Një Kishë e Re për Zhamesin
Zhamesi ndihej më ndryshe këtu se te kisha tjetër e tyre.
Një ngjarje e vërtetë nga Fixhi.
Zhamesi doli për të shkuar te një zonë e vogël e rrethuar me gardh ku familja e tij mbante derrat. “Ejani të hani, derrkucë!” Ai u hodhi pak ushqim dhe derrat gërhitën të lumtur.
Pastaj Zhamesi shkoi të mbushte shishet e pastra të ujit jashtë te çezma. Uji i ftohtë gurgullonte në shishe ndërsa hapi çezmën. Kjo ishte mënyra se si ai e ndihmonte çdo ditë familjen e tij, duke ushqyer derrat e duke mbushur ujë.
“Zhamesi!” – thirri mami. “A je gati për kishë?”
Zhamesi e mbylli çezmën dhe e çoi brenda shishen e fundit të rëndë. “Tani jam gati!”
Çdo të diel familja e Zhamesit shkonte në një kishë të krishterë në qytezën e tyre. Atij i pëlqente të mësonte rreth Jezu Krishtit.
Së shpejti, Zhamesi dhe motrat e tij më të vogla, Unaisi dhe Marama, do të hynin me pjesën tjetër të familjes në kishë. Disa pula që vinin rrotull, kakarisnin në rrugë.
Por kur mbërritën aty, dyert ishin të mbyllura. “Harrova që kisha është e mbyllur këtë javë dhe tjetrën meqë pastori nuk është”, – tha babi.
“A ka ndonjë kishë tjetër ku mund të shkojmë?”, – pyeti Zhamesi. Do t’i vinte keq po të mos shkonte në kishë këtë javë.
Babi u mendua për një çast. “Po”, – tha ai. “E kam një ndërmend.”
Zhamesi dhe familja e tij u kthyen me babanë në shtëpi. I hipën të gjithë barkës së tyre të vogël prej druri buzë lumit. Babi u ul mbrapa për të ndezur motorin.
Barka gumëzhinte përgjatë lumit. Zhamesi kërkonte zogjtë e fshehur në pemët e larta të gjelbra. Pas rreth 15 minutash, ata panë një ndërtesë të vogël kishtare. Kishte një tabelë që thoshte: “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”.
“Kjo është kisha që më erdhi ndërmend”, – tha babi. E çoi barkën në breg dhe të gjithë zbritën. Mund të dëgjonin muzikën që vinte nga godina kishtare.
Brenda, Zhamesi u ul bashkë me prindërit dhe motrat. Ata dëgjuan folësit dhe këngët. Zhamesi pati një ndjesi të ngrohtë e të lumtur brenda vetes.
Kur mbledhja mbaroi, një zonjë e sjellshme erdhi të fliste me ta. “Kemi një klasë të veçantë për fëmijët”, – tha ajo. “Quhet Fillore. A dëshironi të vini?”
Zhamesi vështroi motrat. Ishte pak në siklet që të shkonte në një klasë ku nuk njihte askënd. Të paktën mund të vinin edhe motrat. Mbase do të ishte qejf.
“Patjetër!”, – tha Zhamesi.
“Le të shkojmë!” Marama dukej e emocionuar.
Zhamesi dhe motrat e tij të vogla e ndoqën zonjën deri te klasa. Kishte shumë fëmijë të ulur në karrige të vogla, duke biseduar dhe duke qeshur. Kur Zhamesi u ul, ata i buzëqeshën atij. Çdokush ishte shumë i sjellshëm!
Kënduan këngë dhe fëmijët e tjerë e ndihmuan Zhamesin dhe motrat e tij të mësonin fjalët. Pastaj bënë një mësim rreth Jezu Krishtit. Zhamesi ndihej më ndryshe këtu se te kisha tjetër e tyre. Ndjesia “ndryshe” ishte për mirë.
Kur kisha mbaroi, familja e Zhamesit hipi sërish në barkë për t’u kthyer në shtëpi. Zhamesi e pa tabelën jashtë ndërtesës kishtare përsëri. Në të ishte shkruar emri i Jezu Krishtit. Pra, kjo duhet të jetë Kisha e Jezu Krishtit! Zhamesi donte ta ndiqte Jezusin.
“A mund të vijmë përsëri këtu javën tjetër?” – pyeti Zhamesi.
Mami edhe babi buzëqeshën. “Po mendonim të njëjtën gjë”, – tha mami.
“Urra!” – brohoriti Unaisi.
Zhamesi vuri buzën në gaz. Ai e dinte se kishin gjetur diçka të veçantë. Mezi priste të mësonte më shumë.
Ilustrimet nga Bethany Stancliffe