2025
Ku Janë Bekimet e Mia të Premtuara prej Pagimit të së Dhjetës?
Shtator 2025


“Ku Janë Bekimet e Mia të Premtuara prej Pagimit të së Dhjetës?”, Liahona, shtator 2025.

Ku Janë Bekimet e Mia të Premtuara prej Pagimit të së Dhjetës?

Ati Qiellor shpesh dhuron bekime “domethënëse, por të padukshme” në vend të mrekullive të menjëhershme kur e paguajmë të dhjetën.

ilustrim i një personi duke vendosur të dhjetën në një zarf

Ilustrimi nga Dilleen Marsh

Malakia premtoi se, në qoftë se ia japim të dhjetën tonë Perëndisë, atëherë Ai do të hapë pragjet e qiellit dhe do të derdhë një bekim, “sa nuk do të ke[m]i vend të mjaftueshëm ku ta shti[em]” (Malakia 3:10).

Lidhur me atë premtim, ne shpesh dëgjojmë histori të bekimeve të mrekullueshme dhe të menjëhershme që u erdhën atyre që e nderuan urdhërimin për ta paguar të dhjetën. Por çfarë ndodh nëse nuk i marrim bekime të ngjashme në kohën tonë të nevojës së skajshme materiale? Duke qenë se nuk i shohim bekime të ngjashme të ndodhin në vetë jetën tonë, mund të jetë shkurajuese. Madje mund të pyesim: “A bekohem unë?”

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na kujtoi se “pragjet e qiellit hapen në mënyra të shumta. Disa mënyra janë materiale, por shumë janë shpirtërore. Disa mezi dallohen dhe janë të lehta për t’u anashkaluar. Mirëbesoni në kohën e Zotit; bekimet gjithmonë vijnë.”

Mësimet nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mund të na ndihmojnë gjithashtu të kuptojmë se bekimet që marrim, mund të vijnë në një mori mënyrash që mund të mos i kemi marrë parasysh. Ai tha: “Disa nga bekimet e shumëllojshme që fitojmë, kur i bindemi këtij urdhërimi [ligjit të së dhjetës], janë domethënëse, por të padukshme. Të tilla bekime mund të dallohen vetëm nëse jemi shpirtërisht të vëmendshëm dhe vëzhgues (shihni te 1 Korintasve 2:14).”

Kërkimi dhe dallimi i bekimeve domethënëse, por të padukshme të pagimit të një të dhjete të plotë, mund të na ndihmojnë që të kuptojmë se Perëndia është i vetëdijshëm për ne dhe është duke na bekuar.

Bekime Domethënëse, por të Padukshme

Vullneti i Perëndisë nuk është gjithmonë i njëjtë me vullnetin tonë (shihni tek Isaia 55:8–9). Për shkak të kësaj, bekimet e Perëndisë mund të mos na vijnë gjithmonë sipas mënyrës që e dëshirojmë apo e presim. Për shembull, Plaku Bednar dha disa shembuj të bekimeve të papritura që mund të vijnë prej pagimit të së dhjetës: “Nganjëherë ne mund t’i kërkojmë Perëndisë sukses dhe ai na jep qëndrueshmëri fizike dhe mendore. Ne mund të lutemi për begati dhe marrim këndvështrim më të zgjeruar dhe durim më të shtuar, ose ne bëjmë kërkesë për rritje dhe bekohemi me dhuratën e hirit. Ai mund të dhurojë mbi ne bindje dhe mirëbesim, ndërkohë që përpiqemi për të arritur synime të denja. Dhe kur lutemi për lehtësim nga vështirësitë fizike, mendore dhe shpirtërore, Ai mund ta rrisë vendosmërinë dhe aftësinë tonë ripërtëritëse.”

Plaku Bednar gjithashtu sugjeroi se nganjëherë “bekimi që na vjen përmes pragjeve qiellore, mund të jetë aftësi më e madhe për të vepruar dhe për t’i ndryshuar vetë rrethanat tona, në vend që të presim që rrethanat tona të ndryshohen nga dikush ose diçka tjetër”. Shihni, për shembull, se si një bashkëshort dhe bashkëshorte nga Argjentina e ndien këtë gjë në jetën e tyre, sipas historisë së tyre te: “Why Do You Still Pay Tithing?” [“Përse e Paguani Akoma të Dhjetën?”] (Liahona, mars 2013, f. 37).

Koha e Perëndisë

Ne gjithashtu mund të mësojmë që të mirëbesojmë se bekimet vijnë në vetë kohën e Perëndisë dhe në vetë mënyrën e Tij.

Plaku Majkëll Xhon U. Teh, i Të Shtatëdhjetëve, tha: “Kur i bindemi ligjit të së dhjetës, ne … nuk duhet t’i japim Zotit një afat kohor. Ka një prirje për disa njerëz që t’i presin bekimet materiale të vijnë në një kohë të caktuar që e vlerësojnë ata. Kjo është mënyra se si shumica e humbasin sigurinë e tyre te premtimet e Tij. Ata janë besnikë në fillim, por më pas nuk binden më kur nuk plotësohen pas ca kohe pritshmëritë e tyre. Na nevojitet të pranojmë se të gjitha gjërat bëhen në përputhje me vullnetin dhe afatin kohor të Zotit dhe jo tonat.”

