2025
Të Bekuar nga Autoriteti dhe Fuqia e Priftërisë
Shtator 2025


“Të Bekuar nga Autoriteti dhe Fuqia e Priftërisë”, Liahona, shtator 2025.

Të Bekuar nga Autoriteti dhe Fuqia e Priftërisë

Anëtarët e Kishës e përdorin fuqinë e Perëndisë për t’u shërbyer njerëzve të tjerë dhe për t’i bekuar njerëzit e tjerë në Kishë, në shtëpi dhe anembanë botës.

Plaku D. Tod Kristoferson

Dëshmia jonë për botën është se priftëria e shenjtë e Perëndisë është thelbësore për përmbushjen e veprës së Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin, se Ai e ka rivendosur priftërinë në tokë për atë qëllim dhe se ajo administrohet nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Domosdoshmëria e Autoritetit dhe Fuqisë së Priftërisë

Jezu Krishti është kreu i Kishës. Kisha është mjeti që Ai e ka krijuar për të përmbushur veprën thelbësore të shëlbimit të njerëzimit në këtë periudhë të fundit ungjillore, po ashtu si në periudhën ungjillore kur Ai jetoi në tokë. Nëpërmjet Kishës:

  • Ai mund ta shpallë ungjillin e Tij anekënd botës.

  • Ai mund të ofrojë pagëzimin dhe të gjitha besëlidhjet e tjera, madje një shteg besëlidhjesh drejt mbretërisë së Tij çelestiale.

  • Ai mund t’i bashkojë familjet për përjetësinë.

  • Ai mund t’ua ofrojë dhuratat e shpëtimit, edhe atyre që kanë vdekur pa to.

  • Ai mund të japë shërbesë për nevojat fizike të fëmijëve të Perëndisë në këtë kohë.

Për t’i përmbushur këto qëllime madhështore dhe për t’u përgatitur për kthimin e Shpëtimtarit, Kisha ka nevojë për udhëzimin, autoritetin dhe fuqinë e vazhdueshme të Perëndisë. Kisha është “kish[a e] vërtetë dhe [e] gjallë” (Doktrina e Besëlidhje 1:30) sepse Krishti i beson asaj udhëheqjen dhe fuqinë e Tij nëpërmjet priftërisë së Tij, “Priftëri[së së] Shenjtë, sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 107:3).

Por pa këtë priftëri të shenjtë, Kisha do të ishte në thelb një organizatë laike, duke bërë mirë në botë, por e pafuqishme për të arritur qëllimin përfundimtar të përgatitjes së bijve dhe bijave të Perëndisë për gëzimin e jetës së përjetshme në praninë e Tij. Me këtë priftëri dhe çelësat për të drejtuar veprën e kësaj priftërie, ka autoritet si edhe rregull në Kishë.

“Në Kishë, i gjithë autoriteti i priftërisë ushtrohet nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë.

Anëtarët e denjë meshkuj të Kishës e marrin autoritetin e priftërisë nëpërmjet dhënies së priftërisë dhe shugurimit në detyrat e priftërisë. Të gjithë anëtarët e Kishës mund të ushtrojnë autoritet të deleguar, kur ata veçohen ose caktohen të ndihmojnë për të përmbushur veprën e Perëndisë.”

Nëpërmjet çelësave të priftërisë, përparësitë e Zotit gjithmonë do të triumfojnë. Askush nuk mund të nxitë idenë vetjake që nuk është në harmoni me drejtimin e Tij. Askush nuk mund t’ia dalë mbanë në veprimtaritë e priftërinjve, duke kërkuar përfitim vetjak dhe ndjekje vetjake.

Priftëria gjithashtu luan një rol vendimtar në shtëpitë e anëtarëve të Kishës. Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dha mësim: “Parimi se autoriteti i priftërisë mund të ushtrohet vetëm nën drejtimin e atij që mban çelësat për atë funksion, është thelbësor në Kishë, por kjo nuk gjen zbatim në familje”. Etërit kryesojnë dhe e ushtrojnë priftërinë në familjen e tyre – duke këshilluar, duke mbajtur mbledhje familjare, duke u dhënë bekime priftërie ose shërimi pjesëtarëve të familjes apo të tjerëve e kështu me radhë – pa drejtimin ose autorizimin e dikujt që mban çelësat e priftërisë.

“I njëjti parim zbatohet kur babai mungon dhe nëna është udhëheqësja e familjes. Ajo kryeson në shtëpinë e saj dhe është mjet për sjelljen e fuqisë dhe bekimeve të priftërisë në familjen e vet nëpërmjet dhurimit dhe vulosjes së saj në tempull.”

Rivendosja e Priftërisë në Kohën Tonë

Gjon Pagëzori duke i rivendosur Priftërinë Aarone Jozef Smith të Riut dhe Oliver Kaudërit

15 maj 1829

Rivendosja e autoritetit të priftërisë në këtë periudhë të fundit ungjillore u krye me një përparim të rregullt, hap pas hapi. Ndërkohë që shkrimi i shenjtë themelor për periudhën tonë ungjillore, Libri i Mormonit, po përkthehej në vitin 1829, Zoti filloi të vendoste strukturën se si do të organizohej priftëria e Tij. Në përgjigje të kërkesës plot lutje të Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit lidhur me pagëzimin, Gjon Pagëzori i ringjallur u shfaq dhe u dha atyre Priftërinë Aarone, priftëri e cila “mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve” (Doktrina e Besëlidhje 13:1). Me atë autoritet, Jozefi dhe Oliveri pagëzuan njëri‑tjetrin dhe më vonë njerëz të tjerë kur Kisha u organizua zyrtarisht.

rivendosja e Priftërisë Melkizedeke

Pak kohë pas 15 majit 1829

Jo shumë kohë pas shfaqjes së Gjon Pagëzorit, Apostujt e lashtë, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, u shfaqën dhe dhanë priftërinë më të lartë, ose Melkizedeke, duke përfshirë “çelësat e mbretërisë sime dhe një periudhë të ungjillit për … plotësinë e kohëve” (Doktrina e Besëlidhje 27:13; shihni edhe te 128:20).

foltoret në Tempullin e Kirtlandit

3 prill 1836

Autoriteti i nevojshëm shtesë i priftërisë erdhi më pas kur, në Tempullin e Kirtlandit, tre apostuj të lashtë, Moisiu, Eliasi dhe Elija, iu shfaqën Jozefit e Oliverit dhe u dhanë atyre çelësat e mbledhjes së Izraelit dhe të punës që lidhet me tempujt e Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16).

