2025
Pyetje dhe Përgjigje rreth Shëndetit Mendor
Shtator 2025


“Pyetje dhe Përgjigje rreth Shëndetit Mendor”, Liahona, shtator 2025.

Nga E Përjavshmja për TRMM‑të

Pyetje dhe Përgjigje rreth Shëndetit Mendor

Gjithçka që nuk është e drejtë në jetë, do të ndreqet për shkak të Jezu Krishtit.

flluska diskutimi

Gjetja e gëzimit në ungjillin e Jezu Krishtit, ndërkohë që baraspeshojmë sfidat e shëndetit mendor, nganjëherë mund të duket e pamundur. Forcat që janë të vështira për t’u kontrolluar, mund të na pengojnë për të ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë, ndoshta duke na bërë që të vëmë në dyshim arsyen përse vazhdojmë të përpiqemi.

Edhe pse Zoti nuk i ka zbuluar të gjitha përgjigjet ndaj përgjërimeve tona të shpirtit, Ai ka siguruar udhërrëfim, këshillim, ngushëllim dhe shpresë nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës.

Ja tek janë disa prej fjalëve të tyre të frymëzuara që mund të ndihmojnë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të zakonshme që i bëjnë të rinjtë e të rejat në moshë madhore. Nëse disa prej këtyre pyetjeve gjithashtu po i bluani në mendjen tuaj, dijeni se ungjilli i Jezu Krishtit do t’ju sjellë paqe dhe shpresë kur asgjë tjetër nuk mundet.

Të Ndierit e Shpirtit

Pyetje: A janë sfidat e shëndetit tim mendor rrjedhojë e një mëkati?

Përgjigje: “Është e rëndësishme që të dallojmë se [sëmundja mendore] nuk është rezultati i dobësisë, as nuk është zakonisht rezultat i mëkatit. … Së bashku, ne mund të depërtojmë përmes reve të izolimit dhe stigmatizimit, në mënyrë që barra e turpit të hiqet dhe mrekullitë e shërimit të mund të ndodhin.”

Motra Reina I. Aburto, ish‑Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, “N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!”, Liahona, nëntor 2019, f. 58.

Pyetje: Përse nuk po bëhem më mirë kur po bëj atë që është e drejtë?

Përgjigje: “Mos hamendësoni se mund të rregulloni gjithçka, por rregulloni atë që mundeni. Nëse ato janë vetëm fitore të vogla, jini mirënjohës për to dhe jini të durueshëm. Shumë herë në shkrimet e shenjta, Zoti e urdhëron dikë që të ‘qëndro[jë] në heshtje’ ose të ‘rri[jë] i qetë’ – dhe të presë. T’u bëjmë ballë me durim disa gjërave është pjesë e shkollimit tonë në vdekshmëri.”

Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 41.

Pyetje: Si mund të di se po marr përgjigje për lutjet kur shëndeti im mendor m’i bën të vështira për t’i dalluar?

Përgjigje: “Në shumë prej pasigurive dhe sfidave që hasim në jetën tonë, Perëndia kërkon që ne të bëjmë më të mirën, të veprojmë e të mos detyrohemi të veprojmë (shihni te 2 Nefi 2:26) dhe t’i mirëbesojmë Atij. … Shpeshherë mund të vazhdojmë përpara duke shpresuar e duke u lutur – por pa siguri absolute – [se] jemi duke vepruar sipas vullnetit të Perëndisë. Por, kur i nderojmë besëlidhjet tona dhe zbatojmë urdhërimet, kur mundohemi gjithnjë e më rregullisht të bëjmë mirë e të bëhemi më të mirë, ne mund të ecim me vetëbesimin që Perëndia do t’i drejtojë hapat tanë.”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Shpirti i Zbulesës”, Liahona, maj 2011, f. 90.

Pyetje: Si mund të ndiej gëzim në ungjill kur depresioni ma bën kaq të vështirë që ta ndiej gëzimin?

Përgjigje: “Teksa e hetoni fjalën e Perëndisë për një kuptueshmëri më të thellë për planin e përjetshëm të Perëndisë … dhe përpiqeni fort të ecni në udhën e Tij, ju do të përjetoni ‘paq[en] e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie’ [Filipianëve 4:7], edhe mes hidhërimesh. Ju do të ndieni një masë më të madhe të dashurisë së patejkalueshme të Perëndisë të gufojë në zemrën tuaj. Agimi i dritës çelestiale do të përshkojë hijet e sprovave tuaja dhe ju do të filloni të shijoni lavditë dhe mrekullitë e patregueshme të kupës së padukshme, të përsosur qiellore. Ju do të ndieni që shpirti juaj do të lartësohet, larg nga forca e tërheqjes së kësaj bote.”

