Hija Është Zgjidhja
“Po sikur të mbillnim disa pemë?” – pyeti Kristali.
Një ngjarje e vërtetë nga Argjentina.
“A mund të shkojmë në lëndinë?” – pyeti motra e Ivanit, Kristali.
Ivani vështroi nga jashtë. “Unë dua”, – tha ai. “Por mbase duhet të presim derisa të perëndojë dielli. Bën shumë nxehtë!”
Lëndina ishte një fushë e madhe e blertë afër shtëpisë së tyre. Atyre u pëlqente shumë të luanin atje “E ka kush e ka” ose kukafshehthi me shokët e shoqet. Mirëpo, lëndina nuk kishte hije ku ata të çlodheshin nga i nxehti. Dhe këtë verë, ky qe problem i madh.
Kristali heshti për një çast. Pastaj tha: “Po sikur të mbillnin disa pemë? Kështu, lëndina do të kishte hije. Pastaj mund të luanim edhe kur është vapë!”
Ivani buzëqeshi. “Më pëlqen si ide!”
Ivani dhe Kristali ia treguan Papá‑s [babit] të gjithë planin. “Do të kërkoj leje në komunë”, – tha ai.
Pas disa javësh, ata morën lejen që u duhej dhe qenë gati të fillonin! Papá i çoi Ivanin dhe Kristalin te pema e madhe që rritej mbrapa shtëpisë së tyre. Nën pemë, po rriteshin disa pemë të vogla.
“Kur pema e madhe lulëzon, ajo i lëshon farat në tokë”, – shpjegoi Papá. “Pastaj prej tyre mbijnë pemë të vogla. Janë si grimca mrekullie të natyrës!”
Papá u tregoi se si të gërmonin me kujdes për t’i nxjerrë pemët e vogla me rrënjë. Ivani dhe Kristali i mbollën ato me kujdes nëpër vazo lulesh.
Më pas, një të shtunë pasdite kur dielli fshihej prapa reve, Ivani dhe Kristali i vunë pemët e vogla në një karrocë dore. Me ngadalë, ata e shtynë karrocën e dorës deri te lëndina. Vëllezërit dhe motrat më të vogla të Ivanit ndihmuan me mbajtjen e kovave të ujit. Mamá [mami] dhe Papá sollën disa lopata.
Së bashku zgjodhën një vend për secilën pemë. Hapën gropa dhe e mbollën secilën pemë me dashuri. Mamá u tregoi atyre se si të gërmonin shtratin rrotull pemëve për t’i ujitur. “Pemët kanë nevojë për dritën e diellit, ujë dhe shumë elemente ushqyes që të rriten të forta”, – tha ajo. “Njësoj si fëmijët!”
Ivani mendoi për pemën mbrapa shtëpisë së tyre dhe përfytyroi se si do të dukeshin pemët një ditë. “A e besoni dot?” – tha ai. “Një ditë këto pemë do të na e kalojnë neve për gjatësi!”
Në pranverë, pemët do të magjepsnin çdokënd me lulet e tyre rozë të bukura me ngjyrë të ndezur. Në verë, hija e tyre do të shtrihej në mbarë lëndinën. Dhe në vjeshtë, gjethet do ta mbulonin tokën me një tapet të verdhë.
Çdo ditë, Ivani dhe Kristali shkonin te lëndina për të këqyrur pemët. Ata siguroheshin që çdo pemë të kishte ujë mjaftueshëm. Sa herë që dilte ndonjë gjethe ose degëz e re, ata ndiheshin shumë krenarë. Mundi po u shpërblehej!
Ivani ndihej i lumtur kur mendonte për të gjithë njerëzit që do ta shijonin hijen në lëndinë një ditë. Ai kishte ndihmuar që toka të bëhej një vend më i bukur për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.
Ilustrimet nga Colleen McKeown