“A Ishte Gabim Thirrja Ime për Mision?”, Liahona, janar 2025.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
A Ishte Gabim Thirrja Ime për Mision?
Kur isha shumë larg nga shtëpia, Zoti më ndihmoi të zbuloja se si të shpërndaja dashurinë e Tij.
Pasi kisha bërë dy vjet në universitet për matematikë statistikore dhe financiare, pata një nxitje të fortë që të shkoja në një mision. Zgjodha që të shërbeja, edhe pse kishte të ngjarë që do të humbisja kredite të caktuara të kolegjit të cilat duhet të merreshin njëri pas tjetrit.
Pak kohë më vonë, teksa lexoja thirrjen time të misionit për në Misionin Qendror të Solt-Lejk-Sitit në Jutë, ai çast m’u duk i pabesueshëm. Nuk njihja asnjë që të kishte shërbyer në Solt-Lejk-Siti. Mendova se ndoshta kisha hapur thirrjen e gabuar të misionit. Kur mbërrita në Solt-Lejk-Siti, ndjeva se gjithçka që dija, më ishte fshirë nga mendja. E gjeta veten time në një biçikletë në dëborë pa asnjë ide se si të isha misionar. Me kulturën dhe klimën e tij të ndryshme, Solt‑Lejk‑Siti m’u duk më larg nga Afrika e Jugut nga çdo vend ku mund të kisha udhëtuar.
Në zonën time të parë, shoku im dhe unë vizituam për darkë një anëtar të quajtur Kris Rapëll. Ai pyeti a kishte njohuri për muzikën ndonjëri prej nesh. Shoku im përmendi se unë i bija pianos dhe këndoja, prandaj këndova një këngë për familjen. Më pas ndodhi diçka e veçantë. Vëllai Rapëll hodhi vështrimin nga unë dhe tha: “Plaku Vicini, nëse vazhdon të buzëqeshësh ashtu, ti do të jesh një misionar i suksesshëm”. Mendova se ishte diçka e këndshme ajo që tha, por nuk i kushtova shumë vëmendje.
Pak muaj më vonë, me Vëllanë Rapëll, ndihmova që të organizohej një takim shpirtëror muzikor nga misionarët. Në çdo zonë që shërbeva më pas, përdorëm po të njëjtën strukturë të takimit shpirtëror. Shumë njerëz morën pjesë me ne, nga anëtarë të kunjit te muzikantë të mirënjohur vendorë dhe tek anëtarë të besimeve të tjera fetare. U dhamë mësim rreth Shpëtimtarit nëpërmjet muzikës njerëzve që përndryshe nuk do të kishin dëshiruar të uleshin për të dëgjuar një mësim të plotë. Mësova se muzika mund të prekë si të varfrit ashtu edhe të pasurit, si të arsimuarit ashtu edhe të paarsimuarit.
Misioni më mësoi se mund të bëja gjëra të vështira. Teksa shërbeja në një zonë kaq të largët dhe kaq të ndryshme nga shtëpia ime, mësova se çdo njeri është një fëmijë i Perëndisë. Kam parë mrekulli në jetën e njerëzve në anën tjetër të botës në Jutë dhe i kam parë ato këtu në Afrikën e Jugut. E di se, në qoftë se thjesht kemi besim, mrekullitë mund të ndodhin në jetën e secilit prej nesh (shihni te Mormoni 9:15–21).