2025
Mësime të Nxjerra nga të Ftuarit e Krishtit që të Jetë Autori i Historisë Sime
Shtator 2025


“Mësime të Nxjerra nga të Ftuarit e Krishtit që të Jetë Autori i Historisë Sime”, Liahona, shtator 2025.

Gratë në Besëlidhje

Mësime të Nxjerra nga të Ftuarit e Krishtit që të Jetë Autori i Historisë Sime

Ne të gjithë kemi përvoja të ndryshme, por nëse e lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë, ne do ta përmbushim qëllimin e krijimit tonë në mënyra që kurrë nuk mund t’i kishim përfytyruar.

nënë duke mbajtur një fëmijë të sapolindur

Hollësi nga Protector by Day and by Night [Mbrojtëse Ditën dhe Natën], nga Caitlin Connolly, nuk lejohet kopjimi

Në vitin 2016, në mes të pothuajse tri dekadash martese, duke lindur, edukuar shpirtërisht dhe duke i dashur tre djemtë tanë, duke qenë avokate me kohë të plotë, duke shërbyer në thirrje të Kishës dhe duke u kujdesur për nevojat e familjarëve tanë, bashkëshorti im, Dagu, dhe unë u thirrëm që të shërbenim për tre vjet si udhëheqës misioni në Arekipa të Perusë. U larguam pak kohë pasi lindi nipi ynë i parë.

U kthyem në shtëpi në vitin 2019 tek dy mbesa të reja. Dy djemtë tanë më të mëdhenj u martuan dhe më i vogli kishte rënë në dashuri dhe shpejt do të martohej. U ktheva në punën time si avokate dhe thirrja ime e parapëlqyer ishte si mama dhe gjyshe.

Më pas erdhi thirrja për të shërbyer si Presidente e Përgjithshme e Fillores. Tregimi i volitshëm që e kisha shkruar në mendje për veten time, ishte që të kaloja kohë me familjen, edhe një dekadë tjetër pune si avokate që të arrija siguri financiare, si dhe të shërbeja në lagjen time ose në tempull.

Po sikur të kisha mbetur me këtë tregim të volitshëm në mendje?

Do të isha kënaqur duke kaluar më shumë kohë me nipin dhe mbesat e mia dhe mund ta kisha arritur ca siguri financiare. Dhe do të kisha humbur një përvojë që të kalit, që të nxit të shqyrtosh shpirtin dhe që të ndërton besimin. E mundimshme? Po. A ia vlen? O, po!

Jap dëshminë time se “për shkak se [Shpëtimtari] e njeh potencialin tonë përsosurisht, Ai do të na çojë në vende ku nuk e kishim përfytyruar kurrë veten”. Jam e sigurt se Ai do t’ju çojë ju drejt vendeve që nuk i përfytyruat kurrë, dhe shërbimi juaj do t’ju kalitë shpirtërisht. Lejojeni Perëndinë t’ju udhërrëfejë që të ecni përkrah dikujt që ka nevojë për ju!

Mund të gjendeni duke u dhënë mësim të rriturve që të lexojnë. Ose ndoshta duke u shërbyer emigrantëve. Ndoshta do të udhëhiqni një grup komunitar për mirëmbajtjen dhe mbarëvajtjen e parqeve që të jenë të sigurta për familjet. Kur e lejojmë Perëndinë të triumfojë, Ai do të na çojë atje ku Ai ka nevojë për ne dhe në vende që nuk i përfytyronim kurrë.

Presidenti Rasëll M. Nelson deklaroi se ne “m[arrim] më shumë besim duke bërë diçka që kërkon më shumë besim”.

E di se kjo është e vërtetë. Pasi, duke e lejuar Perëndinë të triumfojë në jetën time, duke e lejuar Atë që të jetë autori i historisë sime, më është rritur besimi te Jezu Krishti.

Atëherë, si do ta lejoni ju Atë të triumfojë?

Si i duket kjo gjë një personi të ri në moshë që po vazhdon arsimimin dhe dëshiron të martohet e të ketë familje? Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, ka shpjeguar se zgjedhja nuk është midis familjes ose arsimimit apo karrierës. Ai tha: “Koha e duhur është ajo që duhet të zgjedhim dhe ne kërkojmë frymëzimin e Zotit dhe mësimet nga shërbëtorët e Tij për ta bërë atë”.

Duke e trajtuar këtë temë, dua të jem e ndjeshme ndaj atyre që kanë një dëshirë të sinqertë dhe të qëndrueshme për t’u martuar e për të pasur fëmijë në këtë jetë dhe të cilët janë beqarë. Vë në dukje se shumë njerëz janë prindër të vetëm për shkak të vdekjes ose shkurorëzimit. Njoh çifte të panumërta që janë të martuar, dëshirojnë fëmijë dhe po vuajnë nga shterpësia dhe humbja e fëmijës në shtatzëni. E di që po vuani. Ju doni që koha sipas Perëndisë të ndryshojë. Ky nuk është tregimi që keni shkruar për veten tuaj. Më pikon zemra për ju.

