuar tokën me besëlidhjen e Abrahamit dhe për të vulosur familjet (shihni vargjet 11–16).

Sfidat e Vitit 1837

Por historia e Kirtlandit nuk mbaron me këto shfaqje të mrekullueshme. Një vit pas përkushtimit të tempullit, filluan grindje në komunitet. Një krizë ekonomike ndërkombëtare çoi drejt papunësisë masive në Shtetet e Bashkuara. Bankat falimentuan anembanë vendit, përfshirë një bankë të vogël, të krijuar nga udhëheqësit e Kishës në Kirtland për të nxitur zhvillimin e komunitetit. Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u përpoqën dëshpërimisht që ta shpëtonin ekonominë e komunitetit. Por batica e krizës ekonomike globale ishte shumë e madhe. Njerëzit filluan të humbisnin punët dhe shtëpitë. Shumë filluan të mërmëritnin kundër Perëndisë dhe Kishës. Përse i kishte lejuar Zoti që të dështonin ekonomikisht njerëzit e Tij? Disa filluan të pëshpëritnin dhe më pas të shpallnin se Jozefi ishte një profet i rënë.

Në një mbledhje në verën e vitit 1837 në Tempullin e Kirtlandit, Jozef Smith Plaku, patriarku i Kishës, foli në mungesë të birit të tij. Teksa fliste, një i shkëputur nga Kisha u përpoq ta tërhiqte larg foltores. Kur Uilliam Smithi e mbrojti atin e tij, njëri nga apostujt e tjerë e kërcënoi se do ta vriste Uilliamin me shpatë. Burra të tjerë me thika dhe pistoleta e rrethuan Uilliamin. Tempulli, i cili kishte qenë një vend shenjtërie dhe shpirtshmërie një vit më parë, tani ishte një vend dhune, mosmarrëveshjeje dhe kaosi.

Kur Jozef Smithi u kthye në Kirtland, shumica e anëtarëve të Kishës e mbështetën si profet, por tre Apostuj u hoqën nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve. Problemet ekonomike ishin kthyer në probleme shpirtërore. Brenda pak muajsh më vonë, Zoti i tha Jozefit që të largohej nga Kirtlandi për sigurinë e familjes së tij dhe për hir të vetë jetës së tij.

Rrëfimet e dëshmitarëve okularë dëshmojnë për vështirësitë e asaj kohe. Vajleta Kimballi, bashkëshortja e Apostullit Hibër C. Kimball, i dërgoi një letër bashkëshortit të vet, i cili në atë kohë po shërbente si njëri nga misionarët e parë në Angli. “Jam e sigurt që kjo gjë do të ta hidhërojë zemrën”, – i shkroi ajo Hibërit, duke i treguar rreth atyre që u shkëputën nga Kisha. “Ata shpallin se besojnë te Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje, por me vepra i mohojnë ata.”

Vajleta e dinte se Jozefi nuk ishte i përsosur. Ai kishte bërë gabime në krizën ekonomike të Kirtlandit. Dhe ajo vazhdoi të donte shumë njerëz mes atyre që u shkëputën [nga Kisha]. Por ajo kuptoi një mësim më të thellë nga ngjarjet e vitit 1837: “Zoti thotë: ‘Ai që nuk mund ta durojë ndëshkimin, por më mohon, nuk mund të shenjtërohet’”.

Në të njëjtën letër, Miranda Hajdi i shtoi një shënim bashkëshortit të saj, Orsonit, gjithashtu një Apostull që po shërbente në Angli. Vëllai më i madh i Mirandës ishte njëri nga Apostujt të cilët ishin larguar nga Kisha. “Nuk ke dëshmuar kurrë kohë të tilla në Kirtland, siç po dëshmojmë ne tani, sepse duket që është larguar gjithë mirëbesimi tek njëri‑tjetri”, – shkroi ajo.

Mësimet nga Vitet 1836–1837

Përse të kujtojmë tragjedinë e vitit 1837 dhe jo vetëm triumfin e vitit 1836? Sepse, sigurisht, dy gjërat nuk mund të veçohen kurrsesi. Kështu është edhe në jetën tonë. Perëndia na jep ne të gjithëve periudha të bekimeve shpirtërore, kohë kur Ai u flet shpirtrave tanë dhe na udhëheq për dore përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Ai na jep periudha qëndrueshmërie, kohë në të cilat kemi mjaft dhe më shumë për të kursyer, kohë në të cilat familjet tona janë të shëndetshme dhe të lumtura, kohë në të cilat miqtë tanë na qëndrojnë shumë pranë dhe komunikojnë me ne. Ne të gjithë i përjetojmë ato kohë si të vitit 1836.

Por Perëndia kurrë nuk premtoi se ne do të përjetonim vetëm vitin 1836. Për secilin prej nesh vjen edhe viti 1837. Ai vjen me paqëndrueshmëri ekonomike, kur ne shqetësohemi se nga do të na vijnë paratë. Vjen me paqëndrueshmëri vetjake, kur familjet tona vuajnë nga sëmundje të papritura, sëmundje kronike, depresion ose ankth. Vjen me paqëndrueshmëri shoqërore, kur miqtë tanë shkëputen nga ne ose na tradhtojnë.

Në qoftë se nuk i kujtojmë përvojat tona vetjake të vitit 1836 – vetë herët në të cilat i kemi ndier duart e Zotit në jetën tonë – viti 1837 mund të sjellë paqëndrueshmëri shpirtërore. Mund të na tundojë të themi: “Kjo nuk ia vlen”. Mund të na tundojë të themi: “Perëndia nuk më do”. Mund të na tundojë të themi: “Jozef Smithi nuk ishte një profet” ose “Presidenti Nelson nuk është një profet i Perëndisë”. Mund të na tundojë të themi: “Shtegu i besëlidhjeve nuk është për mua”.

Por nëse e bëjmë punën shpirtërore për të kujtuar dhe për të jetuar shpirtërisht në vitin 1836, edhe kur përjetojmë sprovat e vitit 1837, ne prapëseprapë mund të ngulitemi në besimin tonë tek Jezu Krishti, prapëseprapë mund të dimë se Perëndia na do dhe prapëseprapë mund të dimë se Rivendosja e ungjillit dhe e Kishës së Jezu Krishtit është reale dhe se Zoti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të zgjedhur.

Shënim

  1. Citimet historike vijnë nga Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018), f. 297, 298.