2025
COVID‑i Pothuajse e Devijoi Ëndrrën e Saj për në Tabernacle Choir
Shtator 2025


“COVID‑i Pothuajse e Devijoi Ëndrrën e Saj për në Tabernacle Choir”, Liahona, shtator 2025.

COVID‑i Pothuajse e Devijoi Ëndrrën e Saj për në Tabernacle Choir

Izolimi prej karantinës më dha një mësim të thellë: dashurinë si të Krishtit për të vetmuarit.

Laura Eçarri Ermoso

Në vjeshtën e vitit 2024, jo shumë kohë pasi u thirr që të ishte këshilluese zonale për organizatat në Zonën e Europës Qendrore, Laura Eçarri Ermoso udhëtoi më shumë se 8000 kilometra larg nga shtëpia e vet në Pamplona të Spanjës, që të këndonte si anëtare e ftuar e The Tabernacle Choir at Temple Square.

Kishte qenë në Solt‑Lejk‑Siti të Jutës, në SHBA, për vetëm tri ditë kur ajo doli pozitive me virusin COVID‑19 dhe u vetëkarantinua. Mundësia e saj për të kënduar në kor për konferencën e përgjithshme të ardhshme dukej e paarritshme.

Në vetminë dhe izolimin në dhomën e hotelit, ajo ra në gjunjë dhe u lut. Shpresonte të shërohej. Donte shumë që të ishte në gjendje të këndonte. Nuk e humbi besimin.

Një Vit më Herët

Në një kohë të vështirë humbjeje, kur trajtimet mjekësore për të lindur fëmijë dolën të pasuksesshme dhe nëna e saj po vuante nga Alzhaimeri, motrës Eçarri nuk i bënte shpirti të këndonte aq shumë sa kishte kënduar dikur. Ishte e vështirë sepse muzika kishte qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës së saj. “Ishte një nevojë që e kam pasur gjithmonë që kur isha vajzë e vogël”, – tha ajo.

Motra Eçarri me nënën e saj

Motra Eçarri (në të majtë) me nënën e saj, Marian.

Ndërkohë që lutej, një mendim i erdhi në mendje se ajo kishte nevojë të këndonte me më shumë njerëz. Një javë më vonë, ajo u kontaktua nga një autoritet i Kishës, i cili e intervistoi. “Ai foli rreth një projekti muzikor që Kisha po e fillonte dhe se ata po kërkonin këngëtarë”, – tha motra Eçarri.

Ai nuk e tha qëllimin e veçantë, por pas një interviste të dytë, autoriteti i zbuloi se Kisha dëshironte këngëtarë të ftuar për Programin për Pjesëmarrës në Rang Botëror në The Tabernacle Choir, që të këndonin në konferencën e përgjithshme.

“Fillova të qaja sepse nuk e dija se çfarë do të ndodhte, por e ndjeva se Zoti ishte atje dhe se Zoti ishte i vetëdijshëm për mua dhe ishte diçka që kurrë, asnjëherë nuk e prisja”, – tha ajo.

Shtegu për në Konferencën e Përgjithshme

Intervista ishte vetëm paraprake dhe u pasua nga një intervistë e dytë me të tjerë. Motrës Eçarri gjithashtu i duhej të regjistronte veten duke kënduar dhe të dorëzonte disa regjistrime. Më pas ajo pati një intervistë përfundimtare nëpërmjet internetit me bashkëdrejtuesin muzikor të Tabernacle Choir, Rajën Mërfin. “Isha tepër nervoze”, – tha ajo.

Përfundimisht, ajo u zgjodh me 13 të tjerë nga e gjithë bota që të këndonin në konferencën e përgjithshme dhe në shtator 2024 i hipi avionit për në Shtetet e Bashkuara. Pas mbërritjes, ajo u diagnostikua me COVID‑19 dhe ishte koha kur filloi karantinën.

Izolimi në vetmi larg shtëpisë i dha një mësim të thellë: Shpëtimtari do t’i jepte ngushëllim në çastet e saj më të vetmuara (shihni te Gjoni 14:26–27). “Mendova se nuk do t’ia dilja mbanë”, – tha ajo. “Isha tepër e shkurajuar, por pata besim. Në të njëjtën kohë nuk po ndihesha mirë. Tani njëri prej synimeve të mia kryesore është të kërkoj njerëz që mund të ndihen të vetmuar e të përpiqem t’u jap lehtësim.”

Pas tetë ditësh izolimi, shëndeti dhe zëri i saj u kthyen dhe ajo bëri prova me korin. Ajo iu bashkua [korit] dhe këndoi me qindra njerëz në podium në Qendrën e Konferencave, si dhe në konferencën e përgjithshme të tetorit 2024.

fotografi grupi e Tabernacle Choir

“Perëndia jeton. Ai është i vetëdijshëm për ne, për secilin prej nesh”, – tha ajo. “Muzika është shërim, ka fuqi shëruese dhe ne kemi nevojë ta mbushim jetën tonë me muzikë. Është shumë e rëndësishme. Mendoj se ka diçka që Zoti po përpiqet të ma thotë: Mbushe jetën tënde me muzikë.”