2025
Dua të Jem si Ti
Shtator 2025


“Dua të Jem si Ti”, Liahona, shtator 2025.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Dua të Jem si Ti

Ndjeva një ankth mbisundues që rridhte nga frika e papërshtatshmërisë, derisa u luta.

ilustrim i një nëne që flet me fëmijët e saj

Ilustrimi nga David Malan

Pas një dite të gjatë, të vështirë, të mbushur me vështirësi që vijnë nga përkujdesja për tre fëmijë të vegjël, gjithçka që doja të bëja, ishte të bëja një banjë dhe të shkoja në shtrat.

Mora frymë thellë dhe shkova në dhomën time që të çlodhesha. Në atë moment, bija jonë pesëvjeçare hyri brenda dhe më kujtoi se ishte radha e saj për intervistën mujore vetjake që bashkëshorti im dhe unë kishim filluar t’i bënim me të dhe djalin tonë trevjeçar. Do t’iu bënim pyetje rreth gjërave të tyre të parapëlqyera dhe çfarë u pëlqente rreth kopshtit ose Kishës. Më pas do t’iu kujtonim atyre se ishin fëmijë të Perëndisë dhe se i donim.

Më pëlqenin këto biseda, por nuk ndihesha fizikisht apo mendërisht gati për të. Fillova t’i thosha bijës sime se do ta bënim bisedën tonë të nesërmen në darkë, por e kuptova se sa të rëndësishme ishin për të bisedat tona.

“Në rregull”, – i thashë e lodhur, – “eja të shkojmë te babi.”

Ne të tre u ulëm mbi shtrat dhe filluam bashkëbisedimin tonë. Pasi bashkëshorti im doli nga dhoma për një çast, e pyeta bijën tonë: “Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?”

Nuk isha e përgatitur për përgjigjen e saj: “Si ty”.

Sytë m’u mbushën me lot dhe zemra m’u mbush me emocion. U preka nga mënyra se si më shihte bija ime, por ndjeva një ankth mbisundues që rrodhi nga frika e papërshtatshmërisë. Mendova për të gjitha arsyet që nuk isha ai modeli shembullor ideal për fëmijët e mi dhe isha fort e vetëdijshme për mangësitë e mia.

Më vonë atë natë teksa lutesha, unë i kërkova plot zell Atit Qiellor që të më ndihmonte të bëhesha një shembull më i mirë për bijën time dhe më e denjë për admirimin e saj. Papritur më pushtoi një valë mbisunduese ngushëllimi, shprese dhe dashurie. U bëra e vetëdijshme për mirënjohjen që kishin për mua Ati im në Qiell dhe Shpëtimtari thjesht që isha një nënë e cila po përpiqej të ishte më e mirë. Ata i vunë në dukje përpjekjet e mia dhe ishin atje që të më ndihmonin të bëhesha nëna dhe bija që Ata shihnin brenda meje.

E di me gjithë zemër se Perëndia na njeh e na do dhe se nëpërmjet “fuqisë aftësuese të Shlyerjes së Shpëtimtarit”, ne mund të bëhemi njerëzit që shpresojmë të bëhemi.

Shënim

  1. David A. Bednar, “In the Strength of the Lord”, Ensign, nëntor 2004, f. 77.