“Perëndia më Dha Paqe”, Liahona, shtator 2025.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Perëndia më Dha Paqe
Lidhja që gëzoja me Atin Qiellor, më ndihmoi gjatë një kohe shumë të vështirë.
Teksa përgatiteshim që të këndonim gjatë një sesioni përkushtimi të Tempullit të Konsepsionit në Kili, në vitin 2018, të gjithë pjesëtarët e korit të të rinjve në moshë madhore, të cilin po e drejtoja, kishin të njëjtin synim: të kryenin punën muzikore dhe shpirtërore të nevojshme për t’i dhënë Perëndisë ofrimin tonë më të mirë.
Me pjesëtarët e korit, nga dy kunje të qytetit të Çillanit, e përkushtova veten që të isha sa më e pastër të mundesha. Doja të pasqyroja dritën e Krishtit në jetën time. Doja që ofrimi që i dhamë Perëndisë në shtëpinë e Tij të shenjtë, të ishte sa më i përsosur që të ishte e mundur. E dija që po të bënim pjesën tonë, Ati Qiellor do të na ndihmonte dhe do të këndonim siç do të donte Ai që të këndonim.
Gjatë përkushtimit kënduam me zë dhe zemër. Mendoj se engjëjt kënduan bashkë me ne. Zëri i korit ishte i përsosur. Ndiem se hiri i Perëndisë ishte me ne dhe se Ai ishte i kënaqur me ofrimin tonë. Ajo ndjenjë qëndroi me mua për një kohë të gjatë.
Pas përkushtimit të tempullit, u ndjeva e ushqyer shpirtërisht dhe në unitet me Atin Qiellor. Ndjeva një lidhje më të fortë me Të që nuk e kisha përjetuar ndonjëherë. Ajo lidhje ishte kaq e fortë sa ndihesha shpirtërisht e drejtuar në atë që do të kërkoja kur lutesha (shihni tek 3 Nefi 19:24).
Kur erdhi koha e përkushtimit të tempullit, isha pesë javëshe shtatzënë. Pak muaj më vonë, e dështova fëmijën. Ishte një kohë e tmerrshme. U ndjeva kaq e trishtuar, veçanërisht kur mora vesh se mund të mos isha në gjendje të kisha më fëmijë.
Por kjo përvojë e vështirë ndodhi në një kohë kur u ndjeva më e fortë shpirtërisht se kurrë më parë. E kuptova se isha përgatitur për këtë çast nëpërmjet ofrimit që pata dhënë në tempull. Forca shpirtërore që kisha përjetuar, më ndihmoi ta kapërceja këtë sprovë sepse Ati Qiellor ishte me mua dhe më dha paqe.
Pak kohë më pas, Perëndia na bekoi mua dhe bashkëshortin tim me një mrekulli. Ne ishim tej mase të gëzuar kur biri ynë, Arturo, u bë me një motër të vogël, Danielën.
Nuk do të kisha qenë në gjendje ta përballoja atë përvojë pa lidhjen e ngushtë që kisha gëzuar me Atin Qiellor. E dija se gjithçka do të ishte në rregull dhe në përputhje me vullnetin e Tij. Të kujtuarit e këtyre gjërave ende ma mbush zemrën me gëzim dhe mirënjohje.