“E Ke Bërë të Lumtur Gjyshen Tënde”, Liahona, shtator 2025.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
E Ke Bërë të Lumtur Gjyshen Tënde
Kushërira e gjyshes sime nuk e kishte idenë se sa shumë domethënie kishin për mua dhurata dhe mesazhi i saj.
Fotografi martese e gjyshes së autores
Duke u rritur me prindër që janë të shurdhër, isha mjaft e vetëdijshme që familja ime ishte ndryshe. Kur isha e vogël, nuk kishte asnjë që të interpretonte për prindërit e mi në mbledhjet ose aktivitetet e Kishës, prandaj nuk e frekuentonim shpesh.
Gjithnjë ndihesha si një person i jashtëm, duke dëshiruar atë që kishin njerëzit e tjerë në lagjen time, një familje që lutej dhe studionte së bashku.
Sidoqoftë, afër mbarimit të vitit tim të fundit në shkollën e mesme, ne u bëmë më aktivë në Kishë. Prindërit e mi u vulosën në Tempullin e Mesës në Arizonë dhe dy nga katër vëllezërit e motrat e mia dhe unë u vulosëm tek ta.
Pesë vjet më vonë po përgatitesha për t’u vulosur e për t’u martuar në tempull. Natën përpara vulosjes sime në tempull, vëllai im dhe bashkëshortja e tij frekuentuan tempullin që të kryenin punën si mëkëmbës për prindërit e nënës sime, si parapërgatitje për vulosjen e tyre të nesërmen. Nëna ime ishte një e kthyer në besim prej gati 20 vjetësh në atë kohë dhe ajo mezi priste të fillonte punën e saj për historinë familjare dhe tempullin.
Të nesërmen, gjyshi dhe gjyshja jonë u vulosën me njëri‑tjetrin, ku vëllai im dhe bashkëshortja e tij përsëri qëndruan si mëkëmbës. Ishte dita ime e dasmës, po, por ajo kishte më tepër rëndësi për mua. Gjyshi dhe gjyshja ime, të cilët nuk i kisha takuar kurrë, po e ndanin këtë ditë të veçantë me mua.
Disa ditë më vonë, ndërkohë që bashkëshorti im dhe unë hapnim dhuratat e dasmës, ne hapëm një dhuratë shumë të veçantë nga kushërira e parë e gjyshes sime. Ajo ishte një grua fetare e cila kishte pasur lidhje të ngushta me gjyshen time. Dhurata ishte një fotografi e gjyshes sime në ditën e saj të dasmës. Në kartolinën shoqëruese thuhej: “Gjyshja jote është kaq e lumtur me ty dhe po të shikon nga lart”.
Kjo kushërirë nuk e kishte idenë se sa shumë domethënie pati për mua mesazhi i saj. As nuk dinte për punën në tempull që ishte kryer kohët e fundit për gjyshen time. Në atë çast e ndieja në zemër se gjyshja ime ishte e kënaqur me mua dhe e lumtur që familja jonë e kishte filluar rrugëtimin e rëndësishëm të historisë familjare dhe punës në tempull.
Tani ishim një familje e përhershme, në shtegun e mbledhjes së paraardhësve tanë dhe të udhëhequr nga nëna ime për bekimin e familjes sonë në anën tjetër të velit.