2025
Pemët e Çmuara Bonsai dhe Dëshmitë e Çmuara
Shtator 2025


“Pemët e Çmuara Bonsai dhe Dëshmitë e Çmuara”, Liahona, shtator 2025.

Pemët e Çmuara Bonsai dhe Dëshmitë e Çmuara

Çdo dëshmi është një dhuratë e paçmuar që kërkon përkushtim dhe besim të thellë vetjak që ajo të mbetet si një emblemë bukurie dhe gëzimi.

pemë bonsai

Fotografia me mirësinë e autorit

Në qendër të Tokios në Japoni, pashë diçka në kopshtin e bukur të një parku që më mahniti. Përgjatë një shtegu përmes parkut qëndronte një mur mbi të cilin ishin lidhur më shumë se një duzinë vazosh të vogla, ku secila mbante një pemë bonsai. Secila pemë e bukur në mënyrë të pashoqe, kishte një shenjë të vogël që tregonte vjetërsinë. Shumica ishin mbi 100‑vjeçare.

Njëra, 390‑vjeçare, ende jepte fryt. Një tjetër kishte dy trungje të ndërthurur, një të tharë, një tjetër jo të tharë. Ishte një pemë e mahnitshme 590‑vjeçare.

Përfytyrova se si secila pemë bonsai duhej të ishte rritur e krasitur në fillim me krenari dhe gëzim të madh. Më vonë, pemët ka të ngjarë që u bënë trashëgimi e vyer familjare. Mendova për prindërit e moshuar që u ngarkojnë fëmijëve të tyre përgjegjësinë e të ushqyerit plot kujdes të pemës familjare bonsai, duke e mbajtur atë të sigurt nga rreziku dhe duke e ruajtur për brezat e ardhshëm.

Këto pemë vocërrake në Tokio u kanë mbijetuar luftërave të tmerrshme dhe kohëve të paqes, stuhive të mëdha dhe kohëve të motit të qetë. Ato janë një dëshmi e jashtëzakonshme përkushtimi, tradite dhe përkujdesjeje plot dashuri.

Një Dhuratë e Çmuar

Që kur i pashë këto pemë bonsai, më ka ngjallur kureshtje mendimi se si familjet shumëbrezëshe në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e fillojnë me një pjesëtar të vetëm pionier të familjes, duke fituar një dëshmi të çmuar për ungjillin e rivendosur.

Dëshmia e çdo anëtari të ri të Kishës fillon kur ata i “bë[jnë] vend” ose e mbjellin fjalën e Perëndisë në zemrat e tyre dhe më pas e ushqejnë atë (shihni tek Alma 32:28). Ndërkohë që dëshmia rritet, veprimet e atij anëtari të ri marrin formë dhe krasiten në një mënyrë të ndryshme jetese.

Përmes sprovave dhe stuhive të shumta të jetës, një dëshmi e ushqyer shpirtërisht për Jezu Krishtin dhe Kishën e Tij rritet më e fortë. Sikurse një pemë bonsai, një dëshmi jepet dhe kalohet si një dhuratë e çmuar te brezat pasues që edhe ata ta rritin e ta ushqejnë.

Secili brez ka përgjegjësinë e madhe për ta përvetësuar atë dëshmi. Ajo është një dhuratë e paçmuar, por delikate. Që ajo të durojë si emblemë bukurie dhe gëzimi, kërkohet përkushtim dhe besim i thellë vetjak.

Ne nuk e dimë se sa e madhe ishte pema që pa Lehi në ëndrrën e vet. Por vërtet e dimë se ishte jashtëzakonisht e bukur dhe se ai mezi priste që ta ndante frutën e saj me familjen e vet (shihni te 1 Nefi 8). Familja e Lehit u bë një shembull i gjallë i një familjeje shumëbrezëshe, nganjëherë duke pasur sukses në kalimin e traditave të drejta dhe ndonjëherë, për fat të keq, duke i parë dëshmitë të vyshken e të thahen përballë fatkeqësisë, mosbindjes dhe sprovave.

Ne gëzohemi për ata të cilët, si shenjtorë të parë të ditëve të mëvonshme në familjet e tyre, i ushqejnë dëshmitë e tyre të reja duke bërë e mbajtur besëlidhje të shenjta. Dhe i falënderojmë ata shenjtorë pionierë për mënyrën se si ua kalojnë brezave të ardhshëm dashurinë e tyre për Perëndinë.

Prindërit, mësuesit, rinia dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore të cilët u japin përparësi mbledhjeve të së dielës, shërbimit në tempull dhe frekuentimit të seminarit, institutit dhe konferencave për rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore, duke e mbajtur Shpëtimtarin të parin në jetën e tyre, po sigurojnë dheun dhe ushqimin shpirtëror për dëshmitë e reja që të zhvillohen.

Ashtu si pemët bonsai që pashë në Tokio, dëshmitë tona për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur, janë zotërime të paçmuara që do t’i bekojnë njerëzit që i duam. Ato mund të bëhen trashëgimia jonë kur i ushqejmë me kujdes, i çmojmë dhe i kalojmë ato nga brezi në brez.