Pionierë në Çdo Vend
Paksa si Parajsë
“A dëshiron të vish në kishë?” – pyeti dajë Reza.
Një ngjarje e vërtetë nga India dhe Kanadaja.
Tahira palosi këmishën e fundit dhe e futi në valixhe. Po bënte gati valixhen për një udhëtim veror tek tetoja dhe daja i saj në Kanada. Ishte e emocionuar, por edhe pak nervoze. Kanadaja ishte shumë larg nga shtëpia e saj në Indi.
“A i more të gjitha?” – e pyeti mami.
“Mendoj se po.” Tahira mbylli valixhen.
“Do t’ia kalosh bukur. Sigurohu që t’i përqafosh fort dajë Rezën dhe teto Misun nga ana ime”, – tha mami.
Kur Tahira zbriti nga avioni në Kanada, ajo e përqafoi fort dajë Rezën dhe teto Misun. “Këtë e kam porosi nga mami”, – tha ajo.
Ata i kaluan dy ditët në vijim duke eksploruar qytetin dhe vendet rrotull. Ajo pati rastin të vizitonte për herë të parë parkun e argëtimit dhe të shihte ujëvarat e Niagarës. Ishte shumë argëtuese!
Të shtunën pasdite, edhe Tahira ndihmoi kur u përgatit pula me salcë makhani për darkë. Pasi hëngrën, dajë Reza i bëri asaj një pyetje.
“A ke dëshirë të vish me ne në kishë nesër?” – pyeti ai. “Ne shkojmë në një kishë të krishterë. Atje mësojmë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.”
“Patjetër”, – tha Tahira. Mami dhe babi besonin në një fe tjetër, por Tahira shkonte në një shkollë të krishterë me konvikt në Indi. Të shkonte në një kishë të re nuk do të ishte edhe aq ndryshe.
Ditën tjetër, Tahira veshi një fustan që ia dha tetoja. Kur mbërritën në godinën kishtare dhe hynë brenda, çdokush po këndonte. Tahira u ndal dhe ua nguli sytë gjithë atyre njerëzve. Kishte nëna dhe baballarë të ulur me fëmijët e tyre. Çdokush dukej i lumtur. Ata këndonin shumë bukur.
“Është si parajsë”, – mendoi Tahira.
Tahira u ul në një nga stolat me teto Misun dhe dajë Rezën. Vështroi teksa shpërndanin tabakatë e bukës dhe ujit. Dëgjoi folësit të jepnin biseda rreth Jezu Krishtit. Dhe dëgjoi këngë të tjera. Kënga e fundit ishte rreth faktit që familjet do të jenë bashkë përgjithmonë. I pëlqeu shumë ndjesia që i dhanë fjalët e këngës.
Pas lutjes së fundit, Tahira u kthye nga dajë Reza. “Çfarë do të thotë të jesh bashkë përgjithmonë?”
Dajë Reza buzëqeshi. “Ne besojmë se nëse e ndjekim Jezu Krishtin dhe bëjmë premtime me Perëndinë dhe i mbajmë ato, mund të jetojmë në qiell me familjet tona një ditë – të gjithë bashkë.”
Tahira ndjeu ngrohtësi nga koka deri te këmbët. I pëlqente shumë ideja e të qenit përgjithmonë me familjen e saj.
Pas kishës, Tahira vazhdoi të mendonte rreth muzikës së bukur. Donte të mësonte më shumë rreth Jezu Krishtit dhe familjeve që do të jenë bashkë përgjithmonë. Ajo vendosi të takohej me misionarët. Ndërsa javët kalonin, Tahira e dinte gjithnjë e më shumë se ungjilli ishte i vërtetë.
Tahira i mori prindërit në telefon për t’iu treguar atë që po mësonte. Pastaj u bëri një pyetje të rëndësishme. “A mund të pagëzohem?” Ata thanë: “Po”.
Ditën e pagëzimit të saj, Tahira, dajë Reza dhe teto Misuja kënduan këngën: “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”. Dajë Reza e kishte përkthyer që të mund ta këndonin në hindisht. Hindishtja ishte gjuha që ajo fliste në mëmëdheun e saj, në Indi.
Ndërsa këndonte, Tahira ndiente ngrohtësi në zemër. Iu duk si parajsë. Tahira e dinte se për shkak të Jezu Krishtit, nëse i mbante premtimet ndaj Atit Qiellor, ajo mund të jetonte me Ata të dy përsëri një ditë.
Ilustrimet nga Ekata Mandal