2025
Paratë në Treg
korrik 2025


ParatëTreg

Këtë herë, do të bëj pikërisht atë që më kërkoi mami”, – mendoi Ananeu.

Një ngjarje e vërtetë nga Gana.

Djalë me para në dorë duke parë mallra në një tezgë tregu

Ananeu ishte buzagaz ndërsa ecte në rrugë. Aroma e peshkut të skuqur dhe gumëzhima e bisedave të njerëzve e mbushnin tregun. Ai ishte nisur drejt shtëpisë së dajës. Mami i kishte dhënë Ananeut ca para për t’ia dhënë dajës.

Ai hapte sytë tek të gjitha tezgat që shitnin produkte, ushqime dhe sende të tjera. Më pas i zunë sytë diçka.

Ishte një tezgë me ushqime që kishte dy prej ëmbëlsirave të tij më të parapëlqyera, bonbone dhe biskota. Ai vështroi paratë që i dha mami. “Njëqind cedi (kartmonedha e Ganës) janë shumë”, – mendoi ai. Ëmbëlsirat e tij të parapëlqyera kushtonin vetëm 10 cedi. Daja mbase nuk do ta vinte re fare që mungonin ca para.

Ananeu i bleu ëmbëlsirat. Futi një bonbone në gojë dhe vazhdoi të ecte drejt shtëpisë së dajës.

Daja po rrinte jashtë shtëpisë kur Ananeu erdhi.

“Vogëlushi Anane thua të jetë vallë! Eja”, – i tha daja. “Si mund të të ndihmoj?”

“Të solla ca para që m’i dha mami.” Ananeu ia dha paratë, pastaj i futi duart sërish në xhep. A do ta vinte re daja që mungonin ca nga paratë? E vështroi dajën teksa ai numëronte paratë.

“Faleminderit që m’i solle”, – tha daja.

Ananeu u gëzua që daja nuk e kuptoi se sa para mungonin. E përshëndeti dhe mori rrugën e gjatë për në shtëpi. Rrugës, ai i hëngri të gjitha bonbonet dhe biskotat.

“Si të shkoi rruga për te daja?” – e pyeti mami Ananeun kur u kthye në shtëpi.

Ai mblodhi supet. “Mirë.”

“Faleminderit që e kreve porosinë time”, – i tha mami.

Ananeu uli sytë në dysheme. Filloi të ndihej në faj. Po sikur ta zbulonin prindërit që ai i kishte shpenzuar disa nga paratë? Nuk donte që t’ua thyente besimin.

Të nesërmen në mëngjes, mami i kërkoi Ananeut të blinte ca gjëra te një dyqan aty pranë. “Eja drejt e në shtëpi pasi të mbarosh te dyqani, në rregull?”

“Në rregull.” Ananeu kaloi përmes tregut, por nuk ndaloi të blinte gjë. Mblodhi vetullat dhe mendoi: “Këtë herë do të bëj pikërisht atë që më kërkoi mami”.

Sapo mbaroi, ai shkoi drejt e në shtëpi. Ai ia dha mamit të gjithë kusurin.

Atë të diel, Ananeu shkoi në klasën e Fillores. “Mirëmëngjesi!”, – tha mësuesja. “Sot do të flasim për bindjen. Është e rëndësishme që t’i dëgjojmë prindërit e të bëjmë zgjedhje të mira.”

Ananeu mendoi për paratë që kishte shpenzuar me bonbonet dhe biskotat. Ndjeu një boshllëk në stomak. E dinte që kishte bërë një zgjedhje të gabuar.

Pas kishës, Ananeu donte të bisedonte me prindërit. Zemra i rrihte fort.

“Mami, babi? I mbani mend paratë që më dhatë për t’ia çuar dajës?” – pyeti Ananeu. “Si ta them! Me to bleva ca ëmbëlsira.” Ai i uli sytë në dysheme. “Më falni.”

“Faleminderit që u tregove i sinqertë”, – tha babi. “Jam krenar për ty.”

Ananeu buzëqeshi. Ishte shumë i lumtur që tregoi të vërtetën. U ndje mirë brenda vetes pasi u tregoi prindërve. Që tani po bënte një zgjedhje më të mirë.

Faqe në PDF

Ilustrimi nga Aleksandar Zolotic