Jo edhe Aq e Përsosur
Dita e përsosur e Adelinës kaq e pati!
Një ngjarje e vërtetë nga Franca.
Adelina e shenjoi edhe kutinë e fundit të synimeve në fletën e saj. Krah saj, shkroi: Bëj lutje në mëngjes e në mbrëmje.
“Ç’është kjo?” – pyeti mami.
“Po bëj një listë synimesh për nesër”, – tha Adelina. “Do të kaloj një ditë të përsosur!”
Mamaja ngriti vetullat. “Vërtet?”
Adelina tundi kokën. “Në Fillore mësuam rreth të qenit të përsosur në Krisht. Do të veproj mirë fare që ditët e mia të mund të jenë të përsosura.”
“Gëzohem që dëshiron të bësh zgjedhje të mira”, – tha mami. “Por dëgjo, vetëm një njeri ishte i përsosur në tokë – Jezu Krishti.”
Adelina psherëtiu. “E di. Por dua vërtet të përpiqem! Mendoj se mund t’ia dal.”
Kur erdhi mëngjesi, Adelina ishte gati. Rregulloi shtratin dhe bëri lutjen e mëngjesit.
Në mëngjes, ajo ndihmoi duke ushqyer motrën e saj të vogël, Silviën. Kur Silviës i binin pjeshkët kudo nëpër karrige, Adelina merrte frymë thellë. Numëronte deri në katër dhe ndihmonte për ta pastruar.
Në shkollë, Adelina vëzhgoi për njerëz që kishin nevojë për ndihmë. Lukasi kishte ndrydhur kyçin e këmbës, ndaj ajo i çoi në drekë tabakanë e ushqimit.
Ndërsa po largohej nga shkolla, Adelina i buzëqeshi fort zonjës që mbante hapur derën e shkollës. Zonja zakonisht dukej e vrenjtur. Mirëpo, sot edhe ajo i buzëqeshi!
Pas shkolle, Adelina i dha Silviës kafshën e saj të parapëlqyer prej pelushi për të luajtur. Dhe para se të shkonte në shtrat, ajo bëri një lutje. I shenjoi të gjitha pikat te lista e vet dhe u struk në batanijet e saj. Ndihej shumë krenare dhe shumë e lodhur. Ishte gati edhe për një ditë tjetër të përsosur nesër!
Kur Adelina u zgjua të nesërmen, të gjitha kukullat e saj ishin përhapur kudo në dysheme. Silvia kishte marrë një dhe e kishte futur në gojë. S’do mend që ajo i kishte nxjerrë të gjitha!
“Silvia!” – bërtiti Adelina. “Të thashë të mos m’i prekje kukullat!” Ajo ia mori Silviës kukullën që kishte në duar. Silvia filloi të qante dhe u largua me vrap.
Adelina i hodhi një sy listës së synimeve te dera. I pikoi në zemër.
Mami erdhi në çastin kur Adelina ndjeu një pikë loti në faqe.
“Çfarë ka ndodhur?” – pyeti mami.
“Harrova të bëja lutjen. Nuk e rregullova shtratin.” Adelinës iu drodh zëri. Dhe u solla keq me Silviën. Dita ime e përsosur kaq e pati!”
Mami i dha Adelinës një përqafim. “Është shumë e vështirë të jesh e përsosur gjithë kohën. Në fakt, është e pamundur.”
Adelina u vrenjt. “Po mirë pra, si mund të përsosem në Krisht?”
“Kjo është pra! Ne nuk mund të përsosemi pa Jezu Krishtin”, – tha mami. “Ai dha jetën e Tij për ne, ngaqë Ati Qiellor e dinte se do të bënim gabime dhe do të kishim nevojë për ndihmë. Jezusi i merr përpjekjet tona të papërsosura dhe i bën më të mira.”
Adelina u mendua për këtë. “Pra, nuk mund të kem ditë të përsosura çdo ditë?” – pyeti ajo.
Mami tundi kokën. “Jo. Do të kesh ditë të vështira. Por do të kesh edhe ditë të mira.” Mami ia kaloi flokët pas veshit Adelinës. “Fakti që ti përpiqesh, kjo ka rëndësi. Edhe nëse dita nis me një zgjedhje të gabuar, ne mund të bëjmë gjithmonë një lutje për t’u penduar e për ta provuar sërish. Me ndihmën e Jezu Krishtit, je mjaftueshëm e mirë.”
Adelina ndjeu ngrohtësi brenda vetes.
“Tani, për sa i përket listës.” Mami tregoi me gisht nga lista. “Si thua sikur të përqendrohemi te një gjë e vetme?”
Adelina e vështroi listën e saj. Ajo e grisi një pjesë të fletës dhe e ngjiti pjesën që mbeti sërish te dera. Ajo pikë që është ende aty thotë: Bëj lutje në mëngjes e në mbrëmje.
Adelina buzëqeshi. “Dita ime mund të mos ketë nisur në mënyrë të përsosur, por prapëseprapë mund të bëj një lutje tani. Dhe me ndihmën e Jezu Krishtit, do të jetë mjaftueshëm!”
Ilustrimet nga Giovanni Abeille