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Një Gëzim më i Lartë”, Liahona, maj 2024, f. 69.

E Drejta e Përdorimit të Fuqisë së Jezu Krishtit

Pyetje: Si mund të mësoj që të mirëbesoj dhe të mbështetem te Krishti kur ndiej se nuk mund t’i mirëbesoj vetes për shkak të sfidave të mia të shëndetit mendor?

Përgjigje: “Sa më shumë që mësoni rreth Shpëtimtarit, aq më e lehtë do të jetë që të mirëbesoni në mëshirën e Tij, në dashurinë e Tij të pafundme dhe fuqinë e Tij forcuese, shëruese dhe shëlbuese. …

… Nëse do të dështojë çdo gjë dhe çdo njeri tjetër në botë tek i cili mirëbesoni, Jezu Krishti dhe Kisha e Tij kurrë nuk do t’ju lënë në baltë.”

Presidenti Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 103, 104.

Pyetje: A e di vërtet Krishti se si ndihem unë?

Përgjigje: “Mund të mos ketë asnjë pjesëtar të familjes, mik apo udhëheqës priftërie – sado i ndjeshëm dhe mirëdashës që mund të jetë secili prej tyre – që e di saktësisht atë që po ndieni ose që ka fjalët e sakta për t’ju ndihmuar që të shëroheni. Por dijeni këtë: është Dikush që e kupton përsosurisht atë që po përjetoni, i cili është ‘më i fuqishëm se e gjithë toka’ [1 Nefi 4:1] dhe i cili ‘mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërko[ni] ose mendo[ni]’ [Efesianëve 3:20].”

Plaku Methju S. Holland, i Të Shtatëdhjetëve, “Dhurata e Mrekullueshme e Birit”, Liahona, nëntor 2020, f. 46.

Të Ndierit e Dashurisë së Perëndisë

Pyetje: A më do Perëndia akoma edhe pse kam sfida të shëndetit mendor?

Përgjigje: “Ndoshta ka një kor zërash shkurajimi dhe errësire që ju rëndon mendimet, mesazhe që ju thonë se jeni tepër i/e lënduar dhe i/e pështjelluar, tepër i/e dobët dhe i/e shpërfillur, tepër i/e ndryshëm/me ose i/e çorientuar për ta garantuar dashurinë qiellore në çfarëdo mënyre reale. Nëse i dëgjoni ato ide, atëherë, ju lutem, mbajeni vesh këtë: ata zëra thjesht e kanë gabim. Ne mund ta shpërfillim bindshëm copëtimin e brendshëm të çfarëdo lloji [si diçka] që na shkualifikon për dashurinë qiellore.”

Plaku Karl D. Hirst, i Të Shtatëdhjetëve, “Fëmija i Parapëlqyer i Perëndisë”, Liahona, nëntor 2024, f. 12.

Pyetje: Përse nuk e largon Perëndia këtë sfidë?

Përgjigje: “Duke u përpjekur për ca paqe dhe mirëkuptim në këto çështje të vështira, është thelbësore të kujtojmë se ne po jetojmë – dhe zgjodhëm të jetonim – në një botë të rënë ku, për qëllime hyjnore, kërkimi ynë drejt perëndishmërisë do të vihet në provë dhe do të provohet herë pas here. Siguria më e madhe në planin e Perëndisë është se u premtua një Shpëtimtar, një Shëlbues, i cili, nëpërmjet besimit tonë tek Ai, do të na ngrejë triumfues mbi ato sprova dhe vështirësi, edhe pse çmimi për ta bërë atë do të ishte i pamatshëm si për Atin që e dërgoi Atë, edhe për Birin që erdhi. Është veçse një vlerësim i kësaj dashurie hyjnore që vetë vuajtjen tonë më të paktë do ta bëjë së pari të durueshme, më pas të kuptueshme dhe më së fundi shëlbuese.”

Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 40.

Zgjedhja për të Jetuar

Pyetje: Nëse e di se jeta pas kësaj do të jetë më e mirë, përse duhet të vazhdoj të jetoj në këtë jetë?

Përgjigje: “Cilatdo qofshin shqetësimet ose vështirësitë tuaja, vdekja nëpërmjet vetëvrasjes qartësisht nuk është përgjigjja. Ajo nuk do ta lehtësojë dhembjen që po ndieni, apo që mendoni se po shkaktoni. Në një botë që ka nevojë aq skajshëm për gjithë dritën e mundshme, ju lutemi, mos e pakësoni dritën e përjetshme që Perëndia e vendosi në shpirtin tuaj përpara se të ishte kjo botë. Flisni me dikë. Kërkoni ndihmë. Mos e shkatërroni një jetë për të cilën Krishti dha jetën e Tij që të ruhej. Ju mund t’i duroni vështirësitë e kësaj jete në vdekshmëri, sepse ne do t’ju ndihmojmë që t’i duroni ato.”

Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Mos Druaj; Ti Vetëm Beso!”, Liahona, maj 2022, f. 36.

“Cilado qoftë beteja juaj, vëllezërit dhe motrat e mia – mendore apo emocionale, ose fizike apo diçka tjetër – mos votoni kundër jetës që është kaq e çmueshme, duke i dhënë fund asaj! Mirëbesoni te Perëndia. Mbahuni fort te dashuria e Tij. Dijeni se një ditë, agimi do të [lindë] plot shkëlqim dhe të gjitha hijet e vdekshmërisë do të largohen.”

Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 42.

Përkrahja e Njerëzve të Dashur

Pyetje: Si mund ta përkrah njeriun tim të dashur që po përballet me sfida të shëndetit mendor?

Përgjigje: “Edukimi i vetvetes rreth sëmundjes mendore na përgatit që ta ndihmojmë veten dhe të tjerët që mund të jenë duke hasur vështirësi. Diskutimi i hapur dhe i ndershëm me njëri‑tjetrin do të ndihmojë që kjo temë e rëndësishme të marrë vëmendjen që meriton. Fundja, informacioni i paraprin frymëzimit dhe zbulesës. Këto sfida, shumë shpesh të padukshme, mund të prekin këdo dhe kur ne përballemi me to, ato duken të pakapërcyeshme.

Një nga gjërat e para që duhet të mësojmë, është që ne sigurisht nuk jemi vetëm. Ju ftoj që të studioni temën e shëndetit mendor te pjesa Ndihmë për Jetën e programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Të mësuarit do të çojë në më shumë kuptueshmëri, më shumë pranim, më shumë dhembshuri, më shumë dashuri. Ai mund ta zbutë tragjedinë duke na ndihmuar që të zhvillojmë dhe mbajmë pritshmëri të shëndetshme dhe ndërveprime të shëndetshme.”

Plaku Erik W. Kopishke, i Të Shtatëdhjetëve, “Trajtimi i Shëndetit Mendor”, Liahona, nëntor 2021, f. 38.

Pyetje: Një njeriu im i dashur vdiq duke kryer vetëvrasje për shkak të sfidave të shëndetit mendor. Çfarë do të ndodhë me të?

Përgjigje: “Ka një ide të vjetër sektare se vetëvrasja është mëkat dhe se dikush që [vdes duke kryer] vetëvrasje, dëbohet në ferr përgjithmonë. Ajo është tërësisht e rreme. Unë besoj se në pjesën më të madhe të rasteve do të zbulohet se këta individë kanë jetuar jetë heroike dhe se vetëvrasja nuk do të jetë një tipar përcaktues për përjetësitë e tyre.”

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Renlund: Understanding Suicide” [“Renland: Të Kuptuarit e Vetëvrasjes”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

i ri në perëndim të diellit

Të Shkuarit Përpara dhe të Parit në Drejtimin Lart

Disa përgjigje që na i jep Perëndia, janë të ndryshme nga ato që shpresuam, dhe disa përgjigje nuk do të vijnë në këtë jetë. Ndërkohë që nuk dimë gjithçka tani rreth arsyes pse shumë prej nesh ndeshen me sfida të shëndetit mendor, ne mund të marrim zemër nga premtimi se një ditë do të kemi një kuptueshmëri të përsosur për të gjitha gjërat. Përpjekjet tona, pavarësisht se sa të pafrytshme mund të ndihen në disa raste, të gjitha do të bëhen me vlerë (shihni te Galatasve 6:9; Doktrina e Besëlidhje 58:3).

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Besimi është i bukur sepse ngulmon edhe kur bekimet nuk vijnë siç e kishim shpresuar. Ne nuk mund ta shohim të ardhmen, nuk i dimë të gjitha përgjigjet, por mund t’i mirëbesojmë Jezu Krishtit teksa vazhdojmë të shkojmë përpara dhe lart, sepse Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.”

Teksa ju dhe njerëzit që i doni, përballen me ndërlikimet e shëndetit mendor, mbani mend se gjithçka që është e padrejtë në jetë, do të ndreqet për shkak të Jezu Krishtit. Vazhdoni të ecni përpara dhe në drejtimin lart, me Të përkrah jush dhe ju gjithmonë mund të vijoni plot shpresë me ngulmim.