2025
Zoti më Udhëhoqi për në Shtëpi
Shtator 2025


“Zoti më Udhëhoqi për në Shtëpi”, Liahona, shtator 2025.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Zoti më Udhëhoqi për në Shtëpi

Kur e ndoqa një nxitje shpirtërore për t’u kthyer në Bolivi, Zoti më udhëhoqi drejt bekimeve të përjetshme familjare.

ilustrim i një avioni që udhëton përreth rruzullit tokësor

Ilustrimi nga David Malan

Ndërkohë që po punoja me diplomën time të doktoraturës dhe po jepja leksione muzike në Shtetet e Bashkuara, u përpoqa fort që ta jetoja ungjillin dhe të ndieja ndikimin e Perëndisë në jetën time. Isha shumë larg nga shtëpia dhe me raste u ndjeva i vetmuar, por e ndieja dashurinë dhe zërin e Tij të më udhërrëfente në vendimet e mia.

Një ditë, më erdhi ndjenja që duhej të kthehesha në atdheun tim, në Bolivi. Kthimi nuk ishte një vendim që e mora lehtë. Gjërat po shkonin mirë. Por pas lutjes ndjeva fort se duhej të kthehesha, sepse më priste diçka e rëndësishme.

Pas kthimit tim, u hap një program për diplomë universitare në muzikë në njërin prej universiteteve më të mira të Bolivisë, ku gjeta punë si profesor.

Në lagjen time të Kishës, shpejt u takova me një të re që nuk e kisha parë kurrë më parë. Prindërit e saj ishin kthyer në besim në Kishë ndërkohë që po përgatitesha të largohesha për në Shtetet e Bashkuara vite më parë. Filluam të dilnim në takime dhe u martuam, gjë e cila ka qenë një bekim i madh në jetën time.

Para dy vjetësh, gjyshja ime u diagnostikua me kancer. Kishim lidhje shumë të ngushta. Kur isha i vogël, ajo më thoshte: “Ti do të jesh gjithnjë me mua dhe e di se do të kujdesesh për mua”.

Ngaqë isha kthyer në shtëpi, isha atje kur ajo kishte nevojë për mua, duke kaluar kohë me të çdo ditë gjatë muajve të saj të fundit. Ajo nuk u bashkua me Kishën përpara vdekjes së saj, por i pëlqenin shumë revista Liahona, Libri i Mormonit dhe konferenca e përgjithshme. “I besoj të gjitha”, – thoshte ajo.

Më vonë, pata bekimin të isha në Tempullin e Koçabambës në Bolivi, me prindërit e mi kur gjyshja ime u vulos me bashkëshortin e saj, i cili kishte vdekur në moshë të re. Ajo nuk u martua më kurrë. Ndjeva se ata ishin atje në tempull me ne, të gëzuar dhe së bashku përsëri. T’i shihja prindërit e mi në atë dhomë vulosjeje, të qëndronin si mëkëmbës për ta, ishte një pamje e bukur.

Nuk e dimë se si do të shkojnë gjërat në jetën tonë, por Zoti e di se ku duhet të jemi. Ai gjithashtu e di se si të na bekojë dhe Ai do të na udhëheqë që të veprojmë në vend të Tij për t’i bekuar të tjerët. Nëse mirëbesojmë në urtësinë dhe drejtimin e Tij, unë e di se Ai do të bëjë më shumë me jetën tonë sesa mund të bëjmë ne vetë.