Kuptueshmëria se afati kohor i Perëndisë ndryshon nga i yni, mund të na ndihmojë që të pranojmë më mirë se, thjesht fakti që nuk kemi pasur një mrekulli të menjëhershme, nuk do të thotë se nuk jemi bekuar.

Urtësia e Perëndisë

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dha mësim: “Dikush ka thënë se jeta është ajo që na ndodh, ndërkohë që po bëjmë plane të tjera. Për shkak të gjërave mbi të cilat nuk kemi kontroll, nuk mund të planifikojmë apo të realizojmë çdo gjë që dëshirojmë në jetë. Shumë gjëra të rëndësishme që nuk i kemi planifikuar, do të na ndodhin në jetë dhe jo të gjitha këto janë të mirëpritura.”

Në rrugëtimin tonë në vdekshmëri, edhe ata që janë të bindur ndaj ligjit të së dhjetës mund të përjetojnë vështirësitë financiare të papunësisë, urgjenca të papritura, keqadministrim të financave ose rroga të ngelura në vend. Njohuria se Perëndia është në kontroll, mund të na ndihmojë që të na rritet besimi dhe durimi kur kërkojmë bekimet domethënëse dhe të padukshme të së dhjetës. Mund të ndodhë që disa prej këtyre vështirësive janë faktikisht bekime që do të na ndihmojnë të rritemi përmes vetë sprovës.

Plaku Hju B. Braun, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (1883–1975) dikur dha një mësim të tillë që e mësoi ndërkohë që po krasiste një shkurre frutore në një fermë në Kanada.

Ndërsa po bënte pastrime dhe riparime të pronës së tij, ai ndeshi një shkurre frutore që ishte rritur më shumë se dy metra e lartë dhe nuk po jepte fruta. Kështu që ai e krasiti atë së tepërmi, duke lënë vetëm cungje të vegjël. Pamja e bëri të dukej sikur shkurrja frutore po qante dhe Plaku Braun mendoi se e dëgjoi shkurren të thoshte:

“Si munde të ma bësh këtë mua? Unë po rritesha kaq shkëlqyeshëm. … Dhe tani ti më preve. … Mendoja se ti ishte kopshtari këtu.”

Plaku Braun iu përgjigj: “Shih, shkurre e vogël frutore, unë jam kopshtari këtu dhe e di se çfarë dua që të bëhesh. Nëse të lejoj të rritesh ashtu siç dëshiron ti, nuk do të japësh kurrë aq sa mundesh. Por një ditë, kur të kesh bërë fruta, do të mendosh për të shkuarën dhe do të thuash: ‘Faleminderit, z. Kopshtar, që më preve, që më doje aq sa të më lëndoje.’”

Kur hasim vështirësi financiare dhe nuk i shohim bekimet e premtuara të pagimit të së dhjetës, ne mund ta pyesim Perëndinë me lot në sy, në të njëjtën mënyrë: “Si munde të ma bësh këtë mua? Kam bërë gjithçka që më ke kërkuar. Dhe tani ti më preve.”

Në këto raste, mund të ndalemi një çast për të marrë parasysh nëse sprovat që po përjetojmë, do të na sjellin faktikisht bekime të mëdha nga mësimet që marrim përgjatë rrugëtimit. Ne mund të mësojnë që t’i mirëbesojmë më plotësisht Kopshtarit dhe bekimeve që Ai ka në ruajtje për ne teksa qëndrojmë pranë Tij.

Shpresë dhe Lutje të Vazhdueshme

Bekimet e padukshme, por domethënëse që Perëndia na i jep nga pagimi i së dhjetës, mund të na ndihmojnë që të ngrihemi mbi vështirësitë e shumta të botës. Ati ynë i dashur Qiellor do t’i përshtatë përsosurisht këto bekime për të na ndihmuar që të rritemi dhe të bëhemi më shumë si Ai. Teksa ushtrojmë besim që t’i dallojmë dhe pranojmë të gjitha bekimet që vijnë, ne mund të kuptojmë përmbushjen e premtimit të Malakias.

Kur dyshimi dhe dëshpërimi rrjedhin nga vështirësitë financiare, nëse me lot në sy e vëmë në dyshim faktin a jemi të bekuar, ne nuk e braktisim shpresën. Përkundrazi, ne mund të lutemi që të shohim bekimet e padukshme dhe domethënëse që Zoti i ka dhuruar mbi ne dhe të kemi besim në planin e Atit Qiellor për ne.

Sikurse ka dëshmuar Plaku Andersen: “Ju premtoj se ndërsa mirëbesoni te Zoti, bekimet e qiellit do të vijnë”.