Historia e Çdo Njeriu Është e Ndryshme

Unë e vazhdova arsimimin, si diplomën universitare ashtu edhe diplomën për jurisprudencë. U martova kur isha në mes të studimeve për ligjin. Linda djalin e parë vitin që kalova provimin e jurisprudencës. Linda fëmijë dhe bashkëshorti im dhe unë i deshëm dhe i edukuam shpirtërisht ata ndërkohë që punonim që të dy. Ishte një kohë e ngarkuar, nganjëherë e ethshme; ishim në tendosje dhe ngandonjëherë të lodhur. Unë e përkrahja atë dhe ai më përkrahte mua. Familja ishte, dhe ende është, përparësia jonë kryesore. Bashkëshorti im dhe unë kërkuam frymëzim për këto zgjedhje dhe për kohën sipas Perëndisë. Ishte ajo që ndiem mbresën të bënim. Po përpiqeshim ta lejonim Perëndinë të triumfonte.

Nga një këndvështrim financiar e profesional, do të kishte pasur kuptim ta kishim lënë për më vonë lindjen e fëmijëve, derisa të isha më e stabilizuar në karrierën time. Por duke e lejuar Zotin që të jetë autori i historive tona, nganjëherë bëjmë gjëra që për botën nuk mund të kenë kuptim. Kalova rrokopujën e shtatzënisë, lindjes së fëmijëve, edukimit të tyre shpirtëror, shoqërimit të tyre me makinë, garave sportive për fëmijët, përgjegjësive në Kishë, të qenit një bashkëshorte përkrahëse dhe veprimtarive të mia profesionale. Ishte një rrokopujë e gëzueshme që nuk do ta ndryshoja. Ndiheshim të sigurt në udhën tonë ngaqë po e lejonim Perëndinë të triumfonte.

Ju lutem, mos më keqkuptoni. Nuk po sugjeroj që çdo njeri duhet të ndjekë udhën time. Historitë tona nuk janë njësoj. Unë tregoj historinë time ngaqë është ajo që di. Gjithsesi, një gjë që e kemi vërtet të përbashkët, është motivimi ynë: ta lejojmë Perëndinë të triumfojë.

Të qenit nënë është përparësia ime më e lartë. Është gëzimi im përfundimtar. Perëndia i bekoi prindërit tanë të parë dhe i urdhëroi ata që të ishin “të frytshëm dhe [të] shum[oheshin], [të] mbushni[n] tokën” (Zanafilla 1:28). Urdhërimi i parë që iu dha Adamit dhe Evës, “kishte lidhje me potencialin e tyre … për të qenë prindër”.

Orientimi im kryesor është drejt të qenit nënë. Ai orientim nuk ishte në mospërputhje me synimin tim të zellshëm për një arsimim. Ne urdhërohemi që të kërkojmë të mësuarit, një pjesë e të cilit vjen nga synimi ynë për të ndjekur arsimimin. Gjithashtu vjen nga të qenit prindër, ku mësojmë të bëhemi si Perëndia, ndërkohë që kultivojmë tipare të dashurisë, dhembshurisë dhe durimit.

Ta lejojmë Perëndinë që të triumfojë, përfshin që ta ftojmë Atë të përfshihet në kohën kur bëjmë zgjedhjet tona.

Jam tërësisht mirënjohëse që kam marrë frymëzim nga Zoti dhe drejtim nga profetët për të më ndihmuar mua dhe bashkëshortin tim lidhur me kohën kur bëmë zgjedhjet tona për t’i ftuar fëmijët në familjen tonë pikërisht në atë kohë. O sa mirënjohëse jam që veprova sipas nxitjeve dhe nuk i lejova ndikimet e botës, volinë, nderin ose paratë të bëheshin pengesë në zgjedhjen për të përmbushur potencialin tim hyjnor për lindjen dhe rritjen e fëmijëve.

gra me dhe pa fëmijë

Women with and without Children [Gra me dhe pa Fëmijë], nga Caitlin Connolly, nuk lejohet kopjimi

Qëllimi i Krijimit Tonë

Nëse burrat dhe gratë nuk bëjnë dhe rrisin më fëmijë, kjo përvojë në vdekshmëri mbaron. Në thelb është e rëndësishme, atëherë, që ne as nuk duhet ta lëmë pas dore dhe as të heqim dorë nga përgjegjësia e shenjtë për t’u bërë prindër.

Një mori të dhënash shoqërore dhe shkencore tregojnë ndikimin vendimtar e negativ kundrejt kombeve dhe qytetërimeve që ndaluan së linduri fëmijë. Në shumë pjesë të botës, numri mesatar i lindjeve të gjalla për grua është më pak se dy. Kjo do të thotë që ne nuk po e zëvendësojmë veten tonë.

