Lexim i Thjeshtë
Fjalë të Ëmbla dhe të Thjeshta
Një ngjarje e vërtetë nga SHBA‑ja.
Kejsi buzëqeshi teksa shkoi të ulej në Fillore. Sot kishte qenë programi i Fillores në mbledhjen e sakramentit. E kishte pasur me frikë ta thoshte pjesën e vet, por ia doli!
Motra Denç, presidentja e Fillores, qëndroi aty përpara. “Ju lumtë për sot në mbledhjen e sakramentit!”, – tha ajo. “E di që secili prej jush ka punuar fort për ta mësuar pjesën e vetë.”
“Përveç Kejsit”, – tha njëri nga djemtë më të rritur. “Askush nuk e kuptoi se çfarë tha ajo.”
Motra Denç e pa me zhgënjim djalin, pastaj u kthye t’i buzëqeshte Kejsit. “Ia dole për mrekulli.”
Kejsi u përpoq të mos qante. Kishte bërë çmos për ta mësuar pjesën e vet. Mirëpo, nganjëherë fjalët nuk i dilnin të qarta.
Rrugës për në shtëpi, Kejsi nuk i mbajti më lotët.
“Çfarë ke?” – e pyeti mami.
“Njëri nga djemtë u tall me mua. Më tha që nuk e thashë mirë pjesën time.” Ajo filloi të qante me dënesë.
“Ia dole shumë mirë. Unë me babin jemi krenarë për ty”, – tha mami. “A e di ti se kush tjetër është krenar për ty?”
Kejsi tundi kokën.
“Ati Qiellor”, – tha mami. “Ai e di që bërë më të mirën.”
Kejsi u ndje shumë më mirë. Ajo donte po ashtu, t’i përdorte fjalët e saj për t’i ndihmuar njerëzit të ndiheshin të lumtur.
Në shkollë, Kejsi i tha mësueses se e jepte shumë mirë mësimin.
Në shtëpi, babi po rregullonte një raft. Kejsi i tha: “Të lumshin duart që po e zbukuron shtëpinë!”
Në oborr, Kejsi dhe vëllai luajtën me top së bashku. Kejsi i tha se po e gjuante topin shumë mirë.
Përgëzimi i njerëzve për punën e tyre, e bënte Kejsin të ndihej mirë brenda vetes. Kur i shihte të tjerët të buzëqeshnin, ajo e dinte se fjalët e saj të thjeshta bënin një ndryshim të madh!
Ilustrimet nga Greg Paprocki