2025
Po të Kishte Perëndia një Kishë në Tokë
Shtator 2025


“Po të Kishte Perëndia një Kishë në Tokë”, Liahona, shtator 2025.

Portrete Besimi

Po të Kishte Perëndia një Kishë në Tokë

U thashë misionarëve që të mos e çonin kohën e tyre dëm, se kisha bindjet e mia vetjake. Por më pas mësova se mësimet e tyre përputheshin me bindjet e mia rreth familjes, një Ati të dashur në Qiell dhe Kishës së Shpëtimtarit.

Nikola Uatbledi

Kur isha i vogël, prindërit më çuan në kisha të ndryshme. Më vonë, kur isha adoleshent, fillova të drejtohesha te Perëndia dhe fillova të lexoja Biblën. U ndjeva mirë.

Teksa mendoja rreth Perëndisë dhe qëllimit të jetës, e kuptova se ishte e rëndësishme të kisha një familje. Mendova se udhëheqësit e kishave duhej të jepnin mësim nëpërmjet shembullit, por në kishën që kisha frekuentuar, priftërinjtë nuk ishin të martuar. Kjo s’kishte kuptim për mua. Besoja se ishte gjë e mirë të martoheshe dhe të kishe një familje.

Në atë kohë isha 16 vjeç. Kisha një të dashur që e doja tepër shumë, por ajo më la. Qe e vështirë për mua. Vuajta shumë për gati një vit. Për shkak të asaj përvoje, doja të kuptoja se nga vija, përse isha në tokë, cili është qëllimi i jetës dhe çfarë ndodh pas vdekjes. Doja të gjeja për veten time përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve. Por pasi mendova për to për një kohë të gjatë, u drejtova te Perëndia përsëri dhe i thashë vetes: “Krijuesi i jetës e njeh jetën më mirë nga sa e njoh unë. Duhet t’i gjej përgjigjet prej Tij.”

Duke lexuar Biblën, mësova se Jezusi thirri dymbëdhjetë Apostuj. “Po të kishte Perëndia një kishë sot”, – mendova, – “ajo duhej të kishte Apostuj.” U bëra gjithnjë e më shumë i tërhequr drejt fesë dhe doja të pagëzohesha.

Kur fola rreth Perëndisë me babanë tim, ai më tha se Perëndia është i drejtë. Ai tha se ti ose pagëzohesh që të shpëtohesh, ose mallkohesh në ferr përgjithmonë. Nuk doja të besoja se një Atë i dashur në Qiell do të gjente kënaqësi duke i dërguar fëmijët e Tij në ferr përgjithmonë, thjesht ngaqë ata nuk ishin pagëzuar. Çfarë bëhet me ata që nuk patën mundësi për t’u pagëzuar?

Në Francë kishte pak besimtarë. Kisha miq që ishin të mirë, por nuk ishin të pagëzuar. Arrita në përfundimin që nuk ishte e drejtë të mendoja se ata të gjithë do të shkonin në ferr.

Prandaj vendosa të krijoja vetë bindjet e mia fetare. Besoja te një Perëndi dashuria e të cilit është e përsosur dhe i cili do të bënte gjithçka që Ai kishte fuqi për t’i shpëtuar fëmijët e Vet. Nëse fëmijët e Tij nuk dëshirojnë ta marrin lavdinë e Tij, kjo do të varej prej tyre. Por Ai do t’u jepte atyre një mundësi.

Një Rrugë Tjetër drejt Kthimit në Besim

Një ditë, dy prej misionarëve kohëplotë të cilët po punonin në fshatin tim, ndien nxitjen që të merrnin një rrugë tjetër për të shkuar në shtëpi. Rrugës për në shtëpi, ata u takuan me nënën time. Ajo i ndali dhe la një takim për mua që të takohesha me ta. Nuk më pëlqeu kjo gjë. Nuk doja të flisja me ta. Mendova se do të më thoshin: “Duhet të na dëgjosh. Duhet të besosh se çfarë do të të themi.”

Kur misionarët erdhën në takimin tonë, u thashë atyre: “Mos e çoni kohën dëm. Kam bindjet e mia vetjake. Ajo që po bëni është e mirë, por unë besoj se familja është shumë e rëndësishme. Besoj se udhëheqësit e kishës duhet të martohen. Besoj se një kishë duhet të ketë dymbëdhjetë Apostuj. Besoj se Perëndia do të shpëtojë sa më shumë nga fëmijët e Tij që të mundet. Dhe nuk besoj në pirjen e duhanit dhe pijeve alkoolike.”

U befasova kur mësova se mësimet e tyre përputheshin me bindjet e mia. Ata më dhanë një Libër të Mormonit dhe më kërkuan që të lutesha rreth tij. E ndjeva Shpirtin kur e lexova librin dhe e ndjeva Shpirtin kur isha me misionarët. Por mendova: “Ndoshta po m’i krijon vetja këto ndjenja pozitive”.

U luta dhe mora përgjigje në një ëndërr. Në ëndrrën time hapa Biblën. Brenda Biblës kishte nënndarje me libra të ndryshëm të Biblës. Nënndarja e fundit lexonte “Mormoni”. Ky mesazh më ndihmoi të kuptoja se Bibla dhe Libri i Mormonit përmbanin të njëjtin ungjill (shihni tek Ezekiel 37:15–19).

Dëshmia ime u forcua më tej nëpërmjet përvojave të tjera me leximin dhe studimin e Librit të Mormonit. Kur misionarët më ftuan të pagëzohesha, pranova me gëzim. U pagëzova saktësisht një vit pasi më kishte lënë e dashura. Pagëzimi im shënoi një ndryshim të madh në jetën time. Humba disa miq kur u bashkova me Kishën, por gjeta miq të rinj në degën që frekuentoja.

Vëllai Uatbled me familjen e tij

“Ungjilli më solli shumë dritë dhe lumturi”, – thotë Nikola. “Perëndia më bekoi. U njoha me një grua të mirë dhe kemi tri bija të mira.”

Ungjilli më solli shumë dritë dhe lumturi. U mbusha me Shpirtin dhe me gëzim. Mendova: “Gjithçka që e kam vuajtur më parë, më ka sjellë këtu”.

Perëndia më bekoi. U njoha me një grua të mirë dhe kemi tri bija të mira. Dy prej tyre kanë shërbyer në mision, duke i ndihmuar të tjerët që të kuptojnë atë që unë arrita ta kuptoja vite më parë: “Familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”, “të vdekurit që pendohen, do të shëlbehen, nëpërmjet bindjes ndaj ordinancave të shtëpisë së Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 138:58) dhe Zoti thërret apostuj dhe profetë në kohën tonë për ta udhëhequr Kishën e Tij (shihni tek Efesianëve 2:20).