Si udhëheqës të Kishës, jemi të shqetësuar rreth prirjeve të kohës së fundit kundrejt martesës dhe lindjes së fëmijëve. Në Shtetet e Bashkuara, gjatë 30 vjetëve të fundit, ne kemi parë një rënie prej tetë deri në nëntë përqind të atyre qytetarëve që janë martuar ndonjëherë. Këto shifra “përfaqësojnë një problem mbarëbotëror”. Kur njerëzit nuk martohen, më pak fëmijë lindin.

Kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara kaluan një “prag ku, për të rriturit e moshave 18–55 vjeç, tani ka një pjesë më të madhe të personave në moshë madhore beqarë pa fëmijë sesa ka persona në moshë madhore të martuar me fëmijë”.

Fëmijët janë jetikë për ta ruajtur qytetërimin. Ata janë jetikë për planin e lavdishëm për lumturinë. Urdhërimi për ne që të shumohemi dhe të mbushim tokën “mbetet i vlefshëm”.

ilustrim i një familjeje duke qëndruar në këmbë së bashku

Hollësi nga Us with Them and Them with Us [Ne me Ata dhe Ata me Ne], nga Caitlin Connolly, nuk lejohet kopjimi

Lejojeni Zotin që ta Shkruajë Historinë Tuaj

E di që dëshira e çiltër e shumë zemrave mund të jetë që të martohen dhe të rritin fëmijë. Prapëseprapë shumë janë të pamartuar ose vuajnë nga shterpësia. Mikesha ime më e shtrenjtë, e cila nuk është martuar kurrë dhe nuk ka pasur fëmijë të vetët, i ka dashur fëmijët e mi dhe është kujdesur për ta. Kjo nuk e zëvendëson dashurinë dhe kujdesin që do të kishte për fëmijët e vet. Është provë se orientimi i saj mbetet drejt të qenit nënë.

Biri im dhe nusja ime kanë kaluar përmes sfidës së humbjes së fëmijëve në shtatzëni. Dëshira e tyre është e drejtë. Ata po përpiqen ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre. Mbani mend, kur kërkojmë me besim që ta lejojmë Jezu Krishtin të jetë autori dhe plotësonjësi i historisë sonë, ne duhet të jemi të përgatitur që të veprojmë sipas një tregimi jo të volitshëm me shpresën se ai, ndonëse i dhimbshëm, përfundimisht është më i madhërishëm e më çelestial nga sa mund ta përfytyrojmë.

Mes miqve të mi të dashur është një çift pa fëmijë, të cilët u martuan më vonë në jetë dhe vuajtën nga shterpësia. Ata kërkuan me besim nëse duhej të birësonin fëmijë. Në vend të një foshnjeje, ndien mbresën që të birësonin katër motra të moshave 5 deri në 17 vjeçe. Pa dyshim, kjo që rezultoi pozitive, nuk ishte tregimi që e kishin shkruar për veten e tyre. Por, o, çfarë historie madhështore ka shkruar Ai me ta!

Cilatdo qofshin rrethanat tona vetjake, ne jemi të gjithë pjesë e familjes së Perëndisë, pjesëtarë të një familjeje tokësore dhe duke u përgatitur që të jemi prindër të përjetshëm. Bekimet e ekzaltimit të vëna në dispozicion për ne nëpërmjet Shpëtimtarit, Jezu Krishtit, përfshijnë pasardhësit. Dhe kështu, qoftë nëse jemi të vulosur dhe lindim fëmijë në këtë jetë apo në jetën pas kësaj, synimi ynë është ekzaltimi, i cili mund të jetë i yni nëse i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet. Kur hyjmë në një marrëdhënie besëlidhjesh me Perëndinë, ne lidhemi vertikalisht me Të dhe nuk jemi kurrë vetëm. Ne bekohemi me “një masë të shtuar [të] dashuri[së] dhe mëshir[ës së Tij]”.

Si njerëz të besëlidhjes, ne planifikojmë dhe përgatitemi për martesë dhe për të pasur e edukuar shpirtërisht fëmijë. Ç’thirrje e shenjtë dhe e shenjtëruar! Ne duam, udhëheqim dhe japim shërbesë dhe bëhemi prindër që të tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë dhe fëmijët e Tij, sepse dëshirojmë që Ai të triumfojë në jetën tonë.

Kjo është një kohë e lavdishme për të qenë gjallë dhe për të bërë besëlidhje në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Të kuptuarit e rolit, qëllimit dhe përgjegjësisë sonë në planin e lumturisë është fisnikërues, risigurues dhe i gëzueshëm. Dituria se kemi një profet të gjallë që po na përgatit për atë që shtrihet përpara, më sjell paqe dhe madje optimizëm mes pasigurisë. Marrëdhënia ime besëlidhëse me Perëndinë më jep siguri. Siguria prej besëlidhjeve të mia është te Jezu Krishti.

Unë dëshmoj se Ai jeton, se dashuria e Tij për ne është shfaqje e gatishmërisë së Tij për të ofruar jetën dhe Shlyerjen e Tij për secilin prej nesh.