Jozef Smith i Riu u bën thirrje shenjtorëve të hershëm që t’i mbështetin anëtarët në thirrjet e reja

Verë 1829 – prill 1835

Zbulesat, tani të kanonizuara në librin Doktrina e Besëlidhje, e udhëzuan Profetin Jozef Smith lidhur me shugurimin e meshkujve në detyrat e priftërisë më të lartë (Melkizedeke) dhe të priftërisë përgatitore (Aarone); caktimin e drejtuesve të priftërisë, të tillë si peshkopë dhe organizimin e kuorumeve dhe këshillave të priftërisë.

pionierë duke kapërcyer rrafshnaltat

1835–1973

Drejtimi profetik vazhdon të udhërrëfejë organizimin dhe funksionimin e priftërisë në Kishë. Për shembull, kuorumet e Të Shtatëdhjetëve u organizuan në epokën e Kirtlandit që t’i vinin në ndihmë Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Pas eksodit të madh drejt Perëndimit dhe shpërndarjes së anëtarëve të Kishës anembanë zonave të gjera gjeografike, këto kuorume u caktuan që të funksiononin në kunjet e Kishës.

kor duke kënduar në konferencën e përgjithshme

1973–Aktualisht

Nën administrimin e Presidentëve Spenser W. Kimball (1895–1985), Ezra Taft Benson (1899–1994) dhe Gordon B. Hinkli (1910–2008), Të Shtatëdhjetët dhe kuorumet e tyre filluan të funksiononin drejtpërsëdrejti nën Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, në nivelin e përgjithshëm të Kishës dhe në zonat e Kishës. Kuorumet në nivel kunji më pas u ndërprenë. Sot dymbëdhjetë kuorume të Autoriteteve të Përgjithshme dhe Të Shtatëdhjetëve Zonalë i ndihmojnë Apostujt “në ngritjen e kishës dhe rregullimin e gjithë punëve të saj në të gjitha kombet” (Doktrina e Besëlidhje 107:34). Kuorume shtesë të Të Shtatëdhjetëve mund të krijohen ndërkohë që Kisha zgjerohet.

Plaku Kristoferson përshëndet anëtarët e Kishës në Gambia

Plaku Kristoferson përshëndet vëllezërit Sampson dhe Daniel Amako në Gambia, Afrika Perëndimore, në shkurt 2022.

Priftëria: Fuqia për të Bekuar

Me një fjalë, qëllimi i autoritetit dhe fuqisë së priftërisë që Jezu Krishti e rivendosi, është të bekojë. Ajo i aftëson anëtarët e Kishës që ta përdorin fuqinë e Perëndisë për t’u shërbyer njerëzve të tjerë dhe për t’i bekuar njerëzit e tjerë në Kishë, në shtëpi dhe anembanë botës. Anëtarët bashkohen me Shpëtimtarin në përmbushjen e veprës së Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin, duke i vënë në përdorim dhuratat dhe fuqinë hyjnore përtej vetes së tyre për të ndihmuar që të rritet mbretëria e Perëndisë për të mbushur tokën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 65:2, 5–6).

Zoti ka shpjeguar se “kjo priftëri më e madhe [Melkizedeke] administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë.

Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.

Dhe pa ordinancat e saj dhe pa autoritetin e priftërisë, fuqia e perëndishmërisë nuk u manifestohet njerëzve në mish” (Doktrina e Besëlidhje 84:19–21).

Sigurisht, ordinancat janë ceremonitë ose sakramentet e administruara nga priftëria nëpërmjet të cilave ne bëjmë besëlidhje me Perëndinë, duke filluar me pagëzimin dhe duke vijuar me besëlidhjet e marra në shtëpinë e Zotit. Është nëpërmjet mbajtjes së këtyre besëlidhjeve që ne shndërrohemi nga burra dhe gra të “natyrsh[me]” në shenjtorë (shihni te Mosia 3:19) me anë të hirit shlyes të Krishtit dhe bëhemi të përligjur si edhe të shenjtëruar – të pafaj e të panjollë – përpara Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:29–31; 3 Nefi 27:16–20).

Ky citim nga dokumenti “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, prej Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpreh një përmbledhje të përshtatshme:

“Ne shpallim se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e organizuar më 6 prill 1830, është Kisha e Krishtit e Dhiatës së Re e rivendosur. Kjo Kishë është e ankoruar në jetën e përkryer të gurit të saj kryesor të qoshes, Jezu Krishtit, dhe në Shlyerjen e pafundme dhe Ringjalljen e mirëfilltë. Jezu Krishti edhe një herë ka thirrur Apostuj dhe u ka dhënë atyre autoritetin e priftërisë. Ai na fton që të gjithë ne që të vijmë tek Ai dhe Kisha e Tij, të marrim Frymën e Shenjtë, ordinancat e shpëtimit dhe të fitojmë gëzim të qëndrueshëm.”